Skeda20 Jan 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Altin Binaj-drejtues i Prokurorisë së Apelit Vlorë

Kreu i Prokurorisë së Apelit të Vlorës, Altin Binaj do të përballet të hënën me vetingun. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Altin Binaj, drejtues i Prokurorisë së Apelit të Vlorës do të përballet të hënën me vetingun. Seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit do të drejtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Xhensila Pine.

Binaj e ka filluar karrierën në institucionin e Prokurorisë në Shqipëri në mesin e viteve ‘90. Ai ka mbajtur postin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës si dhe ka drejtuar prokuroritë e Fierit dhe të Durrësit gjatë viteve 2008-2013.

Në vitin 2013, prokurori Altin Binaj u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kryesoi drejtorinë e hetimit të korrupsionit. Prej vitit 2016, Binaj drejton Prokurorinë e Apelit të Vlorës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Altin Binaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së kreut të Prokurorisë së Apelit Vlorë, Altin Binaj për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Altin Binaj zotëronte pasuri me vlerë 1.4 milionë lekë në vitin 2003, kur deklaroi pasurinë për herë të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Referuar deklaratës së tij të parë, familja Binaj zotëronte një apartament 2+1 në qytetin e Vlorës, një automjet, kursime në cash në vlerën e 1 milion lekëve si dhe një depozitë bankare prej 3 mijë dollarësh.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit Altin Binaj është rritur me 11 herë, duke kapur vlerën e 17.3 milionë lekëve. Pasuritë e paluajtshme përbëjnë zërin kryesor me vlerë 11 milionë lekë. Binaj zotëron edhe likujditete të akumuluara në cash prej 4.7 milionë lekësh, likuiditete në bankë prej 1.2 milionë lekësh si dhe automjet me vlerë rreth 325 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 41.1 milionë lekë. Paga nga funksioni dhe mësimëdhënia e prokurorit Binaj zë rreth 46 për qind të të ardhurave familjare, ndërsa të ardhurat e bashkëshortes nga paga dhe nga ushtrimi i avokatisë zënë rreth 40 për qind. Ndërkohë, rreth 9 për qind e portofolit të të ardhurave buron nga fitimi i shitblerjes së pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi pa probleme për prokurorin Binaj.

Megjithatë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” kursimet e konsiderueshme në cash të akumuluara ndër vite, të cilat e tejkalojnë kufirin ligjor prej 1.5 milionë lekësh.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al