Gjatë periudhës që kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi ka qenë subjekt i deklarimit të interesave private, pasuria e tij është dhjetëfishuar.
Armando Subashi u zgjodh kryetar i bashkisë Fier në vitin 2015 si përfaqësues i Partisë Socialiste me 54,83 % të votave.
Subashi ka lindur në Fier më 26 maj 1971. Ai ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Subashi ka punuar si gjykatës në rrethet gjyqësore Mallakastër dhe Fier, ku ka mbajtur njëkohësisht edhe postin e Kryetarit të Gjykatës. Armando Subashi ka mbajtur po ashtu, postin e Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i zgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore. U zgjodh deputet për Qarkun e Fierit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe 2013. Gjatë mandatit të fundit si deputet, Subashi ka qenë anëtar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë .
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë Fier nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklaratën përpara fillimit të detyrës në vitin 2003, kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi deklaron një pasuri familjare prej 2 milionë lekë. Në fund të vitit 2017 pasuria e tij familjare kap një vlerë prej 21 milionë lekë, duke u dhjetëfishuar gjatë periudhës së deklarimit.
Pasuria e Subashit përbëhet nga 7.4 milionë lekë likuiditete në bankë, 9.9 milionë lekë likuiditete cash, 1.6 milionë lekë pasuri të luajtshme dhe 2.5 milionë lekë huadhënie.
Gjatë periudhës së deklarimit subjekti ka pasur të ardhura në vlerë 35.5 milionë lekë, 80 % e të cilave vijnë nga paga për shkak të funksionit e subjektit dhe bashkëshortes. Pjesa tjetër e të ardhurave vijnë nga mësimdhënia, një vendim gjyqësor dhe interesat e huadhënies.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq' që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat rezultoi një vit me probleme. Subjekti rezulton me pasuri të pajustifikuar në vitin 2016 në shumën 1,101,174 lekë (pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet e konsumit familjar).
Gjithashtu nga skanimi cilësor i deklaratave rezultuan flamuj të kuq të tjerë. Gjendja Cash që subjekti Armando Subashi dhe bashkëshortja e tij, deklarojnë periodikisht për periudhën 2003-2013 është 9,930,000 lekë, ndërkohë që sipas nenit 4/1 të ligjit Nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” i ndryshuar, kufiri i lejuar për t'u mbajtur Cash është 1,5 milionë lekë.
Në vitin 2007 bashkëshortja deklaron kursime nga paga periudha 1997-2007 në shumën 2,5 milionë lekë, por nuk ka të dhëna mbi burimin e krijimit.
Në vitin 2005 dhe 2006 subjekti deklaron huadhënie përkatësisht në shumat 1 milionë lekë dhe 1,5 milionë lekë, me interes mujor 4%. Interesi i fituar është 1,200,000 lekë në dy vite.
Në vitin 2017 është deklaruar kredi bankare me afat 60 muaj, marrë pranë Raiffeisen Bank me vlerë 3 milionë lekë – pa deklaruar qëllimi i kësaj kredie dhe kolaterali (subjekti nuk ka deklaruar asnjë pasuri të paluajtshme në pronësi të tij apo familjarëve të tjerë).
Deklarata e pasurisë e vitit 2003
Deklarata e pasurisë e vitit 2004
Deklarata e pasurisë e vitit 2005
Deklarata e pasurisë e vitit 2006
Deklarata e pasurisë e vitit 2007
Deklarata e pasurisë e vitit 2008
Deklarata e pasurisë e vitit 2009
Deklarata e pasurisë e vitit 2010
Deklarata e pasurisë e vitit 2011
Deklarata e pasurisë e vitit 2012
Deklarata e pasurisë e vitit 2013
Deklarata e pasurisë e vitit 2014
Deklarata e pasurisë e vitit 2015
Deklarata e pasurisë e vitit 2016
Deklarata e pasurisë e vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al