Skeda18 Dec 2018

Skeda e pasurisë së deklaruar-Izet Kadana-kryetar i Gjykatës Pukë

Kryegjyqtari i Pukës do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Pukës, Izet Kadana do të përballet sot (18 dhjetor) me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që ka kryer procesin e rivlerësimit për gjyqtarin përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.

Izet Kadana e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe prej më shumë se 15 vitesh punon si gjyqtar në Gjykatën e Pukës. Në një mbledhje të KLD-së në vitinb 2016, Kadana u emërua kryetar i kësaj gjykate.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Izet Kadana nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Skeda e pasurisë së kryegjyqtarit të Pukës, Izet Kadana për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Izet Kadana zotëronte pasuri me vlerë 2.4 milionë lekë në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë pasurinë në ILDKPKI. Referuar deklaratës së parë, ai kishte një apartament banimi, 700 mijë lekë në bankë, 200 mijë lekë kursime në cash si dhe një hua prej 300 mijë lekësh, dhënë kompanisë rentiere, Vefa Holding.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Kadana është rritur me pesë herë, duke kapur vlerën e 12.5 milionë lekëve. Pjesa kryesore e pasurisë përbëhet nga kursimet e deklaruara në cash ndër vite, një pjesë të të cilave gjyqtari Kadana deklaron se i ka dhënë hua pa interes në vitet 2014 dhe 2015. Ai ka dhënë borxh 8.4 milionë lekë në total.

Gjyqtari zotëron gjithashtu një apartament banimi, kursime cash prej 1.4 milionë lekësh dhe automjet me vlerë 1.1 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 2004-2017 janë 26 milionë lekë. Kryetari i Gjykatës së Pukës ka pasur si burim të ardhurash vetëm pagën e tij dhe të familjarëve.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, vetëm njëra prej tyre rezultoi me diferencë negative mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Konkretisht në vitin 2008, zoti Kadana deklaron se ka shlyer totalisht një kredi konsumatore të marrë në bankë, çka e bën atë të mos justifikojë një vlerë prej 117 mijë lekësh, pa llogaritur këtu shpenzimet e konsumit familjar vjetor.

BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” në këtë analizë akumulimin e vlerave të konsiderueshme të kursimeve në cash ndër vite si dhe dhënien nga ana e gjyqtarit Kadana të 8.4 milionë lekëve hua përmes kontratave noteriale me dy persona.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al