Skeda23 Jul 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Ramiz Lala –Gjykata Administrative e Gjirokastrës

Kryetari i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2010 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala do të përballet të mërkurën më 24 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Lalën përbëhet nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Pamela Qirko.

Ramiz Lala e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2010 në gjykatën e Përmetit. Ai ka kryer më parë aktivitet privat në vitet 2000-2006, ka punuar në aeroportin e Kukësit si dhe në një periudhë të shkurtër në Ministrinë e Drejtësisë.

Lala u emërua kryetar i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës në tetor të vitit 2013 dhe vazhdon të mbajë të njëjtin post prej gati 6 vitesh.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Ramiz Lala nga viti 2010 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari Ramiz Lala nga viti 2010 deri në fund të vitit 2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Ramiz Lala zotëronte pasuri familjare me vlerë 8.1 milionë lekë në vitin 2010, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij llogaritet në vlerën e 9 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme përbëjnë pjesën kryesore të aseteve me vlerë të deklaruar prej 8.2 milionë lekësh, ndërkohë që gjyqtari deklaron edhe kursime në cash prej 750 mijë lekësh, një automjet me vlerë 271 mijë lekë si dhe likujditete bankare prej 54 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14.4 milionë lekë. Rreth 53% e të ardhurave burojnë nga paga për shkak të funksionit, ndërsa 25% ka si burim fitimin nga shitja e pasurive të patundshme. Paga e bashkëshortes zë rreth 20% e të ardhurave totale.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 8 vite të deklarimit rezultoi pa probleme për gjyqtarin Ramiz Lala.

Megjithatë, nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi “flamuj të kuq” që lidhen me pronat e patundshme të subjektit.

Më konkretisht në vitin 2013, gjyqtari Lala deklaron kërkesën për legalizimin e një shtëpie në ndërtim e sipër në Paskuqan, në gjendjen “kolona+ soletë” 2 kate, me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi pa leje prej 209 m2 dhe me vlerë të investuar prej 998, 780 lekësh në bashkëpronësi familjare. Procesi i legalizimit të kësaj shtëpie ka përfunduar në vitin 2015 dhe prona është regjistruar në ZRVPP.

Gjithashtu në vitin 2010, subjekti deklaronte një truall të paregjistruar prej 600 m2 në bashkëpronësi me babanë e tij. Në vitin 2015, ai deklaron se ka regjistruar në emër të tij me pëlqimin e babait sipërfaqen prej 615 m2 arë+truall dhe 90.5 m2 sipërfaqe ndërtimore.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al