Blog17 Mar 2020

Si të mbrohemi dhe të luftojmë koronavirusin

Mos iu afro të tjerëve, mos u jep dorën, mos përqafo. Distancimi social dy metra është arma kryesore që ka në dorë çdo person, dhe që ka detyrë ta përdorë pa pushim në luftën e ashpër dhe të gjatë që na ka hapur koronavirusi.

Autor: Hektor Grazhdani BIRN Romë
Printo

Ilustrim nga Franco Rivolli.

Virusi i ri COVID-19  hyn në trupin e njeriut nga goja, hunda dhe sytë; sapo prek aty mukozat e tyre i depërton. Karakteristika e koronavirusit të ri është se vendi kryesor ku vendoset dhe shumëzohet është në mushkëri.

Mënyra kryesore e përhapjes nga njeriu te njeriu i kësaj sëmundjeje mjaft ngjitëse është me anë të kollës. Me çdo kollitje, i sëmuri nxjerr në ajër me miliona grimca të padukshme pështyme, të cilat janë plot me virusin e ri. Këto grimca mbeten në ajër për pak kohë, pezull në lundrim si aerosol dhe një njeri që gjendet afër, brenda 2 metrash, e merr sëmundjen me futjen e grimcave të aerosolit me virus në gojë, në hundë dhe në sy. Mbrojtja është ajo që quhet distancimi social si dhe mbajtja e distancës dy metra nga njeriu te njeriu. Kjo distancë në ambient të hapur garanton mbrojtje të plotë. Në ambient të mbyllur duhet të mbahen të hapura dritaret. Distancën dy metra e rekomandon qeveria e Britanisë së Madhe. Ndërsa qeveria italiane u kërkon njerëzve të mbajnë distancë minimale mbi 1 metër.

Mjekë në Itali këshillojnë megjithatë 2 metra, sepse nëse personi kollitet, distanca prej 1 metër nuk është e mjaftueshme për t’u mbrojtur.

I sëmuri ose i infektuari e nxjerr në ajër virusin, edhe kur flet, perveçse me kollë. Kur je brenda distancës një metër me të sëmurin ose të infektuarin, gjasat janë që e merr virusin kur fytyra e tij është e drejtuar nga ty, ose e ke përballë.

Që të infektohesh në këtë mënyrë duhet kontakt që zgjat në kohë; mendohet që kontakti i shkurtër nuk mjafton që të infektohesh. Në epiqendrën e epidemisë në provincën e Hubeit në Kinë, mjekët gjenin përhapjen e Covid 19 brenda një familjeje që kishte një të infektuar, mes kolegëve të punës që punonin në një ambient të mbyllur me një të sëmurë, nëpër pjesëmarrësit e një konference, që rrinin të ulur pranë njëri-tjetrit për një kohë të gjatë, etj. Pra – mendojnë mjekët – kur personi nuk kollitet, kontakti duhet të jetë i afërt dhe pak i zgjatur në kohë. Sa i zgjatur nuk dihet ende.

Personi i infektuar i zhvillon shenjat e sëmundjes (shenjat tipike të Covid 19 janë temperaturë e lartë dhe kollë), pas një periudhe inkubacioni nga 2 deri 14 ditë. Shumica e tyre e zhvillojnë në ditën e 5-të ose rrotull saj.

Mendohet që në periudhën e inkubacionit, në dy ditët para se personi të shfaqë shenjat e sëmundjes, ai nxjerr virus në ajër, duke folur ose me frymëmarrje dhe ia ngjit të tjerëve. Pra, është me rëndësi të madhe për mospërhapjen e sëmundjes të bëjmë zakon dhe të mbajmë  me rigorozitet distancën 2 metra nga të tjerët.

