Kryebashkiaku Adem Lala deklaron si shtesë pronësie vetëm dy automjete në 10 vjet, ndërkohë që rezulton me diferenca negative në vitet 2011 dhe 2013.Pas dy mandatesh si kryetar i komunës Golaj, Adem Lala u zgjodh kryetar i bashkisë së Hasit në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015. Ai fitoi me 52.98% të votave si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Adem Lala është ushatarak në profesion, pasi ka përfunduar shkollën e mesme “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake në vitin 1989. Në vitet 2010-2013, ai ka kryer edhe studime part-time për Juridik.
Lala ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura gjatë viteve 1989-2001. Ai drejtoi komunën e Golajt 2001-2003 dhe pas përfundimit të mandatit u angazhua në aktivitet privat. Ai u kandidua sërish në vitin 2007 nga koalicioni PS-LSI dhe mori në mandat të dytë në krye të komunës Golaj.
Gjatë viteve 2011-2013, Lala ka mbajtur postin e përgjegjësit të administratës në bashkinë e Krumës, ndërsa në vitet 2013-2015 ka qenë drejtor i degës rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Kukës. [Lexo CV-në e plotë]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga kryebashkiaku i Hasit nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Kryebashkiaku i Hasit zotëronte pasuri familjare me vlerë 2 milionë lekë në vitin 2007-kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI. Ai deklaronte një apartament në Krumë të blerë për 2 milionë lekë si dhe 500m2 tokë në Kamëz, të blerë për 90 mijë lekë në vitin 1996.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Z.Lala është 2.6 milionë lekë. Ai nuk deklaron ndryshime në pasurinë e paluajtshme, ndërkohë që ka shtuar dy automjete me vlerë rreth 536 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën 2007-2017 janë 10.9 milionë lekë. Rreth 67% burojnë nga paga e Z.Lala, ndërsa mbi 28% nga paga e bashkëshortes.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 10 vite të deklarimit, nga të cilat dy deklarata rezultojnë me probleme.
Të dhënat e analizuara tregojnë se kryebashkiaku Lala nuk justifikon me burimet financiare të deklaruara shtesën e pasurisë për vitet 2011 dhe 2013. Në vitin 2011, ai rezulton me diferencë negative prej 25 mijë lekësh, pa llogaritur këtu shpenzimet e konsumit familjar.
Ndërsa në vitin 2013, kryebashkiaku i Hasit rezulton me diferencë negative prej 420 mijë lekësh. Ai rezulton të ketë blerë një automjet prej 3 mijë eurosh në vitin 2013, ndërkohë që nuk deklaron asnjë të ardhur të tij apo të bashkëshortes.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al