Skeda26 May 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar- Roland Jaupaj- kryetar i Gjykatës Fier

Kryetari i Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj do të përballet të hënën më 27 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për të përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja.

Roland Jaupaj ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e kreu stazhin profesional në Gjykatën e Kurbinit. Në vitin 2006 u emërua gjyqtar në Gjykatën e Fierit, ndërsa në vitin 2014, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e emëroi kryetar të kësaj gjykate.

Paralelisht me punën si gjyqtar, Jaupaj është angazhuar edhe në mësimdhënie. Ai deklaron se ka dhënë mësim në universitetin Kristal për disa vite si dhe ka qenë lektor në Shkollën e Magjistraturës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Roland Jaupaj nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017.

Skeda e pasurise se kryetarit te Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj nga viti 2005 deri ne fund te vitit 2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Jaupaj nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2005, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij kap vlerën e 21.5 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1.7 milionë lekësh.

Pasuria përbëhet nga 12.6 milionë lekë likujditete bankare, rreth 7.2 milionë lekë pasuri të paluajtshme, 1.3 milionë lekë kursime në cash dhe një automjet me vlerë 400 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 16.8 milionë lekë. Rreth 75% e të ardhurave burojnë nga paga e gjyqtarit apo mësimdhënia, ndërsa 25% nga paga e bashkëshortes si mjeke.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 12 vitet e deklarimit rezultoi në 9 deklarata pa probleme dhe tre të tjera me diferenca negative.

Nga kontrolli aritmetik-logjik rezulton se Jaupaj nuk justifikon me burime familjare të deklaruara 1987 lekë në vitin 2008, 84 683 në vitin 2011 dhe 346 170 mijë lekë në vitin 2012. Në këtë analizë, nuk janë llogaritur shpenzimet vjetore për konsum familjar sipas INSTAT.

BIRN identifikoi gjithashtu si “flamur të kuq” pasurinë e deklaruar nga bashkëshortja për herë të parë në vitin 2010 në vlerën totale prej 12.9 milionë lekësh. Si burim për këtë pasuri ajo deklaron të ardhurat ndër vite nga paga si mjeke.

Gjithashtu në vitin 2010, bashkëshortja e gjyqtarit Jaupaj deklaron se ka blerë në vitin 2007 në emër të saj një apartament me vlerë 52 mijë euro, për llogari dhe në interes të një shtetasi të tretë. Nga deklarimi është i paqartë raporti i pronësisë së bashkëshortes së subjektit me këtë apartament.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al