Skeda22 Nov 2018

Skeda e pasurisë së deklaruar-Luan Dervishi-gjyqtar i Apelit të Shkodrës

Gjyqtari Luan Dervishi u bë pjesë e listës së dytë të kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi mbyll të premten siparin e procesit të vetingut për kandidatët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i hapur kështu rrugën krijimit të institucionit të rëndësishëm në kuadër të reformës në drejtësi.

Seanca dëgjimore me Luan Dervishin pritet të zhvillohet mesditën e së premtes, ndërkohë që trupi gjykues përfaqësohet nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Pamela Qirko.

Gjyqtari Dervishi u bë pjesë e listës së dytë të kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor, pas vakancës së shpallur për një pozicion nga Gjykatat e Apelit jashtë Tiranës. Ai e ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitin 1985 dhe para se të emërohej gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkodrës ka punuar si inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Luan Dervishi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së gjyqtarit të Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Dervishi zotëronte pasuri me vlerë 5.1 milionë lekë në vitin 2003. Referuar deklaratës së tij të parë, ai zotëronte një truall të blerë për 2400 USD, një shtëpi të ndërtuar pa leje, të deklaruar në vlerën e 2.5 milionë lekëve, dy garazhe, një automjet dhe depozitë bankare e kursime në cash në vlerën e 1.9 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Luan Dervishi është rritur me 5 herë dhe kap vlerën e 27 milionë lekëve. Ajo ndahet në 6.7 milionë lekë likujditete bankare, 10.6 milionë lekë kursime të akumuluara në cash, automjete me vlerë 9.3 milionë lekë dhe aksione prej 125 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 2004-2017 janë 53.6 milionë lekë. Paga nga funksioni e zotit Dervishi zë 35.8 për qind të totalit, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave e ka burimin nga puna e fëmijëve të gjyqtarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, subjekti deklaron të ardhura nga dhënia me qera e garazheve në masën 3 për qind.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, 4 rezultuan me diferenca negative mes të ardhurave dhe shpenzimeve dhe 10 të tjera janë pa probleme.

Gjyqtari Dervishi rezulton me diferenca të pambuluara për vitet 2009, 2011, 2012 dhe 2013, vite që përkojnë me pagesa të konsiderueshme për shkollimin e djalit dhe të vajzës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shuma e pajustifikuar për të katërta vitet është 3.8 milionë lekë.

BIRN evidentoi gjithashtu disa “flamuj të kuq” gjatë analizës, të cilat lidhen me vlerat e konsiderueshme cash të akumuluara përgjatë viteve, mospërputhjet në deklarimin e numrit të garazheve si dhe mungesën e të dhënave të plota për shitjen e shtëpisë së vetme të gjyqtarit.

Në vitin 2003, zoti Dervishi ka deklaruar se zotëron përveç shtëpisë së ndërtuar pa leje edhe dy garazhe. Por përgjatë viteve të mëpasme, ai deklaron se ka përfituar qera nga 3 garazhe. Ndërsa në vitin 2016, gjyqtari, familja e të cilit është tashmë e gjitha në SHBA vendos të shesë shtëpinë e ndërtuar pa leje në Shkodër. Ai deklaron se blerësi i ka paguar një këst prej 20 mijë eurosh, ndërkohë që mungojnë të dhënat për vlerën e plotë të kontratës së shitjes së shtëpisë.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al