Islanda është e nderuar që ndodhet në krye të Raportit të Hendekut Gjinor të World Economic Forum dhe si kryeministre e këtij vendi, shpesh më pyesin për progresin e Islandës dhe për mënyrën se si kemi arritur këtu ku jemi. Megjithatë, rrallë më pyesin se ku duhet të shkojmë që këtu ku jemi dhe se çfarë mund të bëjmë më mirë.
Duhet të theksohet se vendet nordike zinin katër nga pesë vendet kryesore të indeksit në vitin 2017. Kjo nuk është rastësi. Vendet nordike janë të gjitha shtetet me mirëqenie dhe mbështetja për politikat sociale universale përgjithësisht është e lartë dhe politika të tilla janë elementi kryesor për të ndërtuar shoqëri që funksionojnë për gratë.
Solidariteti dhe ndryshimi social i grave
Lëvizja e grave ka qenë efikase dhe e organizuar në të gjitha vendet nordike. Në Islandë, gratë kanë treguar vazhdimisht solidaritet të jashtëzakonshëm nëpërmjet ditës së pushimit për gratë, e cila në vitin 1975 tërhoqi 90 për qind të grave në Islandë të cilat refuzuan të punonin atë ditë. Kjo nxori në pah të gjitha detyrat e dukshme dhe të padukshme, të paguara dhe të papaguara që gratë kryejnë çdo ditë, kudo dhe krijojnë bazat e komuniteteve tona. Kjo ditë ishte fillimi i një lëvizjeje të madhe dhe të fuqishme që solli ndryshim të madh social në Islandë.
Solidariteti që solli lëvizja e grave islandeze në vitet 1970 dhe 1980 hodhi themelet për politikat e mirëqenies që kanë çliruar gratë në vend në shumë mënyra. Brezi im ka lindur në një atmosferë ku gratë ishin të çliruara. Kur ishim të vegjël ne rrethoheshim nga shumë shembuj për t’u ndjekur, ku gratë zinin më shumë hapësirë në shoqëri sesa kishin pasur ndonjëherë më parë. Gratë po marshonin në rrugë dhe u zgjodh presidentja e parë femër, Vigdis Finnbogadóttir. Për ne, kjo do të thoshte se nuk ishim të detyruara të zgjidhnim midis të pasurit një familje apo një karrierë; një zgjedhje me të cilën përballen shumë gra në shumë vende, duke kufizuar pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe qasjen e tyre në vendimmarrje.
Kujdesi për fëmijët dhe leja e lindjes
Në këtë kontekst vlen të përmenden dy politika publike. Së pari, kujdesi universal dhe i cilësisë së lartë për fëmijët transformoi mundësitë e grave për të marrë pjesë në ekonomi dhe në shoqëri në përgjithësi. Ndërsa gratë vazhdojnë të mbajnë pjesën më të madhe të barrës së rritjes së fëmijëve, shpenzimet e kujdesit për fëmijët i pengojnë gratë anembanë botës që t’i bashkohen ose ribashkohen tregut të punës dhe/ose të marrin pjesë në politikë.
E dyta, leja e përbashkët dhe e mirëpaguar prindërore trajton diskriminimin sistematik që kanë vuajtur gratë në punë, vetëm për shkak të mundësisë se ato mund të kenë fëmijë. Nëse burrat edhe burrat mund të marrin një pushim në punë për t’u kujdesur për fëmijët, ky diskriminim strukturor zvogëlohet.
Shumë politikane femra në Islandë s’do të kishin mbërritur kurrë këtu ku janë sot, po të mos ishte për përkujdesin e fëmijëve dhe lejen e lindjes. Unë jam një shembull i shkëlqyer i kësaj. Dhe në këtë kuptim, qeveritë dhe parlamentet mund ta udhëheqin këtë rrugë duke miratuar politika që kanë treguar se lidhin hendeqet gjinore, sesa t’i zmadhojnë akoma më shumë atë.
Asnjë vend nuk ka eliminuar dhunën kundër grave
Megjithatë, pavarësisht progresit të Islandës, pabarazitë strukturore janë ende të vazhdueshme në vend. Lëvizja #metoo e kohëve të fundit nxori në pah ngacmime sistematike, dhunë dhe seksizëm të përditshëm të cilit i nënshtrohen gratë në të gjitha nivelet e shoqërisë islandeze. Për më tepër, lëvizja zbuloi diskriminimin e shumëfishtë që pësojnë emigrantet femra në një vend që gjatë gjithë historisë ka qenë relativisht etnikisht homogjen.
Ende mbetet alarmante që asnjë vend në botë nuk ka arritur të gjejë mënyra për të eliminuar dhunën kundër grave. Dhuna ndaj grave është si shkak, ashtu edhe pasojë e pabarazisë së grave.
Deri më sot, Indeksi i Hendekut Gjinor nuk mat dhunën kundër grave dhe këtë nuk e bën as ndonjë indeks i ngjashëm. Për të qenë të sigurt, dhuna është e vështirë të matet. Raportet e policisë tregojnë vetëm gjysmën e historisë dhe përkufizimet zyrtare dhe shoqërore të asaj që llogaritet si dhunë mund të ndryshojnë midis kulturave. Megjithatë, një lloj krahasimi me normat e dhunës kundër grave, pa dyshim, do të vinte në presion të mëtejshëm qeveritë për të rritur lojën e tyre për të eliminuar ato shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut.
Një pjesë e zgjidhjes: Forumi Global Gratë Lidere
Këtë vit dhe në tre vitet në vazhdim, qeveria dhe parlamenti i Islandës do të shërbejnë si bashkë-organizatorë të Forumit Global Gratë Lidere (WLGF) bashkë me Gratë Lidere Politike (WPL). Ky forum unik mbledh bashkë gra nga politika, bizneset, akademia dhe shoqëria civile për të ndarë ide dhe zgjidhje që do të ndihmojnë në ndërtimin e shoqërive më të mira dhe për të promovuar barazi gjinore. Ai mund të shërbejë si një platformë për të eksploruar mënyra për të reduktuar më tej pabarazitë gjinore në të gjithë botën. Sepse për sa kohë që ka një ndryshim të rëndësishëm në pozicionin e grave në skaje të ndryshme të botës, natyra e diskriminimit që pëson gruaja është e ngjashme.
Ka ende punë për të bërë dhe ne nuk duhet të ndalemi në luftën për barazinë e grave, edhe pse arrijmë momente historike. Indeksi i Hendekut Gjinor, edicioni i vitit 2018 i të cilit do të prezantohet muajin e ardhshëm, duhet të shërbejë si një inkurajim që ne të gjithë të bëjmë më shumë. Duke mësua nga njëri-tjetri dhe duke ndarë eksperienca, besoj se mund t’i afrohemi akoma më shumë qëllimit tonë.
Si kryeministre e Islandës, kam thellësisht e angazhuar të ndërtoj një botë ku gratë janë të lira të arrijnë potencialin e tyre të plotë, në dobi të të gjithëve.
Marrë me autorizim nga Weforum.org.