Skeda18 Dec 2018

Skeda e pasurisë së deklaruar-Agron Vavla-kryetar i Gjykatës së Beratit

Kryegjyqtari i Beratit, Agron Vavla do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Beratit, Agron Vavla do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që ka kryer hetimin administrativ për Vavlën përfaqësohet nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja.

Agron Vavla është emëruar gjyqtar në vitin 1995. Pjesën më të madhe të karrierës së tij ai ka punuar gjyqtar në Gjykatën e Beratit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar kryetar gjykate.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Agron Vavla nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë e kryetarit të Gjykatës së Beratit, Agron Vavla nga viti 2003 deri në vitin 2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Vavla zotëronte pasuri me vlerë 370 mijë lekë në vitin 2003. Sipas deklaratës së parë të dorëzuar në ILDKPKI, ai kishte një shtëpi të përfituar nga Enti Kombëtar i Banesave dhe një automjet.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Vavla është rritur me 27 herë dhe kap vlerën e 10.1 milionë lekëve. Ajo përbëhet nga pasuri të paluajtshme me vlerë 6.4 milionë lekë, automjete me vlerë 1.3 milionë lekë, 1.2 milionë llogari bankare dhe rreth 940 mijë lekë kursime në cash. Gjithashtu, bashkëshortja e zotit Vavla zotëron aksione me vlerë 125 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 2004-2017 janë 28.5 milionë lekë. Mbi 90 për qind e të ardhurave kanë si origjinë pagën nga funksioni i gjyqtarit dhe pagat e familjarëve, ndërkohë që 3 për qind e totalit përbëhet nga dhuratat në cash.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi pa probleme për kryetarin e Gjykatës së Beratit.

Por BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” në këtë analizë shpenzimet e larta të familjes Vavla për shkollimin e fëmijëve si dhe dhuratat në cash që të afërmit i kanë dhuruar të birit. Më konkretisht, kryegjyqtari i Beratit ka deklaruar se ka shpenzuar 9.9 milionë lekë për shkollimin e fëmijëve nga viti 2007 deri në vitin 2017.

Sipas deklaratave të tij të pasurisë, një pjesë e shpenzimeve për shkollimin e të birit në SHBA janë financiar me kredi studentore prej 58 mijë dollarësh, marrë në vitin 2017.

Gjithashtu, dhuratat cash nga të afërmit për djalin e gjyqtarit kapin vlerën e 980 mijë lekëve.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al