Skeda22 Jul 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Hysen Keta –drejtues i Prokurorisë së Përmetit

Drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Hysen Keta, drejtues i Prokurorisë së Përmetit do të përballet të martën më 23 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Keta përbëhet nga Xhensila Pine, Suela Zhegu dhe Brunilda Bekteshi.

Hysen Keta e ka nisur karrierën e tij në vitin 1979 dhe përveç pozicionit si prokuror, ai ka punuar për një periudhë edhe si avokat. Për më shumë se një dekadë, ai e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa në vitin 2015 u transferua me dekret të Presidentit në Prokurorinë e Tiranës.

Në vitin 2017, Keta u komandua drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Përmetit, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe aktualisht.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Hysen Keta nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga kreu i Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Hysen Keta zotëronte pasuri familjare me vlerë 8.7 milionë lekë në vitin 2003; kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI. Referuar deklaratës së tij të parë, subjekti zotëronte një shtëpi të trashëguar prej 60 m2 si dhe një shtëpi banimi prej 120 m2, një automjet të deklaruar në vlerën e 5 milionë lekëve si dhe kursime në cash prej 1.5 milionë lekësh.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Z.Keta kap vlerën e 25.8 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1.2 milionë lekësh. Ajo përbëhet nga pasuri të patundshme me vlerë 8.7 milionë lekë, likujditete të akumuluara në cash prej 11.6 milionë lekësh, automjete me vlerë 3.6 milionë lekë si dhe likujditete bankare prej 1.8 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 45 milionë lekë. Nga këto, 54% burojnë nga paga për shkak të funksionit e subjektit, ndërsa 39% kanë si burim pagat e familjarëve dhe ato nga mësimdhënia. Prokurori ka përfituar gjithashtu familjarisht rreth 3% e të ardhurave nga qiraja dhe 2% nga shitja e automjeteve.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.

Megjithatë, nga analiza cilësore e deklaratave të interesave private të subjektit u identifikuan disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen kryesisht me pronat e patundshme si dhe huamarrjen.

Më konkretisht në vitin 2003, subjekti deklaronte pronësinë mbi një shtëpi banimi prej 60m2 të përfituar nga trashëgimia, ndërkohë që në vitin 2016 ai deklaronte legalizimin e kësaj prone, që sipas deklaratës ishte ndërtuar në vitet 1996-2003 me të ardhurat e përfituara nga avokatia në vlerën e 2.2 milionë lekëve.

Në vitin 2017, vajza e subjektit deklaron një apartament të blerë nga bashkëjetuesi në vlerën e 48, 935 eurove, por nuk ka të dhëna mbi burimin e të ardhurave të bashkëjetuesit. Gjithashtu në të njëjtin vit, djali i subjektit deklaron një hua prej 10 mijë eurosh marrë nga daja, me qëllim rikonstruksionin e banesës së babait të tij, prokurorit Hysen Keta.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar lidhet me vlerën e lartë të likujditeteve në cash të deklaruara vit pas viti nga subjekti. Në fund të vitit 2017, vlera e akumuluar e gjendjes cash kapte vlerën e 11.6 milionë lekëve, ndërkohë që kufiri i lejuar ligjor për paratë jashtë sistemit bankar është 1.5 milionë lekë.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë për vitin 2003

Deklarata e pasurisë për vitin 2004

Deklarata e pasurisë për vitin 2005  

Deklarata e pasurisë për vitin 2006

Deklarata e pasurisë për vitin 2007

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al