Lajm2 Dec 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Fatri Islamaj – gjyqtar i Apelit Tiranë

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, njëherazi anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do të përballet të martën më 3 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për Islamajn po kryhet nga trupa gjykuese e përbërë nga Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.

Fatri Islamaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor nga Gjykata e Fierit. Në vitin 2010, ai është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe tre vjet më vonë u emërua kryetar i kësaj Gjykate.

Pas tre vitesh drejtimi të Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj u dekretua nga presidenti Nishani si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës në vitin 2016. Gjatë këtij viti, Islamaj ka ushtruar gjithashtu funksionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur përmes shortit.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Fatri Islami nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj për vitet 2005-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Fatri Islamaj zotëronte pasuri me vlerë 1 milion lekë në vitin 2005 –kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij kap vlerën e 13.9 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, asetet ndahen në 10.5 milionë lekë pasuri të patundshme, 1.3 milionë lekë likujditete bankare, automjete me vlerë 1 milion lekë si dhe kursime në cash prej rreth 987 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 21.2 milionë lekë. Rreth 57% kanë si burim pagën nga funksioni i gjyqtarit, ndërsa 25% burojnë nga paga e bashkëshortes si mjeke. Të ardhurat nga mësimdhënia llogariten në masën 11%, ndërsa aktiviteti privat i bashkëshortes në masën e 1%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 12 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, njëra prej tyre rezulton me diferenca negative.

Sipas kontrollit aritmetik/logjik, subjekti Islamaj rezulton me shtesë pasurie familjare të pambuluar me burime në vitin 2007 në vlerën e rreth 474 mijë lekëve, pa llogaritur shpenzimet e konsumit familjar për vitin. Diferenca negative vjen edhe për shkak të deklarimit për herë të parë të dy depozitave bankare nga bashkëshortja, të pashoqëruara këto me burime të deklaruara.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al