Reportazh24 Mar 2016

Skelete në ndërgjegje: varret e munguara të komunizmit përndjekin familjarët

Gjetja e skeletit të njërit prej mijëra të pushkatuarve gjatë regjimit komunist lëndon plagët e pambyllura të familjarëve dhe rëndon peshën e dështimit të Shqipërisë në zbardhjen e krimeve të së shkuarës. 

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Gramoz Mazelli përballë varrit të babait në Starovë, i rivarrosur në vitin 1994. Foto:A.Bogdani

Gramoz Mazelli përballë varrit të babait në Starovë, i rivarrosur në vitin 1994. Foto:A.Bogdani

Në rrugën hyrëse të Pogradecit, qytet në lindje të Shqipërisë, kova e hirtë e një ekskavatori u ngul thellë në tokë dhe nxorri mbi sipërfaqe femurin e një skeleti njeriu.  Punëtorët u zunë në befasi; ishte dita e parë e gërmimeve për zgjerimin e rrugës së asfaltuar pranë lumit të Tërhanit-vendi famëkeq i ekzekutimeve në kohën e komunizmit.

Ekskavatori fiku motorin, punëtorët hoqën me kujdes dheun e lagësht përgjatë 2 metrave tokë dhe brenda pak minutash u gjet i gjithë skeleti.

“Dhëmbët i kishte të plotë dhe të paprishur, shndrinin ende nga bardhësia,” kujton dy javë më pas punëtori i kompanisë së ndërtimit.

Më 4 mars, policia gjeti pranë skeletit edhe një plumb të ndryshkur nga vitet, ndërsa konfirmoi dyshimet se eshtrat ishin të vjetra, me gjasë të njërit prej shumë të pushkatuarve në atë zonë nga regjimi komunist.

Lumi i Tërhanit-një zonë e izoluar mes një reparti ushtarak dhe një poligoni qitjeje gjatë katër dekadave të komunizmit është ngulitur në kujtesën e të moshuarve si vend ekzekutimesh për armiqtë e regjimit. Lugina dyshohet se mbart ende fatin e pazgjidhur të dhjetra të zhdukurve pa varr.

Gjetja e skeletit ktheu hijet së shkuarës së errët që ky vend ekzekutimesh mbart ende mbi qytetin e Pogradecit.

Një çerek shekulli pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria numëron rreth 6 mijë të pushkatuar të zhdukur, mes të cilëve edhe të dënuar politikë që vdiqën nëpër burgje.

Pas viteve ’90, familjarët e tyre u përpoqën të gjenin trupat, por vetëm një pjesë e vogël patën sukses. Përgjatë viteve 1992-1996, qindra rivarrime u bënë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa mijëra të tjerë janë ende në pritje.

Megjithatë, asnjë analizë AND-je nuk u bë për identifikimin e saktë të tyre.

Historia e pambyllur e varreve masive të komunizmit vazhdon të trazojë jetët e familjarëve dhe të rëndojë mbi ndërgjegjen e vendit, që ende nuk e ka zbardhur të shkuarën e vet.

Plagë të hapura

Lumi-i-Terhanit,-pogradec-vendi-ku-u-gjet-skeleti

Punëtorët e ndërtimit gjetën skeletin e një njeriu pranë lumit të Tërhanit, teksa po zgjeronin rrugën hyrëse të qytetit të Pogradecit.

Pesë kilometra larg vendit ku u gjet skeleti, në një lokal modest të falimentuar, i zoti- Gramoz Mazelli risjell në kujtesë një ditë pranvere të vitit 1994, kur ai dhe një grup familjarësh të sapokthyer nga internimi u gjendën në lumin e Tërhanit përballë një grumbulli eshtrash.

Gramozi, 73 vjeç kërkonte asokohe varrin e të atit, një ish-eksponent i Ballit i pushkatuar nga komunistët në shkurt të vitit 1945 dhe gojëdhënat e çuan bashkë me të tjerët në luginë. Megjithatë, e pati të pamundur të ndante eshtrat e babait mes një duzine skeletesh të paidentifikuara.

Pranë lumit të Tërhanit, familjarët ranë dakord që të ndanin kockat, për të pasur një emër dhe një varr për të afërmit.

Ceremonia e rivarrimit u bë në një ngastër toke të falur në Starovë, në periferi të Pogradecit, ku sot gjenden të veshura me pllaka mermeri rreth 50 varre ish-ushtarakësh, të dënuarish politikë apo të persekutuar në kohë të ndryshme të diktaturës.

“Me duart që na dridheshin morëm secili nga një kockë dhe një grusht dhe, i futëm në arkivole si të fëmijëve dhe i rivarrosëm,” kujton Gramozi.

Gramozi ishte vetëm 2 vjeç kur komunistët i pushkatuan babanë; Saip Mazelli ishte dorëzuar në kufirin shqiptaro-grek fillimin e vitit 1945 dhe u ekzekutua pak ditë më pas në Pogradec. Të atin nuk e njohu kurrë, por ditarin e tij, një bllok të vogël fletësh të zverdhura e ruan edhe sot me fanatizëm si një send të rrallë.

I damkosur si “biri i armikut”, Gramozi u rrit sa në një kamp internimi në tjetrin, u martua me një vajzë të së njëjtës shtresë dhe u bë baba i pesë fëmijëve, para se komunizmi të merrte të tatëpjetën. “Goja e mbyllur” ishte formula e tij për t’i mbijetuar internimit, për t’i shpëtuar burgut.

“Një jetë e tërë e vetmuar, i tillë kam mbetur edhe sot. Nuk di të komunikoj me njerëz, ul kokën dhe eci në rrugën time,” rrëfen Gramozi, ndërsa kasketa e dalë boje i mbulon një pjesë të syve të fiksuar përtokë.

Vitet ’90 e gjetën Gramozin në një fshat të thellë të Pogradecit. Me fëmijët ende të vegjël dhe një grusht plaçka të mbledhura ndër vite, ai zbriti në ‘92 në qytet, por drejtuesit e kohës refuzuan t’i jepnin të drejtën e banimit.

Gramozi u dëshpërua dhe kuptoi sa pak gjëra kishin ndryshuar.

“Ne të përndjekurit na lanë rrugëve. Pronat i humbëm, eshtrat nuk i gjetëm dhe u përballëm me halle të reja në demokraci,” thotë ai.

Neki-Kune,-Jovan-kasmollari,-dhe-muharrem-bufi

Neki Kume (djathtas), Jovan Kasmollari dhe Muharrem Bufi duke rrëfyer jetën e vështirë si “armiq të regjimit” gjatë komunizmit. Foto:A.Bogdani

Njësoj si Gramozi, edhe Neki Kume u rrit si “armik” i pushtetit. Me babanë e pushkatuar në ’44, atij i duhej të punonte dyfish për të qëndruar larg vëmendjes së Sigurimit.

Më 4 mars 2016, 75 vjeçari ishte ndër të parët që mbërriti në lumin e Tërhanit bashkë me dy miq nga shtesa e ish-të përndjekurve. Ndoqi nga afër veprimet e policisë dhe telefonoi të njohur, të cilët dy dekada pas komunizmit kërkojnë ende eshtrat e të parëve.

Ish-marangozi, prej vitesh në pension është i bindur se lugina përgjatë lumit është e mbushur me kocka. Ai vetë mban mend disa raste pushkatimesh të bujshme, të orkestruara nga ish-Sigurimi, për të cilët thuhet se u groposën aty.

Nekiu vetë e ka humbur me kohë shpresën se mund të gjejë eshtrat e të atit; trupi i tij dyshohet se prehet nën themelet e një pallati shumëkatësh, i ndërtuar pas viteve ’90 në Pogradec.

“E pushkatuan tek xhamia, bashkë me tre vetë të tjerë. Nëna shkonte për vite me radhë atje dhe qante fshehurazi,” thotë Nekiu.

Një premtim i ri ?

Dyshimet për ekzistencën e një varri masiv në Pogradec kanë vendosur një koordinatë të re mbi hartën me 29 pika të identifikuara si vende ekzekutimesh, që gjendet në Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë në qendër të Tiranës.

Bilal Kola, drejtor i Institutit i tha BIRN se lumi i Tërhanit do të përfshihet në hartë dhe në projektin që ai shpreson të nisë pa humbur kohë për gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve të komunizmit. Qeveria e majtë e Edi Ramës premtoi një operacion të gjerë për gjetjen e tyre, por projekti ka mbetur deri tani në letër.

Pinjoll i një familjeje me pesë të pushkatuar nga komunizmi, Kola ka qenë dëshmitar i peripecive të familjarëve të tij për gjetjen e eshtrave. Trupat e tyre u gjetën në rrënojat e kalasë së Shkupit dhe u rivarrosën në mesin e ’90, por Kolën e bren ende dyshimi nëse kanë gjetur apo jo të duhurat.

“Pa analizat e ADN-së, askush nuk mund të jetë i sigurtë,” thotë ai.

Skeleti i gjetur në Pogradec nuk është i vetmi që prêt të marrë një emër në morgun e Tiranës. Në vitin 2010, në malin e Dajtit u zbulua një varr masiv me 13 skelete njerëzore, por eshtrat gjenden prej 5 vitesh të paidentifikuara.

Në dhjetor 2015, qeveria nënshkroi një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, organizatë prestigjoze që ka mundësuar identifikimin e qindra viktimave në Bosnje, Kosovë apo vende të tjera në konflikt.

Projekti i identifikimit të viktimave ka në thelbin e vet analizat e ADN-së dhe përputhjen me kampionët e familjarëve, ndërkohë që për nisjen e fazës së parë nevojiten 950 mijë euro, të cilat mungojnë.

Ermira Shtino, drejtoreshë për ish-të përndjekurit në Ministrinë e Mirëqënies Sociale i tha BIRN se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për gjetjen e fondeve përmes donatorëve. Buxheti i shtetit, sipas saj nuk arriti të parashikonte para për vitin 2016.

“Kemi aplikuar me projekte konkrete për fonde të Delegacionit Europian, për të mbyllur të paktën dy fazat e para të propozuara,” tha Shtino.

E ndërgjegjshme se durimi i familjarëve i ka tejkaluar kufinjtë, Shtino garanton megjithatë se shteti do t’i përmbahet angazhimit të vet për gjetjen e viktimave të komunizmit.

“..Tema të lëna pas dore, premtime të pambajtura, vështirësia reale lidhet me mosbesimin e familjarëve për pothuaj të gjitha iniciativat e ndërmarra deri më tani, “ tha ajo.

Në hartën ekzistuese, shumica e vendvarrimeve gjenden pranë luginave të lumenjve; një tjetër vështirësi kjo me të cilën mund të përballet projekti në të ardhmen.

Bilal Kola tregon se kjo ishte një skemë e Sigurimit-policisë sekrete të regjimit komunist për të zhdukur gjurmët e një krimi masiv. Ai beson se shumë mbetje kockore mund të jenë dëmtuar, por ekspertiza e ICMP do arrijë të gjejë sipas tij një pjesë të madhe të tyre.

“Shpresa është e vakët për t’i gjetur dhe identifikuar të gjithë, por diçka do të bëhet,” parashikon ai.

Mësim nga e shkuara

Nisma e qeverisë “Rama” nuk është përpjekja e parë që Shqipëria ka bërë për t’u dhënë një varr të pushkatuarve të diktaturës. Në vitin e largët 1992, një marrëveshje tre-palëshe mes krerëve të lartë të politikës prodhoi një strukturë të posaçme për t’u dhënë një përgjigje familjarëve të dëshpëruar.

Mbi 100 skelete u gjetën në atë kohë, por mijëra të tjerë mbeten ende nëntokë.

Ilir Turtulli sapo kishte përfunduar Akademinë e Policisë në Tiranë kur e ngarkuan me misionin e pazakontë të gjetjes së eshtrave. Sot rreth të 45-ave, Turtulli është një oficer në lirim dhe askush nuk i ka kërkuar të ndajë përvojën e vet me hartuesit e strategjisë së re për gjetjen e viktimave të komunizmit.

“Lumi i Tërhanit është padyshim varrezë masive. Kemi gjetur 20 skelete atje, por erozioni dhe rrëshqitja e dheut na pengoi të gjenim të tjerë trupa,” kujton Turtulli.

Turtulli i tha BIRN se nga viti 1992 deri në 1996, struktura e vogël në varësi të Ministrisë së Brendshme gërmoi në 27 zona në të gjithë Shqipërinë dhe gjeti mbi 100 skelete. Megjithatë, ai e kuptoi shpejt se praktika e Sigurimit për vendvarrimet e “armiqve të regjimit” mbulohej nga konspiracioni i plotë.

Në arkivë u gjetën skicat e vendvarrimeve-por koordinatat ishin të përgjithshme ndërsa trupat e sapopushkatuar groposeshin shpeshherë larg vendeve të përcaktuara. Dosjet megjithatë kishin mangësi dhe në shumë raste, fletë të grisura.

Togat e pushkatimit arrinin deri në 20 vetë, përfshirë njerëzit që rrethonin vendin, grupin e zjarrit, prokurorin dhe mjekun ligjor. Por Turtulli thotë se identitetin e të dënuarit me vdekje e dinin vetëm 2-3 prej tyre.

“Grupi i zjarrit përbëhej nga 5 vetë; katër qëllonin me plumb manovër dhe vetëm njëri me  fishek të vërtetë. Në fund, secili mendonte se ishte vrasësi,” tregon Turtulli.

Paralelisht me kërkimet në arkivë, Turtulli tregon se ka takuar dhjetra ish-funksionarë të regjimit komunist, për të mësuar më shumë mbi vendvarrimet. Ish-prokurorë, sigurimsa, pjesmarrësh në toga pushkatimi apo hierarkë të lartë të diktaturës; të gjithë përpiqeshin në atë kohë të jetonin në hije.

Dëshmitë jepeshin në bazë vullnetare, ligji nuk detyronte askënd të rrëfehej. Turtulli tregon se kjo mangësi përforcoi kodin e heshtjes për krimet e diktaturës.

“Gjatë atyre katër viteve kam zbuluar fakte të tmerrshme për diktaturën, por asgjë nuk më habiti më shumë sesa këta njerëz. Asnjë prej tyre nuk shfaqi fijen më të vogël të pendesës,” thotë ai.

Dy dekada pas punës së parë në polici, zbardhja e së shkuarës e intrigon vazhdimisht Turtullin-ai mendon se një operacion serioz i ndërmarrë nga shteti për t’i shkuar në fund kësaj çështje do t’u jepte përgjigje lutjeve shumëvjeçare të familjarëve.

Ndryshe nga skepticizmi i gjerë që rrethon këtë projekt, ai mendon se gjetja e eshtrave është ende e mundur, ndërkohë që angazhimi i shtetit do të prodhonte efekte të tjera pozitive.

“Familjarët e viktimave të komunizmit janë të brengosur nga mosgjetja e eshtrave; por më shumë ata i vret indiferenca dhe lënia në harresë,” përfundon Turtulli.