Skeda10 Apr 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Albina Spaha-kryetare e Gjykatës së Gjirokastrës

Kryetarja e Gjykatës së Gjirokastrës, Albina Spaha do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e deklaruar prej saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e Gjykatës së Gjirokastrës, Albina Spaha do të përballet më 11 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për të përbëhet nga Xhensila Pine, Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko.

Albina Spaha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1998. Ajo ka punuar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Tepelenës dhe në vitin 2008 është emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Në tetor 2016, Spaha u komandua kryetare e Gjykatës së Gjirokastrës pas shkarkimit të kryetarit të mëparshëm, Guximtar Boçi i cili u akuza për një skandal seksual, për të cilin gjykata e nxorri të pafajshëm.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Albina Spaha nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se kryetares se Gjykates se Gjirokastres, Albina Spaha per vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Albina Spaha zotëronte pasuri me vlerë 2.5 milionë lekë në vitin 2003. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e saj është rritur me tetë herë dhe kap vlerën e 20.8 milionë lekëve.

Kryetarja e gjykatës së Gjirokastrës zotëron familjarisht likujditete bankare me 8.8 milionë lekë, kursime të akumuluara në cash prej 5.5 milionë lekësh si dhe një apartament me vlerë 4.3 milionë lekë. Ajo deklaron gjithashtu automjete me vlerë 2 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën 2004-2017 janë 35.8 milionë lekë. Burimi kryesor i të ardhurave është aktiviteti i bashkëshortit si inxhinier ndërtimi, duke zënë 51% të të ardhurave totale, ndërsa të ardhurat nga funksioni i gjyqtares Spaha zënë 41%.

Familja ka siguruar gjithashtu të ardhura nga qiraja në masën 4.5 për qind si dhe të ardhura më të vogla nga interesat bankare dhe një dëmshpërblim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për bashkëshortin.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit të gjyqtares Albina Spaha, nga të cilat njëra prej tyre rezultoi me probleme.

Më konkretisht në vitin 2007, Znj. Spaha rezulton me një diferencë negative prej 647 mijë lekësh, pa llogaritur shpenzimet e konsumit familjar. Në këtë vit, ajo deklaron se kanë blerë një apartament me vlerë 44 mijë dollarë, pa specifikuar burimin e krijimit të kësaj pasurie.

BIRN ka identifikuar gjithashtu si “flamur të kuq” deklarimin e kursimeve cash për vitin 2005 në shumën e 1.2 milionë lekëve, me shënimin se një pjesë e tyre ishin dhënë hua. Subjekti nuk e ka specifikuar shumën e dhënë hua, ndaj vlera e mësipërme i është llogaritur si kursime në cash.

Përgjatë gjithë periudhës deklaruese, kryetarja e Gjykatës së Gjirokastrës deklaron kursime të akumuluara në cash në vlerën e rreth 5.5 milionë lekëve. Kjo shumë është disa herë më e lartë se kufiri i lejuar prej 1.5 milionë lekësh për kursimet jashtë sistemit bankar.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al