Lajm20 Sep 2018

Socialistët hapin ‘garën’ e paragjykuar për shembjen e Teatrit

Maxhoranca socialiste votoi në mënyrë të debatueshme "pranimin" e dekretit të Presidentit Meta për rishqyrtimin e ligjit për teatrin dhe njëkohësisht, ndryshime kozmetike në këtë ligj, një precedent në praktikën ligjvënëse të cilën opozita e konsideroi të jashtëligjshme.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Aktorë dhe aktivistë në protestën e të enjtes më 20 shtator 2018 kundër shembjes së selisë historike të Teatrit Kombëtar. Foto: Malton Dibra/LSA

Deputetët e Partisë Socialiste vendosën në mënyrë të debatueshme të votonin atë që e quajtën “pranim të dekretit të Presidentit Ilir Meta” që kthente për “shqyrtim në tërësi” ligjin për koncesionin e Teatrit Kombëtar, por paralelisht me “pranimin” vendosën ndryshime në të njëjtin ligj, në një praktikë që shkel rregullat e zakonshme ligjvënëse të Kuvendit dhe që u kritikua nga opozita si antiligjore.

Ndryshimet e propozuara nga socialistët në ligjin special dhe të publikuara nga Kuvendi i Shqipërisë vetëm pak orë para miratimit në seancë plenare të enjten, [link] anashkalojnë një numër ligjesh mbi prokurimin publik, duke zëvendësuar institucionin aktual Agjencia e Prokurimit Publik me një grup negociator të udhëhequr nga kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj si dhe duke zëvendësuar institucionin aktual Komisioni i Prokurimit Publik, i cili shërben si institucion apeli, me vetë kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, duke krijuar në këtë mënyrë një konflikt të hapur interesi, pasi i njëjti person negocion dhe shpall fitues një ofertë dhe po ai shqyrton ankesat e mundshme mbi vlerësimin e ofertave dhe shpalljen e fituesit.

Opozita parlamentare e bojkotoi seancën e të enjtes duke zhvilluar një takim në qytetin e Vlorës, ku denoncoi si ligjin e teatrit në tërësi ashtu edhe ndryshimet e propozuara nga deputetët socialistë Ilir Beqaj dhe Eduart Shalsi si antiligjore.

“Edi Rama dhe hajdutët e tij në Parlament u kapën flagrantë në vjedhje përmes procedurës së përshpejtuar me Ligjin Rama-Fusha për grabitjen e Teatrin”, tha Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike.

Kryeministri Rama iu përgjigj duke nxjerrë një dokument që sipas Ramës, tregon se Basha është hipokrit, pasi ka firmosur privatizimin e Teatrit të Varietesë të Tiranës, kur ishte kryetar bashkie në vitin 2013. Menjëherë pas kësaj, deputetët e tij votuan për pranimin e dekretit të presidentit dhe ndryshimin e ligjit.

Jashtë sallës së seancave plenare të kuvendit, disa dhjetëra qytetarë protestuan në mbrojtje të selisë aktuale të teatrit kombëtar dhe kundër shembjes së tij. Aktivistët kanë organizuar takime të përditshme në mbrojtje të teatrit dhe të pronës publike që nga fundi i qershorit.

Dekreti

Presidenti Ilir Meta ktheu për shqyrtim ligjin kontrovers që fillimisht përcaktonte kompaninë Fusha sh.p.k si fituese të projektit “me procedurë të veçantë negociimi”, ligj që anashkalon kuadrin ligjor ekzistues për menaxhimin e pronës publike, për prokurimin publik apo për partneritetin publik-privat.

Meta argumentoi se ligji në fjalë shkel parimet kushtetuese të vendit në një numër rastesh, përfshirë faktin që ndërtimi i pallateve në qendër të Tiranës bëhet me ligj ndërkohë qëështë kompetencë e pushtetit vendor, apo që ligji nuk mbart një analizë të qartë të kostove dhe përfitimeve ekonomike, apo se ai shkel parimin e konkurrencës së lirë në treg.

Dekreti i Metës nuk i bëri përshtypje socialistëve, të cilët deklaruan se do ta rrëzonin atë menjëherë. Por në fillim të shtatorit, socialistët u detyruan të ndryshojnë mendim, kur pas kërkesave të protestuesve, Komisioni Europian vlerësoi ligjin duke e gjetur përcaktimin fitues të Fusha sh.p.k që në ligj, një shkelje potenciale të parimit të konkurrencës së lirë si dhe të parimit të mosdhënies së ndihmës shtetërore për një aktor ekonomik në një treg të caktuar.

Në vështirësi për t’u përballur me vlerësimin e Komisionit, socialistët pranuan se do të ndryshonin ligjin për të vendosur konceptin garë, duke hequr nga ligji emrin e kompanisë Fusha sh.p.k. Ata deklaruan se do ta pranonin dekretin e presidentit dhe do ta ndryshonin ligjin. Deputetët e opozitës kundërshtuan ashpër praktikën, duke argumentuar se një dekret për kthim ligji, ose rrëzohet, ose pranohet nga parlamenti dhe nëse pranohet, atëherë ligji do të duhet të futet në procedurë normale parlamentare, e cila zgjat zakonisht disa javë. Edhe vetë Kuvendi i Shqipërisë ishte i paqartë se çfarë po bënte. Në dokumentin e axhendës së seancës plenare, Kuvendi shkruan se do të votohet “për rrëzimin e dekretit”, [link] ndërsa vetë relacioni i komisionit të veprimtarive prodhuese thotë se komisioni me shumicë votash “vendosi t’i rekomandojë seancës plenare miratimin e dekretit”. Dhe përveç miratimit të dekretit, komisioni propozoi edhe ndryshimet.

Funksionarë të opozitës politike e konsideruan taktikën e ndjekur si antiligjore pasi ndryshimet e bëra nuk iu nënshtruan procedurës normale ligjvënëse. Ato u propozuan të mërkurën nga deputetët Beqja e Shalsi dhe u miratuan të enjten në kuvend, ndërkohë që në procedurë normale, një ndryshim ligjor duhet t’i nënshtrohej publikimit paraprak dhe shqyrtimit parlamentar disajavor para se të mund të votohej në seancë plenare.

Një garë e paragjykuar

Ndryshimet e miratuara nga shumica socialiste përcaktojnë që për zhvillimin e tokës së teatrit kombëtar dhe pronave publike e private ngjitur do të ketë një “garë”, por i gjithë kuadri ligjor aktual i prokurimeve publike si dhe disa parime të shëndosha si e drejta e apelimit, janë zëvendësuar me disa rregulla specifike ku gjithçka vendoset nga Këshilli i Ministrave dhe kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.

Sipas ndryshimeve, Këshilli i Ministrave do të miratojë një akt nënligjor pas miratimit të ligjit për të përcaktuar “kriteret, ndërsa kryetari i bashkisë do të hapë një garë brenda ditës së shpalljes së VKM. Kompanitë e interesuara do të kenë 60 ditë kohë për të hedhur propozime. Një komision i përbërë nga Bashkia Tiranë dhe disa ministri, do të ketë për detyrë të vlerësojë ofertat brenda 30 ditëve. Kompanitë që nuk pëlqejnë vlerësimin e ofertave, do të kenë të drejtë të ankohen… te pikërisht një nga personat që kanë bërë vlerësimin e ofertave, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Ky i fundit mund të kërkojë nga komisioni ku ai vetë bën pjesë, një rivlerësim ose lënie në fuqi të vlerësimit fillestar.

Vetëm pas kësaj, Komisioni do të vijojë negocimin me kompaninë e shpallur fituese dhe në fund, do të dërgojë kontratën për miratim final në Kuvendin e Shqipërisë.

Në kuadrin ligjor ekzistues për prokurimin publik, një palë pjesëmarrëse në një tender nuk ankohet te një nga anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, por te një institucion teorikisht i pavarur që quhet “Komisioni i Prokurimit Publik”. Ky komision nuk vlerëson oferta prokurimi, por vlerëson ankedat mbi renditjen e ofertave të prokurimit.

Kryeministri Rama dhe një numër mbështetësish të tij kanë deklaruar sakaq hapur se gara do të jetë formale dhe se fituesi do të jetë sërish e njëjta kompani e përcaktuar në ligjin e mëparshëm. Vetë Rama deklaroi në emisionin “Open” të Top Channel: “Do ndodhi që një kompani tjetër duhet të marrë prokurat e pronësisë dhe të vij të ndërtojë Teatrin”, duke sugjeruar se për shkak se Fusha ka nën pronësi një pjesë të vockël të truallit që pritet të zhvillohet, ajo vështirë se do të japë prokurë për një konkurrent të mundshëm.