Skeda17 Apr 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Dhorina Theodhori-drejtuese e Prokurorisë Korçë

Drejtuesja e Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Drejtuesja e Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori do të përballet të enjten më 18 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për të përbëhet nga Pamela Qirko, Etleda Çiftja dhe Genta Tafa Bungo.

Dhorina Theodhori ka kryer Shkollën e Magjistraturës përgjatë viteve 2005-2008. Në përfundim të studimeve, ajo është emëruar prokurore e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë ndërsa në vitin 2015 është komanduar zv.drejtuese.

Theodhori mban aktualisht postin e drejtueses së Prokurorisë së Korçës. Paralelisht me detyrën, ajo është përfshirë edhe në mësimdhënie në universitetin Fan Noli apo universitete private në Korçë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Dhorina Theodhori nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurise se deklaruar e Dhorina Theodhorit nga viti 2007 deri ne fund te vitit 2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Theodhori deklaronte 1/6 pjesë takuese të një apartamenti në Korçë si dhe një trualli prej 56 m2 në bashkëpronësi. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e saj deklarohet në vlerën e 562 mijë lekëve, e ndarë në 424 mijë lekë likujditete bankare dhe një automjet me vlerë 138 mijë lekë.

Përveç pasurive të mësipërme, Theodhori deklaron pjesë takuese nga trashëgimie të një sipërfaqeje toke të fituar me vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë si dhe 1/6 e një objekti 12 m2 në proces legalizimi.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 16 milionë lekë. Rreth 74 për qind e të ardhurave përbëhen nga paga e prokurores, 13% nga të ardhurat e familjarëve dhe 5.4% nga mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 11 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.

Megjithatë, BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” deklarimin në vitin 2017 të Znj. Theodhori të rikonstruksionit të çatisë, fasadave dhe shtesë kati të një dyqani në tregun e qytetit të Korçës, investim i kryer nga Bashkia e Korçës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Dyqani i mësipërm nuk rezulton i deklaruar më parë nga prokurorja Dhorina Theodhori, ndërkohë që është i paqartë burimi i kësaj pasurie apo marrëdhënia e saj e pronësisë me këtë objekt.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al