Kush është i sëmurë, gjatë gjithë kohës që zgjat sëmundja duhet të rrijë i izoluar në një dhomë, i ndarë nga familja, që të mos ia kalojë të tjerëve. Në Kinë, ata që shërohen nga sëmundja, nëse tamponi i grykës del pozitiv, megjithëse personi është i shëruar, e mbajnë të izoluar sepse mendojnë që mund të jetë akoma infektues për të tjerët. Kur negativizohet testi i koronavirusit e lënë të lirë. Në vendin tonë me mundësi të kufizuara për të bërë testime, duhet të ndiqen udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të cilat janë të bazuara në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Konkluzioni: distancën 2 metra ta mbajmë nga çdo person. Mos iu afro të tjerëve, mos u jep dorën, mos përqafo. Distancimi social dy metra është arma kryesore që ka në dorë çdo person, dhe që ka detyrë ta përdorë pa pushim në luftën e ashpër dhe të gjatë që na ka hapur koronavirusi.

Aerosoli me koronavirus që del nga të sëmurët dhe jo-të sëmurët, ngadalë bie dhe depozitohet mbi sipërfaqe të objekteve, të dyshmese dhe të rrugëve. Ky koronavirus i ri jeton në ambient jashtë të paktën disa ditë; ka disa të dhëna që tregojnë që jeton deri 9 ditë. Duart prekin vazhdimisht objekte të ndryshme dhe në duar mbetet koronavirusi. Për shembull, dikush është kollitur, ka vënë para gojës doren dhe jo gropën e bërrylit; me dorën e ndotur hap ashensorin, butonin e ashensorit ose dorezën e derës. Ti më pas prek aty me dorën tënde. Shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme, të sforcohemi që me duar të mos prekim në asnjë mënyrë fytyrën! (Nga prekja e fytyrës, koronavirusi na futet në gojë, hundë ose sy.) Kjo të na behët zakon! Edhe nëse na kruhet ndonjë pjesë e fytyrës dhe nuk durojmë dot. Duhet të durojmë! Asnjëherë mos prekim fytyrën! Jemi në lufte dhe në luftë ka sakrifica. Kjo është një sakrificë e vogël, por me rëndësi të madhe që i kërkohet secilit.

Kuptohet duart duhen larë shpesh me ujë dhe sapun. Në pamundësi të larjes së duarve, mund të dezinfektohen me solucione të ndryshme, por duhet të kemi parasysh që dizinfektimi nuk i vret dot të gjitha viruset. Më e mira është larja me ujë dhe sapun. Nuk ka ndryshim nëse i lan duart me ujë të ngrohtë apo të ftohtë – është njëlloj, kjo është e provuar. Vetem me fërkim të duarve me sapun për 20-30 sekonda është i mundur pastrimi i plotë i duarve nga virusi, duke e hequr dhe shpërlarë atë.

Teknikën e rregullt të larjes së duarve mund ta gjeni në youtube “how to wash your hands”. Duhet zbatuar pikë për pikë! Fërkimi me sapun i shkurtër i duarve nuk mjafton; e domosdoshme 20-30 sekonda. Ndërsa fëmijëve i thuhet ‘zgjat fërkimi i duarve me sapun përgjatë kohës që duhet për të kënduar dy herë “Happy birthday to you”.

Një ekip ekspertësh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë qëndruan në Vuhan për dy javë në fund të shkurtit, duke intervistuar dhe mbledhur të dhëna nga mjekë dhe infermierë në spitalet që trajtonin Covid-19. Pjestarët e këtij ekipi i lanin duart çdo gjysmë ore dhe respektonin distancën sociale. Si mbrojtje personale kishin vetëm maska kirurgjikale (pak të efektshme); asgjë tjetër. Asnjëri prej tyre nuk u sëmur, nuk mori koronavirusin, megjithëse qëndronin në spitale, jo pranë të sëmurëve, por sidoqoftë në zonë me rrezik të lartë! Pra kur i zbaton me rigorozitet rregullat e mbrojtjes, nuk infektohesh!

Maskat për perdorim të publikut të gjerë, sipas ekspertëve, nuk jane të nevojshme.

