Drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit, Alketa Nushi do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2008 deri në fund të vitit 2017.Drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit, Alketa Nushi do të përballet të martën më 25 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Nushin përbëhet nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja dhe Lulzim Hamitaj.
Alketa Nushi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar prokurore në Prokurorinë e Matit. Në janar 2018, Alketa Nushi është komanduar drejtuese e Prokurorisë së Kukësit, detyrë të cilën e kryen aktualisht.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Alketa Nushi nga viti 2008 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurorja Alketa Nushi deklaroi pasuri me vlerë 3 milionë lekë në vitin 2008; kur deklaroi për herë të parë interesat private pranë ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e drejtueses së Prokurorisë së Kukësit është 3.4 milionë lekë.
Pasuria përbëhet nga një apartament me vlerë 3 milionë lekë, 200 mijë lekë kursime në cash dhe 160 mijë lekë likujditete në bankë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 16.4 milionë lekë. Burimi kryesor i të ardhurave është paga nga funksioni i prokurorit me 54%, ndërsa të ardhurat e bashkëshortit nga një biznes privat dhe paga janë 44%. Bashkëshorti i subjektit ka përfituar gjithashtu të ardhura të vogla nga dhuratat në cash të familjarëve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 10 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” mungesën e çmimit të një apartamenti në bashkëpronësi me bashkëshortin, të blerë në vitin 2008 në Tiranë. Znj. Nushi ka deklaruar si burim një kredi bankare prej 25 mijë eurosh për blerjen dhe vlera e apartamentit në këtë analizë është shënuar me 25 mijë euro.
Një tjetër “flamur i kuq” janë dhuratat e deklaruara nga bashkëshorti i subjektit, respektivisht një automjet nga vëllai në vitin 2016 si dhe rreth 151 mijë lekë në total nga vëllezërit në Australi dhe SHBA.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë për vitin 2008
Deklarata e pasurisë për vitin 2009
Deklarata e pasurisë për vitin 2010
Deklarata e pasurisë për vitin 2011
Deklarata e pasurisë për vitin 2012
Deklarata e pasurisë për vitin 2013
Deklarata e pasurisë për vitin 2014
Deklarata e pasurisë për vitin 2015
Deklarata e pasurisë për vitin 2016
Deklarata e pasurisë për vitin 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al