Analize20 Feb 2017

Si t’i mbijetojmë epokës Trump

Pa u mbushur ende një muaj, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ia ka dalë të shkaktojë kaos dhe pasiguri - dhe një shkallë frike e cila do ta bënte çdo terrorist krenar - me një ritëm trullosës. Ndërsa shumica e zyrtarëve të zgjedhur zakonisht dëshirojnë të jenë të hapur ndaj të gjithë njerëzve, Trump i ka hequr të gjitha dyshimet mbi atë që ai dëshiron të jetë.

Autor: Joseph E. Stiglitz Project Syndicate Nju Jork
Printo

President Donald Trump, flanked by Commerce Secretary-designate Wilbur Ross, left, and Harley Davidson President and CEO Matt Levatich, talks to media before a lunch meeting with Harley Davidson executives and union representatives in the Roosevelt Room of the White House in Washington, Thursday, Feb. 2, 2017. (AP Photo/Carolyn Kaster)

Presidenti Donald Trump, më 2 shkurt 2017. (AP Photo/Carolyn Kaster)

Pa u mbushur ende një muaj, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ia ka dalë të shkaktojë kaos dhe pasiguri – dhe një shkallë frike e cila do ta bënte çdo terrorist krenar – me një ritëm trullosës. Nuk është surprizë që qytetarët dhe udhëheqësit në biznes, shoqëri civile dhe qeveri po vuajnë për t’iu përgjigjur siç duhet dhe në mënyrë efikase veprimeve të tij.

Çdo ide se si mund të ecet përpara, aktualisht është thjeshtë një ide e përkohëshme, për shkak se Trump nuk ka dhënë ende asnjë detaj mbi ligjet që propozon ndërsa Kongresi e gjykatat nuk i janë përgjigjur në tërësi dallgës së urdhërave ekzekutivë të tij. Por pranimi i pasigurisë së krijuar nuk duhet të konsiderohet si një justifikim për qëndim mohues.

Përkundrazi, tashmë është e qartë se ajo që Trump thotë apo shkruan në Twitter duhet të merret seriozisht. Pas zgjedhjeve të nëntorit, pothuajse të gjithë shpresuan se ai do të braktisë ekstremizmin që karakterizoi fushatën e tij. Natyrisht, mendohej, ky mjeshtër i irealitetit do të veshë një person të ndryshëm pasi ai mori përgjegjësinë e jashtëzakonshme të atij që konsiderohet si pozicioni më i fuqishëm në botë.

Diçka e ngjashme ndodh me çdo president të Shteteve të Bashkuara; pavarësisht nëse ne votuam për një president të ri, ne projektojmë mbi të imazhin që ne kemi mbi atë që dëshirojmë të kemi për president. Por, ndërsa shumica e zyrtarëve të zgjedhur hapin krahët dhe përpiqen të pranohen nga të gjithë njerëezit, Trump nuk ka lënë vend për dyshime mbi atë që ai ka thënë: ndalim të imigrimit të myslimanëve, një mur në kufi me Meksikën, rinegocim të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, anulim të reformave financiare Dodd-Frank të vitit 2010 dhe çdo gjë tjetër që edhe mbështetësit e tij nuk e kanë pëlqyer.

Unë, me raste kam kritikuar disa aspekte të caktuara dhe politika të ekonomisë dhe rendit të sigurisë që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, bazuar në Kombet e Bahskuara, NATO, Bashkimin Europian dhe një rrjetë institucionesh e marrëdhëniesh të tjera. Por ka një dallim të madh mes përpjekjeve për të reformuar këto institucione e marrëdhënie në mënyrë që ato t’i shërbejnë botës më mirë, dhe një axhende që synon t’i shkatërrojë ato nga themelet.

Trump e sheh botën në kushtet e një loje me rezultante finale zero. Në të vërtetë, globalizimi, nëse menaxhohet mirë, është një forcë nga e cila përfitojnë të gjithë: Amerika përfiton në rast se miqtë dhe aleatët e vet – qoftë Australia, BE-ja apo Meksika fuqizohen. Por përqasja e Trump kërcënon ta kthejë globalizimin në një lojë nga e cila humbasin të gjithë: Amerika do të humbasë gjithashtu.

Kjo përqasje qe e qartë që nga fjalimi i tij i pranimit të detyrës, në të cilin ai përsëriti deklaratat “Amerika e para,” bashkë me tonalitetet e veta që i japin jehonë historike fashizmit, konfirmoi angazhimin e tij për skemat e tij më të shëmtuara. Administratat e mëparshme kanë marrë gjithmonë seriozisht përgjegjësinë e tyre në përparimin e interesave të SHBA-ve. Por politikat që ata kanë ndjekur zakonisht kanë qenë të përkufizuara nga një të kuptuar iluminist të interesit k ombëtar. Amerikanët, besonin ata, përfitojnë nga një ekonomi botërore në rritje dhe një rrjet aleancash mes vendeve të angazhuara për demokraci, të drejta njerëzore dhe sundim të ligjit.

