Skeda5 Jun 2019

Skeda e deklaruar e pasurisë –Ened Nakuçi –kandidat për SPAK

Prokurori i Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi, i cili kandidon edhe për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Prokurori i Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi, i cili kandidon për një vend në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, do të përballet të enjten më 6 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.  Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Nakuçin përbëhet nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia.

Ened Nakuçi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si prokuror i Prokurorisë së Tiranës. Në vitin 2003, ai është emëruar Prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë prej 16 vitesh. Nakuçi është një ndër 25 kandidatët që po vazhdojnë garën për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, e cila njihet më së shumti me akronimin e saj SPAK.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Ened Nakuçi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se deklaruar nga prokurori i Krimeve te Renda, Ened Nakuçi per vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Ened Nakuçi zotëronte pasuri familjare me vlerë 2.8 milionë lekë në vitin 2003; kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij është dhjetëfishuar, duke kapur vlerën e 29 milionë lekëve. Pasuritë e patundshme përbëjnë zërin kryesor me vlerë të deklaruar prej 20 milionë lekësh. Referuar analizave cilësore të deklaratave, Nakuçi zotëron familjarisht dy apartamente në Tiranë, ndërkohë që bashkëshortja deklaron pjesë takuese te një apartament i përfituar nga familja e saj përmes privatizimit.

Ai zotëron gjithashtu familjarisht likujditete bankare prej 2.8 milionë lekësh, automjete me vlerë 4.5 milionë lekë dhe kursime të akumuluara në cash prej 1.5 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 40.4 milionë lekë. Të ardhurat me burim nga paga e prokurorit zënë 51%, ndërsa të ardhurat nga paga e bashkëshortes përbëjnë 41% të totalit. Të ardhura në përqindje të vogël janë siguruar nga mësimdhënia, dhurata në cash nga prindërit si dhe nga fitimi i shitjes së pasurive.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.

Megjithatë, nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë u identifikua si “flamur i kuq” marrja e 10 mijë dollarëve hua nga familjarët në vitin 2004 për të paguar blerjen e një apartamenti. Prokurori Nakuçi nuk rezulton t’i ketë shlyer huatë deri në fund të vitit 2017.

Një tjetër “flamur i kuq” lidhet me deklarimin në vitin 2016 të bashkëshortes së subjektit, që zotëron pjesë takuese prej 25% në apartamentin e prindërve, i rivlerësuar në vlerën 9.3 milionë lekë. Ndonëse thekson se kjo pronësi është deklaruar nga bashkëshorti më parë, pjesa takuese mbi këtë apartament nuk rezulton në asnjë prej deklarimeve të mëparshme.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë për vitit 2003

Deklarata e pasurise për vitit 2004

Deklarata e pasurisë për vitit 2005

Deklarata e pasurise për vitit 2006

Deklarata e pasurisë për vitit 2007

Deklarata e pasurisë për vitit 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al