Skeda2 Oct 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Brunilda Malo (Orhani )- Gjykata e Apelit Korçë

Gjyqtarja e Apelit të Korçës, Brunilda Malo do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Korçës, Brunilda Malo (Orhani) do të përballet të enjten me 3 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që do të kryejë procesin e vetingut për Znj. Malo përbëhet nga Xhensila Pine, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari.

Brunilda Malo e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995 si gjyqtare në Kolonjë. Në vitin 2003, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës dhe vazhdon ta kryejë këtë funksion prej 16 vitesh.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Brunilda Malo nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja e Apelit të Korçës, Brunilda Malo (Orhani) për vitet 2003-2017.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, gjyqtarja Brunilda Malo zotëronte pasuri familjare me vlerë 6.7 milionë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare është rritur me 5 herë, duke kapur vlerën e 39 milionë lekëve.

Likujditetet bankare përbëjnë zërin kryesor të pasurisë me vlerë të llogaritur në 26.7 milionë lekë. Gjyqtarja Malo deklaron gjithashtu familjarisht 2.1 milionë kursime të akumuluara në cash, 2.8 milionë pasuri të patundshme dhe 7.2 milionë pasuri të luajtshme.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 57.1 milionë lekë. Burimi kryesor i të ardhurave ka qenë puna dhe biznesi i bashkëshortit në masën 39%, i ndjekur nga paga e subjektit në masën 31%. Familja Malo ka siguruar gjithashtu të ardhura nga shitja e kuotave në kompaninë “D&G Konstuksion” në masën 20% të totalit dhe të ardhura të vogla nga dhuratat nga familjarët dhe mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi pa probleme për gjyqtaren Malo.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen kryesisht me dhuratat nga familjarët.

Më konkretisht në vitin 2007, subjekti deklaron se babai i bashkëshortit ka shlyer plotësisht një kredi bankare të marrë dy vite më parë, ku shuma e detyrimit të mbetur ishte rreth 3.7 milionë lekë.

Gjithashtu në vitin 2014, subjekti deklaron si burim të blerjes së një lokali në Ersekë edhe vlerat 400 mijë lekë dhe 190 mijë lekë nga babai dhe vëllai i bashkëshortit, ndërkohë që nuk është e qartë nëse këto para janë dhuratë apo hua.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar lidhet me marrjen e një sipërfaqe toke me qira për 25 vjet në vitin 2015 nga bashkëshorti i gjyqtares Malo, në kohën kur ky i fundit kryente detyrën e Drejtorit Rajonal të Bujqësisë në Korçë. Nuk ka të dhëna mbi vendndodhjen dhe përdorimin ose jot ë kësaj toke, pasi në vijim nuk është deklaruar ndonjë investim apo e ardhur e përfituar nga ajo.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al