Nëse aktualisht ka ndonjë element që na jep shpresë aktualisht është shfaqja e ndjesisë se bota ka nevojë për më shumë solidaritet mbi vlerat themelore të tilla si toleranca dhe barazia, të qenit të ndërgjegjshëm për rrezikun e vazhdueshëm të fanatizmit dhe mizogjinisë, qofshin këto të hapura apo të fshehta, të cilat Trump dhe skuadra e tij i mishërojnë. Dhe ky solidaritet është aktualisht në shkallë botërore dhe Trump e aleatët e tij përballen me refuzim dhe protesta nëpër të gjithë botën demokratike.

Në SHBA, Bashkimi Amerikan për Liritë Civile, (ACLU sipas akronimit në anglisht) pasi parashikoi se Trump do të dëmtojë menjëherë të drejtat individuale, ka demonstruar se është i përgatitur si kurrë më parë në mbrojtjen e parimeve kyçe kushtetuese, të tilla si procesi i rregullt gjyqësor, mbrojtja e barabartë dhe neutraliteti i shtetit përballë religjoneve. Dhe, në muajin e kaluar, amerikanët mbështetën ACLU me miliona dollarë donacione.

Në mënyrë të ngjashme, nëpër të gjithë vendin, kompanitë, punëtorët dhe konsumatorët kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me drejtorët ekzekutivë dhe anëtarët e bordeve të cilët mbështesin Trump. Në të vërtetë, si një grup, udhëheqësit e korporatave në SHBA dhe investitorët janë bërë ndihmues të Trump. Në Takimin Vjetor të këtij viti të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, shumë prej tyre u kënaqën nga premtimet e Trump për të ulur taksat dhe për të derregulluar tregjet, ndërkohë që injorojnë fanatizmin e tij – aq sa nuk e përmendën fare problemin tjetër në një takim, të vetmin që unë ndoqa në këtë forum – proteksionizmin.

Edhe më shqetësues qe mungesa e kurajës: qe e qartë se shumë prej atyre që qenë të shqetësuar mbi sjelljen e Trump qenë gjithashtu të frikësuar të flisnin hapur, për shkak se ata (dhe çmimet e aksioneve të kompanive të tyre) mund të goditeshin nga Trump me ndonjë koment në Twitter. Frika e gjithëpërhapur është një tipar i njohur i regjimeve autoritare dhe ne tashmë po shohim frikë në SHBA për herë të parë në jetën time.

Për rrjedhojë, rëndësia e sundimit të ligjit, një herë e një kohë një koncept paksa abstrakt për shumë amerikanë, është bërë konkret. Sipas rregullave të sundimit të ligjit, nëse qeveria dëshiron të parandalojë kompanitë që dëshirojnë të dërgojnë asete prodhuese jashtë vendit apo kapitale në parajsa fiskale, ajo duhet të miratojë rregulla dhe të krijojë incentivat e përshtatshme për të diskurajuar sjelljen e padëshiruar. Nën sundimin e ligjit, qeveria nuk mundet të frikësojë apo kërcënojë kompani të caktuara apo të paraqesë refugjatë të traumatizuar si kërcënim për sigurinë.

Mediat më të rëndësishme në Amerikë, të tilla si The New York Times dhe The Washington Post, kanë refuzuar deri tani të pranojnë si normale mohimin e vlerave amerikane nga Trump. Nuk është normale që SHBA të ketë një president që refuzon të pranojë pavarësinë e gjyqësorit; që zëvendëson zyrtarët më të lartë të ushtrisë dhe të shërbimeve të inteligjencës në thelb të politikëvërjes kombëtare të sigurisë me fanatikë të medias së ekstremit të djathtë; dhe, në përballje me testin më të fundit të raketës balistike nga Koreja e Veriut, promovon sipërmarrjet e biznesit të vajzës së tij.

Por kur ne bombardohemi vazhdimisht nga ngjarjet dhe vendimet që janë përtej të imagjinueshmes, është e lehtë të mpihesh nga frika dhe të fillosh të mendosh për abuzime të mëtejshme të rënda me pushtetin apo telashet edhe më të mëdha që mund të vijnë. Një nga sfidat kryesore të kësaj epoke të re është që të ruhet vigjilenca dhe, kurdo që të jetë e nevojshme, të rezistohet.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. How to Survive the Trump Era

  • GCN Intensifies

    Ngelët duke përkthyer analizat e këtyre çifuteve radikal të majtë.
    Kaosi dhe pasiguria ka ekzistuar por mediat e kanë injoruar deri më sot.
    Në Suedi imigracioni i pa kontrolluar ka sjell një epidemi përdhunimesh.