Skeda7 Jan 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Gentian Jahjolli-ndihmës ligjor

Gentian Jahjolli, ndihmës ligjor prej vitit 2014 në Gjykatën e Lartë do të përballet të martën me procesin e vetingut. Skeda e pasurisë së tij nga viti 2012 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gentian Jahjolli, ndihmës ligjor prej vitit 2014 në Gjykatën e Lartë do të përballet të martën me procesin e vetingut. Trupa gjyqësore që ka kryer hetimin administrativ për Jahjollin përbëhet nga Pamela Qirko, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.

Gentian Jahjolli është bërë subjekt i deklarimit të pasurisë në vitin 2011, pas emërimit si drejtor i marrëveshjeve në Ministrinë e Brendshme. Më parë, Jahjolli ka punuar edhe si inspektor në Ministrinë e Drejtësisë.

Në mars të vitit 2014, ai është emëruar ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, detyrë të cilën e kryen edhe sot. Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie në universitete private si dhe ka kryer doktoraturën në Romë të Italisë.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e funksionarëve të drejtësisë që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të Gentian Jahjollit nga viti 2012 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së ndihmësit ligjor, Gentian Jahjolli për vitet 2012-2017.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Gentian Jahjolli zotëronte pasuri me vlerë 250 mijë lekë në vitin 2012, kur deklaroi për herë të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ILDKPKI.

Në fund të vitit 2017, pasuria e ndihmësit ligjor Jahjolli kap vlerën e 1.4 milionë lekëve dhe përbëhet vetëm nga kursimet. Ai zotëron rreth 536 mijë lekë likuiditete në bankë dhe 905 mijë lekë  kursime të akumuluara në cash.

Të ardhurat për periudhën deklaruese 2012-2017 janë 4.4 milionë lekë. Paga nga funksioni zë 94 për qind të të ardhurave të subjektit, ndërkohë që 6 për qind burojnë nga mësimdhënia apo angazhimi si ekspert.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 4 vite të deklarimit të zotit Jahjolli dhe të gjitha deklaratat rezultojnë pa probleme.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al