Skeda26 May 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar- Dhimitër Lara- gjyqtar i Apelit për Krime të Rënda

Gjyqtari i Apelit për Krime të Rënda, Dhimitër Lara do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria familjare e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Apelit për Krime të Rënda, Dhimitër Lara do të përballet të hënën më 27 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për të përbëhet nga Pamela Qirko, Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli.

Dhimitër Lara e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1999 si gjyqtar i Gjykatës së Fierit. Në prill të vitit 2004, ai është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, funksion të cilin vazhdon ta ushtrojë prej 15 vitesh.  Lara është gjithashtu autor i librit “Koment mbi Kodin e Procedurës Penale”, i cili është pjesë e kurrikulës në Shkollën e Magjistraturës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Dhimitër Lara nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se gjyqtarit Dhimiter Lara per vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Dhimitër Lara deklaronte pasuri familjare me vlerë 3 milionë lekë në vitin 2003. Referuar deklaratës së tij të parë të dorëzuar në ILDKPKI, ai zotëronte një apartament 76 m2 në qytetin e Durrësit.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Lara llogaritet në 35.2 milionë lekë. Pjesa kryesore e pasurisë përbëhet nga likujditetet bankare në vlerën e 27.7 milionë lekëve, ndërkohë që gjatë viteve të deklarimit, Z.Lara ka shitur apartamentin në Durrës dhe ka blerë një apartament në Tiranë në vlerën e 7.5 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare për periudhën 2003-2017 janë 51.2 milionë lekë. Zëri kryesor i të ardhurave buron nga shpronësimi i një sipërfaqeje toke përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave dhe një vendimi gjyqësor të vitit 2012 në masën 42%. Të ardhurat nga paga si gjyqtar përbëjnë 38%, ndërsa të ardhurat nga paga e bashkëshortes dhe pensioni i nënës zënë rreth 10% të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi pa probleme për gjyqtarin Lara.

Por gjatë analizës cilësore u identifikuan si “flamuj të kuq” dy hua të deklaruara në vlerën 1.3 dhe 1.2 milionë lekë në vitin 2010, të cilat janë marrë me qëllim shlyerjen e kredisë bankare për blerjen e apartamentit.

Gjithashtu në vitin 2013, gjyqtari Lara deklaron shtimin e pasurisë me vlerën e kompensimit të tokës nëpërmmjet një VKM të vitit 2006 dhe një vendimi gjyqësor të vitit 2012  në shumën 21.6 milionë lekë në bashkëpronësi me nënën. Por sipërfaqja e mësipërme e truallit nuk është deklaruar si pronë në asnjë prej deklarimeve të tij të mëparshme në ILDKPKI.

Një tjetër marrëdhënie huaje e identifikuar në analizën e pasurisë është ajo me kunatin në vitin 2014. Gjyqtari i Apelit për Krime të Rënda deklaron se i ka dhënë kunatit 7 milionë lekë hua, të cilat i janë shlyer brenda vitit.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al