Ndërtimet shumëkatëshe të realizuara gjatë dy dekadave të fundit e kanë mbuluar me beton peizazhin natyror të qytetit të Durrësit.
Ajo nuk mund të shihet më si vite më parë, kur mjaftonte një shëtitje pranë hotel “Vollgës” për tu shoqëruar nga imazhet e godinave dhe objekteve që dëshmojnë ende historinë e Durrësit: Fari i qytetit (1957); kulla mesjetare Anzhuine; Vila e Zogut (1937) apo muret fortifikuese të ndërtuara ndër shekuj, që të gjitha mbi kodër.
Tashmë mes tyre dhe shëtitores “Taulantia” është ngritur një gardh me pallate nga 12 deri në 27 kate.
Gjithçka ndodhi në më pak se 20 vjet, dhe bashkë me shumëkatëshet që ndajnë rigorozisht detin nga kodra dhe simbolet historike të saj, barriera prej betoni pengon edhe drejtimin e erërave që fryjnë në qytet.
“Trëndafili i erërave” që kishte orientuar ndër dhjetëvjeçarë urbanistët për ndërtimin e akseve rrugore kryesore dhe dytësore, jo vetëm që nuk monitorohet por nuk i vlen më askujt.
Qyteti bregdetar që ka qindra biznese dhe mbi 230 mijë banorë, pas supergodinave të ngritura në çdo anë ventilohet gjithnjë e më keq.
Por le të kthehemi te marrëdhënia e Durrësit me kodrën mbi shpatullat e tij.
Askush nuk mund të shohë më si dikur nga shëtitorja “Taulantia” flakërimat me pauza ndriçimi të Farit, që i shërben hyrjes dhe daljes së anijeve në portin më të madh të vendit.
Ndërsa ata që vendosin ti afrohen kullës duhet të përballen me gardhet e shtëpive private, të ndërtuara shumë pranë tij.
Godina simbol e Vilës, varianti i parë i së cilës u ndërtua në vitin 1926 e ka humbur me kohë të drejtën e prezantimit në distancë.
Tashmë mes pallateve që kanë ndërprerë çdo komunikim me kodrën, shikimi I vizitorit duhet të jetë me fat të gjejë ndonjë shteg për ta shijuar pamjen e banesës me arkitekturë të rrallë, e cila në vitin 1997 u dëmtua rëndë nga keqbërësit.
Një nga pallatet buzë detit vitet e fundit mund të krenohet se ka të njejtën lartësi me godinën mbretërore të ngritur në kuotën 98 metra.
Pallatet shumëkatëshe në Durrës nisën të ndërtohen masivisht në fillim të viteve 2000, atëhere kur qyteti me 80 mijë banorë po i drejtohej 3-fishimit të popullsisë së tij.
Një pjesë e ndërtimeve u justifikuan me kërkesën e lartë për banim, por edhe numri i apartamenteve shumë shpejt e tejkaloi atë të nevojave fillestare.
Pjesa më e preferuar për ndërtime mbetet ajo mes kodrës dhe detit, një zonë ku më parë mbizotëronte gjelbërimi.
Mjaftuan 20 vjetët e shekullit të ri për proçesin e shpyllëzimit masiv dhe për mbjelljen e pallateve, që kanë zënë vend në rrëpirën e kodrës.
Parku i dikurshëm mbi qytet emërtohej “Rinia” dhe nuk kishte shumë salltanete: disa bisedka me tenda prej kashte; një ujvarë artificiale që derdhej në një kanal me faqe gurësh zalli bardhë e zi; një barrake që shërbente si banak për ata që dëshëronin qofte dhe birrë, të vetmet asortimente që ofronte ndërmarrja e ushqimit social (NTUS); por me gjithë mangësitë e shërbimeve në kodër nuk mungonte asnjëherë hija e pishave gjithnjë të gjelbëruara.
Vendin e nostalgjisë e kanë zënë prej vitesh një grup pallatesh 12-katëshe mbi rrëpirën e kodrës, pa folur për dhjetra banesa private, një pjesë e të cilave vijojnë të jenë në proces legalizimi.
Zhurma e betonierave të kujton edhe katër godina të tjera që po ngrihen ngjitur me to.