Skeda14 May 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Basir Çupa-kryetar i Bashkisë së Klosit

Kryebashkiaku i Klosit, Basir Çupa deklaron pasuri me vlerë 15.8 milionë lekë me burim kryesor nga biznesi, ndërkohë që të ardhurat e realizuara para vitit 2015 mungojnë në deklarimet e ILDKPKI.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Basir Çupa u zgjodh kryetar i Bashkisë së Klosit në zgjedhjet e 21 qershorit 2015 si përfaqësues i Partisë Demokratike dhe i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet. Ai fitoi kundrejt kandidatit të mazhorancës me 55.58% të votave.

Basir Çupa është diplomuar në vitin 1990 në fakultetin Ekonomik të Tiranës dhe ka punuar në administratën lokale deri në vitin 1993. Për gati dy dekada, Çupa është angazhuar në biznes privat përmes kompanisë së themeluar prej tij me aktivitet në fushën e tregtisë dhe të minierave.

Ai është anëtarësuar në Partinë Demokratike në vitin 2001 si dhe ka mbajtur postet e nënkryetarit të bashkisë së Klosit 2003-2005, drejtor i rrugëve në Mat 2006-2007 si dhe drejtor i filialit të postës në Mat gjatë viteve 2009-2013.

Sipas Regjistrit të Bizneseve, QKB, Çupa dhuroi 100% të aksioneve të kompanisë së themeluar prej tij në vitin 2014. Ai drejton bashkinë e Klosit prej vitit 2015. [Lexo CV-në e plotë].

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga kryebashkiaku Basir Çupa nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko këtu për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se kryetarit te Bashkise se Klosit, Basir Çupa per vitet 2015-2017.

Kryetari i bashkisë së Klosit deklaronte pasuri familjare me vlerë 14.1 milionë lekë në vitin 2015, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI-së. Referuar deklaratës së tij, ai zotëronte një shtëpi private në rrugën e Durrësit, një apartament në plazh si dhe një apartament në Klos si dhe sipërfaqe toke të blera me të ardhurat nga biznesi apo të përfituar përmes ligjit 7501.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e kryebashkiakut Çupa kap vlerën e 15.8 milionë lekëve. Pasuritë e patundshme përbëjnë zërin kryesor të aseteve me vlerë 11.5 milionë lekë. Ai zotëron gjithashtu 4.1 milionë lekë kursime bankare si dhe një automjet me vlerë 200 mijë lekë.

Të ardhurat famniljare për periudhën 2015-2017 janë 6.6 milionë lekë. Rreth 32% e të ardhurave burojnë nga paga si kryetar bashkie, ndërsa 30% kanë si burim punën e bashkëshortes. Të ardhurat kryesore megjithatë rrjedhin nga aktiviteti privat i djalit, një pikë bilardoje, e cila ka siguruar 34% të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 3 vite të deklarimit, të cilat rezultuan të gjitha pa probleme.

BIRN identifikoi si “flamur të kuq” mungesën e deklarimit të të ardhurave të realizuara ndër vite nga biznesi, të cilat kanë shërbyer si burim për pasuritë e patundshme të kryebashkiakut të Klosit.

Më konkretisht, ai ka deklaruar se ka përfituar përmes ligjit 7501 rreth 15 mijë metra katrorë tokë, ndërsa nga ligji i privatizimeve një truall dhe një magazinë në Mat. Pjesa tjetër e pasurisë buron nga të ardhurat nga biznesi, të cilat nuk rezultojnë të deklaruara në ILDKPKI.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al