Të mos infektohesh është detyrë e secilit në këtë luftë të egër që po na bën koronavirusi! Është mënyra e vetme që secili ka detyrim t’a bëjë për të frenuar përhapjen e epidemisë dhe përshpejtimin e saj në vendin tonë! Detyrim që duhet ta zbatojë secili me ndjenjë të lartë përgjegjësie! Koronavirusi kërkon të sëmurë midis nesh, me numra të mëdhenj dhe në rritje. Kërkon të na vrasë. Kërkon të na shkatërrojë ekonominë. Luftë pa ndalim kundër koronavirusit prej secilit! Do t’ia dalim! Do ta fitojmë këtë luftë!

Shumë qytete po bëjnë dezinfektim të rrugëve dhe ambienteve. Këtë e bën gjerësisht Koreja e Jugut, por ajo është vend i pasur. Pra virusi mund të mbetet në tokë, në rrugë dhe trotuare, dhe ti e merr me këpucë dhe e fut në shtëpi. Lexoj që ekspertët mendojnë që është pak probabël ta marrësh virusin në këtë mënyrë. Ajo që kam bërë unë: sapo hyn në shtëpi, afër derës heq këpucët dhe i vendos aty afër derës, një vend që e konsideron që mund të jetë i ndotur me koronavirus dhe ku nuk duhet të afrohesh ose të vendosësh sende. Gjithashtu, heq rrobat që mban veshur kur je jashtë, sepse mund të jesh ulur ose mbështetur diku ku ka ndotje me koronavirus. Edhe veshjet, ose i vendos në një vend të caktuar që e konsideron mundësisht të ndotur, ose i mbyll në qese, ose i lan në lavatriçe.

Nuk e di a janë para të shpenzuara mirë ato për dezifektim të gjerë të ambienteve të jashtme në shtete të varfëra si tonat. Italia e bën pak këtë. Mendimi im është që akoma jemi në fillimin e epidemisë në Shqipëri dhe mundësia që të ketë ndotje me koronavirus në ambjent duhet të jetë e pakët. Mendoj që për shtete të varfëra si tonat, këto para të dezifektimit, shpenzohen me efikasitet shumë më të lartë duke blerë kite testimi, për të bërë më shumë testime dhe kërkim në popullsi se kush është i infektuar. Të gjesh dhe të izolosh të infektuarit dhe njerëzit që kanë patur afër ata, kontaktet e tyre, është shumë e efektshme dhe e domosdoshme për të frenuar epideminë.

Strategjia e luftës kundër epidemisë

Grafiku i përhapjes së epidemisë.

CONTAINMENT – pra përmbatja, frenimi i përhapjes është strategjia e parë e luftës kundër një epidemie. Zbatohet duke bërë testime për të gjetur të sëmurët dhe të infektuarit. Të sëmurët izolohen ne një dhomë në shtëpi derisa të shërohen plotësisht. Të infektuarit dhe personat që kanë qenë në kontakt me ata, mbyllen në një dhomë të shtëpisë për 14 ditë. Quhet karantinë, për të parë a zhvillojnë apo jo sëmundjen. Nëse zhvillojnë sëmundjen, rrinë në izolim në dhomë deri në shërim të plotë. Ekspertë në Itali thonë që mirë është kur gjendet një i sëmure, testi për koronavirus t’i bëhet gjithë familjes, gjithë komshinjve, madje mirë është edhe gjithë pallatit. Por kjo ka kosto të lartë financiare. Italia nuk po e bën dot. Këtu në Romë nuk bëhet. Në Romë, testi po i bëhet vetëm kujt ka temperaturë të lartë dhe/ose kollë. Kur gjendet një i sëmurë, bëhet me imtësi gjurmimi i kontakteve. Cilët persona ka takuar i sëmuri gjatë sëmundjes në dy ditët para shfaqjes së temperaturës ose kollës. Të gjithë këta persona vihen në karantinë të detyruar për 14 ditë, të mbyllur në një dhomë në shtëpinë e tyre, në mënyrë që të mos përhapin koronavirusin tek të tjerë.

Personit e mbyllur në një dhomë, i lihet ushqimi jashtë derës, largohesh, ai hap derën, e merr dhe e mbyll shpejt derën. I izoluari duhet të ajrosë shpesh dhomën. Pasi shkon në banjo personi i izoluar, mirë është që të izolohet banjoja.

