Lajm13 Feb 2020

Socialistët propozojnë përgjime policore pa urdhër prokurori

Një ndryshim në ligjin për Policinë e Shtetit i jep të drejtë kësaj të fundit të urdhërojë përgjime telefonike dhe ambientale pa pasur nevojë të pajiset me autorizim nga prokurorët ndërsa Prokurori i Përgjithshëm dhe kryetari i SPAK detyrohen të raportojnë te një komision i drejtuar nga Ministri i Brendshëm.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Edi Rama ne parlament. Foto: LSA

Policia e Shtetit pritet të fitojë të drejtën për të kryer përgjime ambjentale, përgjime telefonike apo fotografime e video të personave që ajo gjykon se kanë duke kryer një vepër penale, pa pasur nevojë të pajisen me autorizim nga prokuroria ndërkohë që dy drejtuesit më të lartë të prokurorisë kthehen në vartës të Ministrit të Brendshëm, sipas propozimeve të kryeministrit Edi Rama për ndryshime në ligjin aktual për Policinë e Shtetit.

Autorizimi i policisë për të kryer përgjime shoqërohet me instituimin e një koncepti të ri të quajtur “procedim policor”, si dhe me krijimin e një Komiteti në të cilin, dy drejtuesit e shërbimeve të prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, do të duhet të raportojnë te Ministri i Brendshëm.

Propozimet për ndryshime në këtë ligj janë bërë nga Këshilli i Ministrave dhe depozituar në Kuvendin e Shqipërisë.

Projektligji prek një çështje e cila shpreh një dëshirë të vjetër të socialistëve për t’i ngarkuar policisë fuqi përgjimi, një çështje që është shqyrtuar sakaq nga Gjykata Kushtetuese dhe është rrëzuar si anti-kushtetuese.

Në vitin 2014, qeveria kërkoi krijimin e të ashtuquajturës Byro Kombëtare të Hetimit, e cila kishte mes të tjerash edhe fuqinë për të përgjuar pa autorizim nga prokuroria. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të vitit 2015, e shfuqizoi këtë nen si antikushtetues, për shkak se kushtetuta e cakton prokurorinë si institucioni i vetëm që kryen ndjekjen penale.

Në ligjin aktual të Policisë së Shtetit, në nenin 131 “Masa të veçanta” shkruhet: “…punonjësi i policisë me gradën “Kryekomisar” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, kërkon autorizimin nga prokurori,” për të kryer përgjime. Ndërsa në nenin 131 sipas ndryshimeve të propozuara nga qeveria shkruhet se policia përdor “masa të veçanta” pa pasur nevojë të marrë autorizim nga prokuroria.

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin e vitit 2014 me argumentin se cënon themelet e rendit kushtetues, përfshirë Nenin 7, ndarja dhe balancimi i pushteteve, dhe nenit 148 të Kushtetutës, i cili autorizon prokurorinë si institucioni që kryen hetime, por nuk jep një autorizim të tillë edhe për Policinë e Shtetit.

 

Info

Ligji aktual

Neni 131

Masa të veçanta

  1. Kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka kryer një vepër penale ose po planifikon apo po organizon që të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi, punonjësi i policisë me gradën “Kryekomisar” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, kërkon autorizimin nga prokurori për të marrë masat e mëposhtme:

Projektligji i propozuar:

“Neni 131

Masa të veçanta

  1. Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta:

 

Kushtetuta

Neni 7
Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Neni 148

  1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj.