Skeda10 Oct 2018

Skeda e pasurisë së deklaruar – Adnan Xholi, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Xholi do të përballet me procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve më 11 tetor 2018. Kjo është pasuria e tij familjare deri në vitin 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Adnan Xholi do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të enjten më 11 tetor 2018. Ai është prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme që nga viti 2013. Më herët ai ka punuar si prokuror i prokurorisë së krimeve të rënda. Trupa gjykuese e vetingut drejtohet nga Brunilda Bekteshi, Valbona Sanxhaktari dhe Suela Zhegu.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Adnan Xholi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

 

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Adnan Xholi ka deklaruar një pasuri familjare me vlerë 300 mijë lekë në vitin 2003, viti i parë i deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë. Referuar deklaratës së parë, Xholi nuk dispononte prona të patundëshme ndërsa pasuria e tij përbëhej nga një autoveturë me vlerë 300 mijë lekë e siguruar me të ardhurat nga paga.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Prokurorit Xholi ishte 11.9 milionë lekë, me një rritje 40 herë nga deklarimi i parë. Kjo pasuri përbëhet nga një apartament i blerë me kredi në vitin 2005, likujditete në bankë në masën 3.8 milionë lekë dhe likujditete kesh në masën 16 milionë lekë. Xholi disponon edhe automjete me vlerë 1.1 milionë lekë.

Për periudhën deklaruese 2007-2017, Xholi dhe familjarët e tij kanë eklaruar të ardhura totale në masën 27 milionë lekë, nga të cilat, afro 20 milionë lekë janë të ardhurat nga paga të prokurorit dhe 5.7 milionë lekë nga paga e bashkëshortes.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të Prokurorit Xholi dhe të gjitha deklaratat rezultojnë pa probleme.

BIRN ka identifikuar gjithashtu disa “flamur të kuq” si më poshtë: Në vitin 2005, subjekti ka deklaruar kredi në shumën 5 milionë lekë për blerje apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 107 metra katrorë si dhe huamarrje në shumën 5 mijë euro, e cila është shlyer brenda vitit. Në lidhje me apartamentin, subjekti nuk ka deklaruar çmimin e plotë të blerjes – rrjedhimisht si vlerë e apartamentit është marrë totali i kredisë dhe i huamarrjes së vitit 2005.

Në formularin e deklarimit të vitit 2012 mungojnë të ardhurat familjare vjetore. Në vitin 2013 dhe 2015, kursimet familjare kesh janë deklaruar në faqen konfidenciale, ndërkohë që detyrimi ligjor është pasqyrimi i tyre në rubrikën e aseteve – si rrjedhojë ndryshimi i vlerës së likujditeteve kesh ndër vite është i paqartë.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

 

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al