Kryetarja e Gjykatës së Lushnjes, Esmeralda Çeka do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017.Kryetarja e Gjykatës së Lushnjes, Esmeralda Çeka do të përballet të martën më 16 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Çekën përbëhet nga Etleda Çiftja, Pamela Qirko dhe Genta Tafa Bungo.
Esmeralda Çeka ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008. Në mars të vitit 2009 ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën e Lushnjes, ndërsa në vitin 2014 mori nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë mandatin për kryetare të së njëjtës gjykatë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Esmeralda Çeka nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Esmeralda Çeka nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2007, kur deklaroi për herë të parë pasurinë në Inspektoriatin e Lartë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e saj kap vlerën e 11 milionë lekëve.
Mbi 90% e pasurisë së gjyqtares Çeka përbëhet nga një apartament në Tiranë, i blerë nga ajo dhe bashkëshorti për 80 mijë euro në vitin 2017. Sipas deklaratës së pasurisë, financimi i apartamentit është realizuar përmes një kredie bankare prej 8.7 milionë lekësh, një hua prej 12 mijë eurosh dhe 5 mijë euro kursime familjare.
Kryegjyqtarja e Lushnjes zotëron gjithashtu likujditete bankare prej 213 mijë lekësh, kursime në cash prej 237 mijë lekësh dhe pjesë takuese në një sipërfaqe toke të përfituar nga familja e saj sipas ligjit 7051.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 11.2 milionë lekë. Rreth 92% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i gjyqtarit, ndërsa paga e bashkëshortit zë 6.8 për qind të totalit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 10 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al