Skeda20 Sep 2021

Skeda e pasurisë së deklaruar –Lorenc Mërkuri – Prokuroria e Sarandës

Prokurori Lorenc Mërkuri i Prokurorisë së Sarandës do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Lorenc Mërkuri i Prokurorisë së Sarandës do të përballet të martën më 21 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e tij të vetingut përbëhet nga Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj dhe Xhensila Pine.

Lorenc Mërkuri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Sarandës. Ai është emëruar prokuror në vitin 2012 dhe prej dhjetorit 2013 e në vazhdim ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Sarandës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga prokurori Lorenc Mërkuri nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar nga prokurori i Sarandës, Lorenc Mërkuri.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, Mërkuri zotëronte pasuri me vlerë 300 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e tij familjare kap vlerën e 7.5 milionë lekëve.

Ai zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 3.3 milionë lekë, likujditete bankare prej 2.5 milionë lekësh, automjet me vlerë 1.3 milionë lekë si dhe kursime në cash prej 300 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 24.3 milionë lekë, nga të cilat 36% burojnë nga paga e subjektit, 39% nga pagat e familjarëve, 20% nga pensionet e prindërve ndër vite si dhe gati 4% nga të ardhurat e babait nga avokatia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 10 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” deklarimin e një garazhi të përfituar përmes legalizimit.

Në vitin 2018, subjekti deklaron “Godinë sociale/ ekonomike (garazhd automjeti) 31 m2, e ndërtuar në vitet  1994 – 1995 dhe e legalizuar në mars 2017. Prona ka një vlerë punimesh prej 200, 000 lekësh dhe nuk rezulton e deklaruar në asnjë nga deklaratat e pasurisë së mëparshme.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003  

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al