Në SHBA kanë premtuar që brenda disa javësh, do të kenë mundur që të bëjnë falas testin për të gjithë popullsinë. Kjo për të gjetur dhe izoluar çdo të infektuar. Por SHBA është vendi më i pasur i botës. Këtë gjë nuk e ka bërë Kina as në epiqendër, në provincën Hubei.

Testime për koronavirus në numër shumë të lartë në popullsi kanë bërë Koreja e Jugut, Taivani, Japonia dhe Singapori. Kjo ka dhënë rezultate shumë të mira: kanë mundur të realizojnë frenim.

Në Korenë e Jugut për shembull, në tre javë kanë bërë 14 mijë testime për 1 milion banorë. Natyrisht përzgjidhet kush ia vlen të testohet. Këto testime në numër kaq të madh, kanë mundur të identifikojnë të infektuarit dhe t’i izolojnë. Këto testime po japin tani frytet e tyre. Në Korenë e Jugut, numri i të infektuarve dhe i të sëmurëve është në ulje të dukshme. Kështu edhe në vendet e tjera që përmenda.

Nëse veprohet herët në nisjen e epidemisë, me energji dhe sforcime të mëdha, është e mundur të realizosh frenimin. Por është shumë e vështirë, sidomos për vendet e varfra si Shqipëria. Që është e vështirë, nuk do të thotë të mos e bësh dhe të përfitosh me anë të saj, sa më shumë që të mundesh për frenimin e epidemisë.

Mitigation – ulja e efektit të keq

Pas 18 ditësh pune dhe sforcimesh për të parandaluar përhapjen (me vonesa dhe gabime), Italia nuk frenoi dot përhapjen e koronavirusit dhe kaloi te faza e mitigation – shpalli gjithë Italine zonë nën mbrojtje. Jemi të izoluar në shtëpi. Masat e distancimit social zbatohen me rreptësi të madhe. Shkollat, universitetet dhe të gjitha aktivitetet komerciale janë të mbyllura. Ke të drejtë të dalësh nga shtëpia vetëm për të shkuar në punë, për të blerë ushqime, barna dhe cigare, ose për të nxjerrë pak qenin shëtitje. Para se të dalësh nga shtëpia, shkruan një vetëdeklarim, ku po shkon dhe orarin e hyrjes dhe daljes nga shtëpia. Nëse të ndalon Policia, i bën foto vetëdeklarimit dhe të ndjek për kontrolle. Ka sanksione të rënda.

Në vendet e punës kërkohet të respektohet distanca midis njerëzve, të paktën një metër. Në dyqanet e ushqimeve, dalin tre veta, futen tre të tjerë që të ketë pak njerëz brenda dhe që ata të mos jenë afër njëri-tjetrit. Njerëzit presin në radhë jashtë, në distancë mbi 1 metër njëri nga tjetri.

Të gjithë jemi të mbyllur në shtëpi. Çdo pasdite, njerëzit dalin në dritare dhe ballkone, vihet hymni kombëtar “Fratelli d’Italia”, këndojnë e duartrokasin, pastaj vënë këngë të ndryshme. Këtë po bëjnë edhe tani që po shkruaj. Flamuj italianë kanë varur në dritare e ballkone.

Kur shteti kërkon izolimin e popullsisë në shtëpi, është masë që secili ka për detyrë ta zbatojë.

Çfarë ndodh me të sëmurët

80% e atyre që zhvillojnë sëmundjen Covid 19, e kalojnë në shtëpi, mesatarisht për një javë, me temperaturë dhe kollë (të cilat janë simptomat tipike). Covid 19 shumë rrallë shkakton rrufë (hundë me sekrecione), dhimbje gryke ose teshtitje – këto nuk janë simptoma tipike të koronavirusit të ri. I izoluar nga të tjerët në një dhomë, duhet të rrish në krevat, të flesh sa më shumë, të pish shumë ujë dhe të hash në mënyrë të shëndetshme.

