Analize8 Sep 2020

Si të (mos e) luftojmë COVID-19

Ekspertët e shëndetit publik që u përmbahen rregullave të vjetruara për të frenuar pandeminë po pengojnë teknologjitë e reja që mund të na ndihmojnë të zhvillojmë një qasje më fleksibël. Duke u përqendruar tek ata që e kanë më të lartë rrezikun e përhapjes së virusit, ne mund të shkaktojmë më pak dëm dhe mund ta frenojmë pandeminë në mënyrë më efikase.

Autor: Peter Singer, Joanna Masel Project Syndicate Melburn, Tukson
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Kur COVID-19 u shfaq për herë të parë, kërkesat strikte për karantinë dhe izolime të rrepta dhe të shkurtra do të kishin qenë një çmim i vogël për t’u paguar për ta mbajtur atë sa më larg. Tani që pandemia ka infektuar më shumë se 27 milion njerëz në 213 vende dhe territore të botës, ne duhet të gjejmë mënyra të reja për ta vënë atë nën kontroll, të cilat nuk janë thjesht efektive, por edhe efikase.

Për të shmangur më shumë dhimbje sesa është e nevojshme, ne duhet të urdhra qëndrimi në shtëpi, sa më të sakta që është e mundur, për ata që kanë më shumë gjasa të paraqesin rrezik për të tjerët. Kjo kërkon jo vetëm gjurmimin e kontakteve të atyre që janë të infektuar, por edhe dallimin se cili nga kontaktet e tyre ka më shumë të ngjarë të jetë infektuar.

Për këtë mund të na ndihmojë teknologjia. Ne duhet të kombinojmë aplikacione të reja që njoftojnë njerëzit kur ata kanë qenë të ekspozuar ndaj një rreziku infektimi me metoda të reja testimi që janë të shpejta, të lehta dhe aq të disponueshme sa janë testet e shtatzënisë. Gjurmimi i kontaktit nuk mund të funksionojë pa pasur rezultate të shpejta të testimit të kryer, por ai mund të funksionojë mirë edhe nëse testet më të shpejta nuk janë aq të sakta sa ato që kemi tani. Aplikacionet mund të përmirësojnë jo vetëm shkallëzimin e gjurmimit të kontaktit, por gjithashtu, tepër e rëndësishme, edhe shpejtësinë e kësaj.

Gjurmimi i kontakteve, qoftë i kryer manualisht apo nëpërmjet ndonjë aplikacioni, rekomandon karantinë për kontaktet e ngushta të atyre që janë pozitivë për COVID-19. Në Shtetet e Bashkuara, rregullat e nxjerra nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thonë se nëse kaloni 15 minuta më afër se 1.8 metra me një person gjatë periudhës që ai/ajo mund të infektojë me COVID-19, pasi ka rezultuar pozitiv për këtë të fundit, atëherë duhet t’i nënshtroheni një karantine 14-ditore. Sipas këtyre rregullave, ne mund të presim mesatarisht 59 kontakte të ngushta për një person të infektuar. Ekziston mundësia që 2% e banorëve të SHBA-së sot të jenë të infektuar. Këtë shumëzojeni me 59 dhe shumica e njerëzve në SHBA që nuk po qëndrojnë tashmë në shtëpi, do të duhet të futen në karantinë.

Por viruset nuk u binden rregullave të thjeshtuara të CDC-së. Rrezikoni shumë më pak duke qëndruar 15 minuta 1.5 metra larg një personi kur ai është drejt fundit të periudhës që mund të infektojë të tjerë, sesa po të kaloni tetë orë 2.1 metra larg tij/saj në kulmin e periudhës së tyre infektuese.

Në Arizona, Covid Watch po eksperimenton një aplikacion të ri që kërkon të vlerësojë me saktësi rrezikun e infeksionit, sesa të riprodhojë rregullat e CDC-së. Aplikacioni rekomandon karantinë vetëm për ata mbi një nivel të caktuar rreziku dhe do t’u tregojë atyre, në një mënyrë krejtësisht private, sa kohë të qëndrojnë në shtëpi dhe kur të testohen.

