Skeda19 Dec 2018

Skeda e pasurisë së deklaruar-Arben Zefi-kryetar i Gjykatës së Shkodrës

Kryetari i Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që ka kryer hetimin administrativ për Zefin përfaqësohet nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.

Arben Zefi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar prej më shumë se 15 vitesh si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Shkodër dhe prej vitit 2014 është emëruar kryetar i kësaj gjykate.

Në janar 2018, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj kërkoi procedim disiplinor për kryegjyqtarin e Shkodrës, me argumentin se ai nuk kishte dërguar në Tiranë një vendim penal të formës së prerë ndaj kancelarit të Gjykatës së Shkodrës. Zefi u përgjigj asokohe se dënimi i kancelarit i përkiste vitit 2012, ndërkohë që ai e kishte marrë detyrën e kryetarit të gjykatës në vitin 2014.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Arben Zefi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]  

Skeda e pasurisë së kryetarit të Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Zefi zotëronte pasuri me vlerë 3.5 milionë lekë në vitin 2003. Referuar deklaratës së parë të dorëzuar në ILDKPKI, ai zotëronte një apartament me vlerë 1.9 milionë lekë si dhe një autoveturë.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e kreut të Gjykatës së Shkodrës është dyfishuar, duke kapur vlerën e 7.9 milionë lekëve. Pasuria ndahet në një apartament me vlerë 5 milionë lekë, likujditete në bankë prej 1.3 milionë lekësh, rreth 848 mijë lekë kursime cash dhe automjet me vlerë 700 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 2004-2017 janë 29.8 milionë lekë. Mbi 90 për qind e të ardhurave ka si origjinë pagën nga funksioni i gjyqtarit si dhe pagën e bashkëshortes.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik rezulton një deklaratë me diferenca të vogla negative dhe 13 deklarata të tjera pa probleme.

Më konkretisht në vitin 2005, gjyqtari Zefi deklaron se ka blerë një apartament me sipërfaqe 132 metra katrorë me vlerë 5 milionë lekë, për të cilin kishte paguar një vit më parë paradhënie prej 1.5 milionë lekësh dhe 5 mijë dollarësh. Në këtë vit, gjyqtari rezulton me një diferencë negative prej 11 mijë lekësh, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet e konsumit familjar vjetor.

BIRN ka identifikuar gjithashtu si “flamur të kuq” faktin se për të paguar paradhënien për apartamentin, subjekti deklaron se i ka tërhequr likuiditetet nga dy llogari bankare, por ato nuk rezultojnë të deklaruara në vitin 2003.

Ndërsa në vitin 2007, gjyqtari Zefi deklaron se ka marrë një kredi bankare prej 50 mijë eurosh, por nuk ka dhënë arsye për objektin e kësaj kredie dhe përdorimin e saj.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al