Blog3 Mar 2018

Si të mos e festojmë 8-Marsin

Tradita e shtrembër shqiptare e cilësimit të Ditës Ndërkombëtare të Grave, 8-Marsit si një festë ekskluzive e grave do të ishte mirë që këtë vit të shënjohej me lëvizje që do të çojnë përpara kauzën e grave - duke i çliruar nga rolet patriarkale të shoqërisë, që gjatë 2017 u panë te vrasjet dhe masakrimi i tyre.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Foto ilustruese nga panairi i grave në biznes Tiranë, 2017. Foto: Ivana Dervishi

Viti 2017 nuk qe ndryshe nga paraardhësit e tij për nga krimet makabër drejtuar grave dhe vajzave, për çështje që në disa raste media i përkufizoi si “krime pasioni” apo shkaqe banale, por të cilat në të vërtetë theksuan herë pas here mendësitë bajate të shoqërisë shqiptare për sa i përket grave, të drejtave të tyre dhe rolit që mbartin në çdo kohë për shëndetin e shoqërisë.

Herë me plumba në mes të shesheve, herë me thika e hanxharë natën brenda mureve të mbyllura shtëpish, gratë dhe vajzat dhanë frymën e tyre të fundit përballë burrave të zemëruar nga realiteti se gratë kanë të drejtën universale të jetojnë të lira dhe të mos u binden. Kjo sigurisht që i shkonte kundër idesë (tmerrësisht të gabuar) që u është brumosur që nga lindja se jeta e tyre vlen më shumë dhe se gratë na qenkan veçse panoramë plotësuese e viteve të tyre.

Megjithatë, duket se shoqëria shqiptare vitin që lamë pas u shfaq më pak indiferente ndaj këtij fenomeni të papranueshëm dhe në kundërshtim me çdo parim universal të barazisë dhe të drejte për të gëzuar një jetë të qetë.

Veçanërisht vrasja e gjyqtares Fildeze Hafizi shkaktoi protesta, debat dhe për pasojë nxiti institucionet përkatëse të bëjnë më shumë për të mbrojtur gratë nga krimet me bazë gjinore, së pari duke shtuar mbrojtjen për viktimat në rastet e urdhrave të mbrojtjes dhe së dyti duke mos lejuar reduktimin e dënimit apo rrethanat lehtësuese për autorët e këtyre krimeve.

Sigurisht, ato pak protesta nga disa qindra qytetarë dhe një përpjekje e imët institucionale nuk do të mjaftojnë kurrsesi për t’u garantuar grave sigurinë e jetës apo barazinë shoqërore. Gratë nga ana e tyre e kanë dhënë sinjalin duke shtuar raportimet në polici për dhunuesit dhe i takon shtetit, qytetarëve, aktivistëve dhe organizatave jo-fitimprurëse të krijojnë një mjedis që jo vetëm mbron më shumë gratë e dhunuara dhe ndëshkon dhunuesit, por që mbi të gjitha sensibilizon kundër dhunës.

Thënë këto, mbetet për t’u shpresuar se marsi, muaji i grave do të arrijë të nxisë një lëvizje që do të çojë përpara kauzën e grave, jo vetëm në aspektet thelbësore si siguria fizike, por edhe në aspekte të tjera po aq të rëndësishme si fuqizimi i tyre në çdo sferë të jetës dhe krijimi i një mjedisi që i ofron grave jo vetëm mundësi të barabarta me burrat, por edhe një atmosferë miqësore ndaj nevojave të tyre.

Shenjat e para megjithatë erdhën të miksuara.

Si fillim, kryebashkiaku i Tiranës, vendosi ta urojë muajin e grave në faqen e tij në Facebook duke postuar një grup fotosh të punonjëseve, që punojnë pranë sektorit të pastrimit në bashkinë e Tiranës dhe duke i përgëzuar ato me nota të realizmit socialist për punën e palodhur të pastrimit të qytetit.

Për një lider që ka vënë pikëpamjet progresive si bast të karrierës së tij politike, përgëzimi i grave duke i futur ato në kornizën e rolit dytësor shoqëror si kujdestare të pastërtisë, në vend të etiketës “foto e ditës”, kjo mund të quhet edhe “gafa e muajit”.

Së dyti, bizneset në fushën e bar/restoranteve kanë vendosur të shpenzojnë një pjesë të të ardhurave të tyre për të postuar reklama me çmime promocionale “për festat e 7-8 Marsit”, si një përpjekje për të peshkuar më shumë nga klientet që do të vendosin të bashkojnë forcën e tyre femërore në lokale përpara tavolinash me ushqim, të stolisura dhe duke kërcyer.

Nuk duhet të jesh feminist/e për të kuptuar se kjo gosti 7-8 Marsi është një shpëlarje truri, shkuma e të cilës po zgjat prej dekadash tashmë që nga diktatura. Ashtu si nuk duhet shumë arsyetim për të përbuzur postimet online të miqve që urojnë me fotot e nënave të tyre 8 Marsin, duke i quajtur ato heroina për durimin e treguar në një shoqëri patriarkale për të mbajtur bashkë familjen.

Gostia dhe lavdet për gratë e urta dhe të durueshme duhet të marrë fund për t’i hapur rrugën debatit dhe masave reale që do të fuqizojnë vajzat për t’i nxjerrë ato nga horizontet e ngushta të prindërve që e lidhin moshën e re me martesën apo për t’i shpëtuar nga lajmërimet “shitëse me eksperiencë” ose “vajza promocioni të paraqitshme” – duke u dhënë një rol po aq të rëndësishëm në vendimmarrje sa dhe burrat.

Na mbetet akoma për të parë shembuj pozitivë të arritjeve dhe potencialit të grave shqiptare dhe këtu më shumë se kurrë i takon medias të bëjë rolin e saj në promovimin e grave dhe vajzave siç janë realisht: po aq të afta për çdo sferë.

Përkundrejt përgëzimit të kryebashkiakut për gratë që e përmbushin rolin e pastrimit dhe paralajmërimit të një feste të ardhshme më 8 Mars, ka megjithatë të paktën tre lajme të tjera të gëzueshme.

Organizatat në mbrojtje të grave kanë paralajmëruar se më 8 Mars do të organizojnë një marshim për të drejtat e grave dhe vajzave që do të nisë në orën 10 në sheshin Skënderbej.

Po ashtu, në të njëjtën ditë një grup aktivistësh do të organizojnë bashkë me ambasadën Suedeze dhe portalin Historia Ime një iniciativë të mbylljes së hendekut gjinor në internet për të shtuar informacionin në shqip për figurat e njohura të grave dhe vajzave në tre qytete të vendit.

Dhe së fundmi, një grup vajzash kanë vendosur të sensibilizojnë për të drejtat e grave më 8-Mars duke mbledhur vullnetarisht libra nga qytetarët. Libra të cilët do t’ia dhurojnë grave të cilat aktualisht vuajnë dënimin në burgjet shqiptare me qëllimin e fuqizimit të tyre përmes dijes.

Me bindjen se roli i grave në Shqipëri kërkon një punë të vazhdueshme dhe të palodhur për t’u konsoliduar në përmasa të barazisë dhe larg paragjykimit, shpresoj që planet e festimit të 8-Marsit të kthehen në plane për ta shënjuar 8-Marsin me aktivitete frymëzuese.