Karantina 14-ditore nuk ka asgjë magjike. Nëse nuk keni simptoma pesë ditë pasi jeni ekspozuar ndaj virusit, rreziku juaj përafërsisht përgjysmohet. Rreziku juaj gjithashtu bie (por jo në zero), nëse testi juaj rezulton negativ, por vendet ku të gjithë personat e karantinuar janë testuar po përdorin të njëjtin rregull 14-ditor me ata që nuk bëjnë testin. Nëse, në vend të kësaj, i lëmë njerëzit të dalin nga karantina kur rreziku i tyre bie nën pragun që ne përdorim për të vendosur se kush duhet të hyjë në të, ne mund të arrijmë siguri më të madhe me kosto më të ulët për individët dhe ekonominë.

Pragu për karantinën mund të varet nga vendi ku jeni. Australia dhe Zelanda e Re kanë relativisht pak raste dhe synojnë të shkojnë në zero sa më shpejt të jetë e mundur. Ato mund të kenë pragje më të rrepta, duke i futur njerëzit në karantinë edhe për ekspozime edhe më të shkurtra sesa 15 minuta dhe duke kërkuar ose rezultate të shumta negative testimi ose karantina më të gjata pas ekspozimesh më të rrezikshme. Në vendet e goditura më shumë nga virusi, shumë rekomandime karantine jo vetëm që mund të shkaktojnë dëm të tepruar ekonomik dhe psikologjik, por mund edhe të dëmtojnë ndjeshëm mbështetjen e publikut të nevojshme që rregullat të jenë efektive.

Sa herë që përmendet teknologjia e gjurmimit të kontaktit, njerëzit ngrenë shqetësime rreth privatësisë. Aplikacionet e reja që përdorin sistemin Google-Apple duhet ta qetësojnë këtë shqetësim, sepse ata kanë shpikur një mënyrë për t’ju paralajmëruar për një ekspozim të rrezikshëm pa qenë e nevojshme që informacionet se kë keni takuar të dalin ndonjëherë nga telefoni juaj.

Shqetësimi ynë për kompani si Apple është i ndryshëm. Për ta bërë të vështirë që përdoruesit të parashikojnë se kush i ka vënë ata në rrezik, versionet e njëpasnjëshme të ndërfaqes së programimit të aplikacionit (API) të kontrolluara nga Apple dhe Google kanë kufizuar kohëzgjatjen maksimale të regjistruar të kontaktit dhe më pas kanë kufizuar sasinë e informacionit në dispozicion për të përcaktuar sasinë e infektivitetit. Kjo redukton aftësinë e aplikacionit për të bërë dallimin midis kontakteve me rrezik më të ulët dhe të atyre me rrezik më të lartë.

Këto përparësi të gabuara vendosin humbjen e mundshme dhe të kufizuar të privatësisë mbi nevojën për të synuar rekomandimet për karantinë. Ekziston një detyrim moral për të kufizuar dëmet nga karantina, si dhe për të ndalur përhapjen e një virusi që, nëse nuk kontrollohet në mënyrë efektive, do të shkaktojë qindra mijëra viktima të tjera dhe do të zgjasë izolimet, me të gjitha vështirësitë që do të sillte kjo gjë për miliarda njerëz. Rezultate të tilla bëhen më të mundshme nëse karantina rekomandohet pa kriter dhe pajtueshmëria bie si rezultat i kësaj.

Në një pandemi që vazhdon të përhapet gjithnjë e më shpejt, ne duhet të jemi gati t’i ndryshojmë rregullat shpejt në përputhje me kushtet lokale, provat më të fundit epidemiologjike dhe zhvillimin e teknologjive të reja që na ndihmojnë të zvogëlojmë përhapjen e virusit. Ekspertët e shëndetit publik të cilët u përmbahen rregullave të vjetruara, ose, siç ndodh në Zvicër, që madje i kthejnë ato në ligje, po pengojnë teknologjitë e reja që mund të na ndihmojnë të zhvillojmë një qasje më fleksibël. Duke u përqendruar tek ata që e kanë më të lartë rrezikun e përhapjes së virusit, ne mund të shkaktojmë më pak dëm dhe mund ta frenojmë pandeminë në mënyrë më efikase.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. How (Not) to Fight COVID-19