Kryetari aktual i Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini deklaron pasuri me vlerë rreth 55 milionë lekë si dhe aksione në 7 kompani private, të cilat operojnë kryesisht në fushën e reklamave dhe të tregtisë.Beqir Nuredini u zgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, si përfaqësues i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ai fitoi kundrejt rivalit të tij në garë me 55.13% të votave.
Beqir Nuredini u përfshi në politikën lokale pas angazhimit të tij në biznes privat. Nuredini është aksioner në 7 kompani biznesi, ku më e njohura ndër to është kompania promocionale “Univers Promotions” e themeluar në vitin 2008.
Në vitin 2018, Nuredini u akuzua nga Prokuroria për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në lidhje me ndërtimet në plazhin e Spillesë, tokë e u bë pjesë e një hetimi të gjerë për shkak të tjetërsimit të saj përmes dokumenteve të falsifikuara. Nuredini i mohoi asokohe akuzat, ndërsa deklaroi për mediat se kishte zbatuar procedurat e përcaktuara nga ligji.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit, në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Kryebashkiaku i Rrogozhinës zotëronte pasuri me vlerë 18.4 milionë lekë në vitin 2015, kur deklaroi interesat e tij private pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Referuar deklaratës “Para Fillimit të Detyrës”, Z. Nuredini deklaronte pronësinë mbi një apartament 140 m2 dhe pjesë takuese në dy apartamente të tjera, një automjet me vlerë 3 milionë lekë si dhe pjesë kapitali në 7 kompanitë e deklaruara prej tij në vlerën 2.8 milionë lekë.
Në fund të vitit 2017, pasuria e kryebashkiakut të Rrogozhinës është rritur 3 herë në vlerë, duke kapur shifrën e 54.9 milionë lekëve. Pasuria e patundshme përbën zërin më të madh me 47.7 milionë lekë, e ndjekur nga automjeti me vlerë 3 milionë lekë, kursimet në cash prej 1.3 milion lekësh si dhe likujditete bankare prej 26 mijë lekësh.
Kuotat në kapital të zotëruara nga Z.Nuredini nuk kanë ndryshuar nga deklarimi fillestar i tij. Ndërkohë, shtesa e pasurisë i referohet blerjes së një apartamenti me vlerë 270 mijë euro në vitin 2016 në Tiranë, i financuar pjesërisht nga dividenti i kompanisë dhe pjesërisht nga një kredi bankare.
Të ardhurat për periudhën deklaruese 2015-2017 llogariten në 11.8 milionë lekë. Burimi kryesor i të ardhurave për Z. Nuredini mbetet sërish biznesi me 82%, ndërkohë që të ardhurat nga paga si kryebashkiak zënë vetëm 17% të totalit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 3 vite të deklarimit, të cilat rezultojnë pa probleme.
Por BIRN identifikoi si “flamur të kuq” mungesën e adresave të kompanive të biznesit të deklaruara nga kryebashkiaku Nuredini. Sipas legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesit, kryebashkiakët i nënshtrohen kufizimeve për të kryer aktivitet biznesi me bashkinë që ata drejtojnë.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë rezulton gjithashtu se në fund të vitit 2017, Z.Nuredini rezulton me detyrime të pashlyera ndaj kompanisë së ndërtimit në vlerën e 50 mijë eurove.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al