Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se Avokatura e Shtetit ka kërkuar që të mos ketë hetim parlamentar mbi gjyqin mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenit Becchetti. Avokatja e Shtetit i cilësoi “konfidenciale” argumentet e dërguara në Kuvend.
Grupi parlamentar socialist vendosi të hënën që të rrëzojë një nga tre kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare këtë sesion parlamentar, lidhur me çështjen “Becchetti”.
Kreu i grupit, Taulant Balla deklaroi se PS do të votojë kundër hetimit, pasi sipas tij, nuk janë mbyllur procedurat ligjore për gjyqin ndërkombëtar mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenit italian, Francesco Becchetti.
Vendimi i PS-së u parapri nga një sugjerim zyrtar i Avokates së Shtetit, Brunilda Lilo, e cila argumenton pse një hetim parlamentar do të cënonte interesat e Shqipërisë në vazhdimin e procesit ligjor të kësaj çështjeje. E pyetur nga BIRN, Lilo tha se “argumentet janë objekt konfidencialiteti”.
“Jemi njoftuar që ka një proces edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjykata ka administruar me vendim që gjithë dokumentacioni të jetë konfidencial, që të mos dëmtohen interesat e palëve,” tha Balla. Ai shtoi se komisioni mund të ngrihet në një moment të dytë.
Partia Demokratike njoftoi se do të insistojë për ngritjen e këtij komisioni me objekt kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të funksionarëve publikë që çuan në një faturë miliona euro për taksapaguesit shqiptarë.
“Të fshehësh dosjen ndoshta më të madhe korruptive të këtyre viteve, dosjen Becchetti, nuk është në interes të Shqipërisë, por është në interes të Edi Ramës, Erion Veliajt, Ëngjëll Agaçit dhe Alma Hiçkës,” tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.
“Sipas Kushtetutës, mazhoranca nuk mund ta bllokojë ngritjen e komisionit hetimor, por me vendim kartonash edhe bllokohet,” i tha BIRN nënkryetari i Kuvendit, Enkelejd Alibeaj.
Gjyqi mes biznesmenit italian lidhet me vendimin e qeverisë “Rama” për të konfiskuar asetet e kompanive të tij në Shqipëri, përfshirë hidrocentralin në ndërtim të Kalivaçit dhe televizionin Agon Channel në kuadër të një hetimi për pastrim parash.
Një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, që njihet si Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milionë euro me argumentin se mbyllja e televizionit Agon Channel ishte “motivuar politikisht”.