Gjyqtari i Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja, njëherazi anëtar zëvendësues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do të përballet të mërkurën me KPK-në. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtari i Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ai është pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të pozicionit të tij si anëtar zëvendësues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Gjyqtari Lubonja është prej 15 vitesh anëtar i Gjykatës së Apelit të Korçës. Trupi gjykues që ka kryer hetimin administrativ për të drejtohet nga Suela Zhegu dhe ka si anëtare Brunilda Bekteshin dhe Valbona Sanxhaktarin. Seanca dëgjimore është planifikuar të zhvillohet në orën 12.00 në godinën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit të Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Lubonja zotëronte një pasuri me vlerë 4 milionë lekë në vitin 2003-e cila përbëhej nga pronësia e 1/3 së një shtëpie banimi dhe 1.5 milionë lekë kursime në cash. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Lubonja është pesëfishuar dhe kap vlerën e 23.2 milionë lekëve.
Pasuria familjare e gjyqtarit të Apelit të Korçës ndahet në 13.2 milionë lekë likujditete bankare, 3.7 milionë lekë kursime në cash, 2.5 milionë lekë pasuri të paluajtshme dhe automjete me vlerë 3.6 milionë lekë.
Të ardhurat familjare të gjyqtarit Lubonja për periudhën 2003-2017 janë 37.5 milionë lekë. Rreth 70 për qind të tyre kanë si burim të ardhurat nga paga të gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij, ndërkohë që më shumë se 25 për qind e të ardhurave përbëhen nga likujditete të dhuruara nga të trashëguara nga prindërit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi pa probleme.
Por BIRN identifikoi në këtë analizë “flamuj të kuq”, të cilat lidhen me vlerat e konsiderueshme të dhuratave në cash apo në likujditete bankare që gjyqtari Lubonja dhe bashkëshortja e tij kanë marrë nga prindërit, të cilat kapin në total rreth 9.4 milionë lekë për të gjithë periudhën e deklarimit.
BIRN identifikoi gjithashtu se në vitin 2006 deklarohet një kredi bankare nga bashkëshortja, por në deklaratën përkatëse nuk rezulton as shuma dhe as qëllimi i përdorimit. Kjo kredi rezulton e shlyer një vit më pas.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al