Nuk ka ilaçe. Vetëm për temperaturën e lartë mund të marrësh ilaçet e zakonshme antipiretike. Kush është nën 60 vjeç dhe i shëndetshëm, pa sëmundje, është gati e sigurt që e kalon kështu. Ke nevojë për spital vetëm nëse vëren që po të merret fryma, ke frymëmarrje të shpeshtë, nuk mbushesh dot me ajër – po nis të zhvillohet polmoniti virial. Kjo zakonisht ndodh pas një jave sëmundje. Vetëm në këtë rast bëhet shtrimi në spital. Vdekshmëria e përgjithshme e të sëmurëve të moshës 30-60 vjeç është 0,2% – mjaft e ulët.

Por është tepër më e lartë te të moshuarit që kanë sëmundje të tjera. Në Vuhan, dy të parët që vdiqën ishin dy burra në moshë rreth 50 vjeç – pa asnjë sëmundje të mëparshme, të shëndetshëm, por ishin duhanpirës. Mendohet që dëmtimi që i bën duhani mushkërive, favorizon zhvillimin e Covid 19 në gjendje të rëndë. Kush pi duhan, tani i kërkohet që është mirë të bëjë sakrifica, mundime e sforcime që ta ulë duhanin dhe ta lërë atë, siç e kanë bërë shumë të tjerë.

Kur e sheh qe po të fillon temperaturë e lartë dhe kollë, në Itali kërkohet të izolohesh në një dhomë dhe të marrësh telefon numrin e posaçëm për Emergjencën Koronavirus. Të gjithë personat që ke patur kontakt vihen në karantinë – 14 ditë të mbyllur, nuk u bëhet testi.

Pra nuk duhet të shkosh të paraqitesh të mjeku – rrezikon të infektosh mjekun dhe pacientët e tjerë aty. Kush dyshon se është i sëmurë me Covid 19, nuk duhet t’i afrohet asnjë njeriu dhe aq më pak personelit mjekësor. Në këtë luftë të ashpër me koronavirusin, personeli mjekësor janë luftetarët tanë në vijën e parë të frontit, nën zjarrin e armikut. Edhe në Kinë, edhe në Itali, shumë mjekë dhe infermierë u infektuan, u sëmurën dhe ka patur edhe vdekje ndër ta. T’i ruajmë mjekët dhe infermierët! Nëse dyshoni që keni sëmundje, mos ju afroni atyre nëse ata nuk janë të veshur kokë e këmbë me mjetet e mbrojtjes personale.

20% e të sëmurëve kanë nevojë për shtrim në spital. Nga këta në Kinë, 6% kishin nevojë për terapi intensive (e cila ka kosto të larte dhe çdo vend e ka me numër të kufizuar). Në Itali, 10% janë në terapi intensive.

Vdekshmëria e përgjithshme në të gjithë popullsinë e sëmurë ka qene 2-4% në Kinë dhe është më e lartë në Itali – konsiderohen shifra të larta për një sëmundje infektive që përhapet lehtë midis njerëzve. Kjo vdekshmëri varet nga sa të mirë dhe te pajisur janë spitalet dhe sa të aftë janë mjekët që të mbajnë gjallë pacientët derisa ata të shërohen vetë. Nga Irani nuk ka të dhëna të besueshme mbi vdekshmërinë; ka gazetarë që raportojnë vdekshmëri të lartë, madje edhe në mosha më të reja. Ilaçe kundër koronavirusit nuk ka. Janë në eksperimentim dhe shpresa është që ilaçe specifike do të jenë gati pas disa muajsh.

Në Itali, mosha mesatare e pacientëve që kanë vdekur është 80,3 vjeç dhe shumica dërrmuese e tyre me sëmundje të mëparshme, si diabet, sëmundje të zemrës, hipertension, kancer, etj. Tre të identifikuarit e parë në Itali me koronavirus në 20 shkurt, ishin 2 të moshuar që vdiqën dhe një 38 vjeçar që kishte patur gjithmonë shëndet të plotë. Ai e diagnostikua me Covid 19 kur kishte bërë polmonit viral të rëndë. E mbajtën gjallë në terapi intensive për 3 jave deri sa u përmirësua dhe u zgjua. Ishte pa ndjenja. Fjalët e para që tha: “ku ndodhem?”.

