Skeda17 Jun 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Gurali Brahimllari-Apeli i Krimeve të Rënda

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Gurali Brahimllari do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Gurali Brahimllari do të përballet të martën më 18 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen vertingun për gjyqtarin Brahimllari përbëhet nga Roland Ilia, Genta Tafa Bungo, Brunilda Bekteshi.

Gurali Brahimllari e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si ndihmës/gjyqtar në Gjykatën e Kuçovës. Në vitet 1998-2001 ai ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe më pas është emëruar në Gjykatën e Fierit.

Në vitin 2003, Z.Brahimllari është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2014. Me dekret të presidentit të Republikës, Brahimllari u promovua në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda në vitin 2014. Ai është gjithashtu pjesë e listës së kandidatëve për Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila është në proces ngritjeje.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Gurali Brahimllari nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Gurali Brahimllari zotëronte pasuri familjare me vlerë 11.3 milionë lekë në vitin 2003-kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private në ILDKPKI.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Brahimllari është rritur me 4 herë dhe kap një vlerë prej 51.6 milionë lekësh.

Pasuria e patundshme përbën zërin kryesor të aseteve me një vlerë të deklaruar prej 35.9 milionë lekësh, ku përfshihet edhe një klinikë dentare e bashkëshortes. Familja Brahimllari zotëron gjithashtu 4.9 milionë lekë likujitete bankare, kursime në cash prej 500 mijë lekësh, automjet me vlerë 800 mijë lekë si dhe pajisje për klinikën dentare të vlerësuara në 9.3 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 73.6 milionë lekë. Të ardhurat kryesore burojnë nga aktiviteti i bashkëshortes si stomatologe në 53% të totalit, ndërsa të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet zënë rreth 33%. Gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda deklaron gjithashtu të ardhura nga qiraja në masën 9% apo fitime nga shitja e pasurive të patundshme në masën 3% të të ardhurave totale.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi me një deklaratë me probleme për gjyqtarin Brahimllari.

Në vitin 2007, nga diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve rezultoi një shumë e pambuluar nga burimet e deklaruara në vlerën e 600 mijë lekëve. Ndërsa nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen kryesisht me transaksione të pasurisë së patundshme ose apo me huatë e marra te të afërmit.

Më konkretisht në vitin 2003, gjyqtari Gurali Brahimllari deklaron se i ka shitur kunatit të tij njërën nga dy klinikat dentare që kishte në pronësi, ndërsa sqaron se kontrata e shitblerjes nuk është bërë dhe çmimi nuk është paguar. Në deklaratat e mëpasme nuk sqarohet nëse shitja e klinikës dentare është finalizuar apo jo.

Gjatë viteve 2004-2017, subjekti deklaron kredi dhe huamarrje të shumta si burim për shtimin e pasurisë. Gjatë viteve 2008-2009, huatë janë marrë nga vëllai i subjektit dhe kunati i tij në vlerat respektive 4 milionë lekë dhe 29 mijë euro.

Vlen gjithashtu për t’u sqaruar se shuma 9.3 milionë lekë në kategorinë e aseteve i përket aparaturave dhe pajisjeve të deklaruara për llogari të klinikës dentare të bashkëshortes. Këto asete nuk janë objekt i deklarimit të pasurisë, por deklarohen në bilancin e aktivitetit privat të klinikës dentare.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al