Sipas kontrollit aritmetik – logjik të deklaratave të pasurisë, kryetari në largim i bashkisë Shijak, Ardian Kokomani nuk rezulton me pasuri të pajustifikuar gjatë karrierës së tij.
Ardian Kokomani u zgjodh kryetar i bashkisë së Shijakut në vitin 2015-të si përfaqësues i Partisë Socialiste me 58.40% të votave.
I lindur në Shijak në vitin 1967, Kokomani është diplomuar në Akademinë e Rendit Publik në vitin 1999. Ai ka punuar si oficer policie me detyra të ndryshme në qarkun e Korçës si dhe oficer kontrollor në pikën e kontrollit të kalimit kufitar, Durrës. Përveç karrierës si oficer policie, Kokomani ka qenë dhe administrator i shoqërive “D&A” sh.p.k dhe “Kokomani Beton”. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, Kokomani ka qenë kandidat i PS-së në qarkun Durrës i renditur i 10 në listë.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit, në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i bashkisë Shijak nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Në vitin e parë të deklarimit – viti 2015, kryetari i bashkisë së Shijakut ka pasur një pasuri të deklaruar familjare prej 10.6 milionë lekë, ndërkohë që në 31 dhjetor 2017 pasuria e tij e deklaruar në ILDKPKI nuk ka pësuar luhatje.
Pasuria e deklaruar e Kokomanit përbëhet nga një godinë banimi 2 katëshe më sipërfaqe ndërtimi 120 m2 dhe vlerë 10.2 milionë lekë, një tokë arë me vlerë 430 mijë lekë, si dhe disa toka arë dhe pemishte të trashëguara.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq' që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 2 vite deklarimi nga të cilat nuk rezultuan probleme.
Nga analiza cilësore deklaratave të pasurisë së subjektit, evidentohet fakti se subjekti Ardian Kokomani në vitin 2015 deklaron një godinë dy katëshe me sipërfaqe 120 m2 me vlerë 10,255,200 lekë, e ndërtuar në vitin 2000, me burim krijimi: 2 milionë lekë dhuratë nga vëllai dhe 8'255'200 lek të ardhura nga biznesi. Ky objekt është në proces legalizimi.
Deklarata para fillimit të detyrës
Deklarata e pasurisë e vitit 2015
Deklarata e pasurisë e vitit 2016
Deklarata e pasurisë e vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al
Shënim:
Ky shkrim është ndryshuar për të korrektuar gabimet në analizë financiare si pasojë e përfshirjes gabimisht të disa deklaratave të ish-kryetarit të komunës Gjepale, Ardian Qazim Kokomani, në përllogaritet dhe deklarimet periodike të z. Ardian Rexhep Kokomani, kryetar i bashkisë Shijak. Reporter.al kërkon ndjesë për gabimin dhe ne po punojmë që mos të përsëritet.