Të sëmuret nën moshën 30 vjeç në Itali kanë qenë 5-7% e të gjithë të sëmurëve. Fëmijët duket se infektohen më pak, sëmuren më lehtë dhe mendohet se e transmetojnë më pak koronavirusin tek të tjerët. Por një ekspert që degjova tha: “këto nuk janë fakte tërësisht të sigurta e të provuara ndaj unë fëmijët e mi do t’i ruaj”.

Me koronavirusin, me shumë gjasa, do të jemi në luftë gjatë gjithë këtij viti, dhe me sa jam informuar unë nga vlerësimet e ekspertëve, lufta pritet të zgjasë e ashpër mbase derisa të jetë prodhuar vaksina. Vlerësohet nga ekspertët që pandemia do të ulet gjatë verës, ose do të bjerë sipas grafikut në figurën më poshtë. Figura tregon që nuk duhet të lejojmë që në vendin tonë epidemia të bëjë rritjen e madhe me majë, sepse ajo rritje do të ketë numër aq të madh të sëmurësh, qe nuk ka sistem shëndetësor që t’i përballojë. Në asnjë vend të botes! Pra kurbën e epidemisë duhet ta mbajmë të ulët që ta përballoje sistemi ynë shëndetësor.

Detyra luftarake e çdo qytetari është të mos infektohet! Të zbatojë të gjitha rregullat e mbrojtjes! T’u bindet të gjitha udhëzimeve dhe urdhërave të autoriteteve shëndetësore dhe të autoriteteve qeveritare.

Të informohet mbi sëmundjen vetëm nga burimet e besueshme: autoritetet shëndetësore të vendit, Organizata Botërore e Shëndetësisë apo mediat profesionale.

Të mos u besojnë çfarë qarkullon në internet, në median sociale dhe whatsapp. Ka shumë informacione të rreme. Çfarë duket tepër e bukur, me siguri ka mashtrim. Përzihen aty disa të vërteta, me disa shtrembërime dhe me gënjeshtra të pastra.

Rri i qetë dhe lufto! Mbrohu nga sëmundja ti! Mbro të afërmit dhe familjen!

Lexo edhe njëherë pjesën e parë të këtij shkrimi për këshillat e mbrojtjes.

Politikanët e të gjitha partive e kanë për detyrë në këtë kohë lufte, të ndalojnë kritikat ndaj njëri-tjetrit dhe polemikat. Të lënë mënjanë çdo përfitim politik personal. Janë në rrezik jetët e njerëzve. Dhe me numra të mëdhenj! Rrezikon të na shkatërrohet ekonomia. Të githë politikanët duhet të jenë luftë me koronavirusin. E gjithë politika të jetë e bashkuar në mënyrë konstruktive me autoritetet qeveritare dhe vetëm t’i mbështesin ato, jo t’i kritikojnë. Jemi në lufte! Politikanët duhet të përdorin prestigjin që kanë në popull për të përhapur informim, për kujdesin që duhen bërë për t’u mbrojtur nga koronvirusi, për t’i dhënë zemër njerëzve dhe t’i motivojnë ata që të jenë të rregullt dhe rigorozë në masat mbrojtëse! Gazetarët duhet të japin shembull për publikun duke qëndruar për intervista vetëm në ambiente të hapura dhe në distancë 2 metra nga i intervistuari; mikrofoni i vendosur në shufër të gjatë ose në shkop. Kështu e bëjnë tani në Itali.

Të gjithë bashkë duhet të luftojmë armikun e padukshëm, armikun e egër dhe tinzar: koronavirusin. Të bashkuar do të fitojmë! Të jemi të ndarë me distance dy metra njëri nga tjetri, por me zemra të gjithë pranë njëri-tjetrit. Të gjithë të luftojmë. Do të fitojmë! Do t’ia dalim. Do ta fitojmë këtë luftë!