Lajm6 Feb 2019

Socialistët rikthejnë pas një viti propozimin kontrovers të imunitetit

Disa ndryshime në rregulloren e punës së Kuvendit të Shqipërisë, të propozuara fillimisht në janar 2018 dhe që duket se përforcojnë rolin e kuvendit në rastet e arrestimeve të deputetëve apo ministrave, u rikthyen për shqyrtim nga maxhoranca socialiste duke u miratuar mes debateve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Deputetët, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj, Ulsi Manja, Klotilda Bushka, Fatmir Xgafaj, Vasilika Hysi, Adnor Shameti, Damian Gjiknuri dhe Alket Hyseni, në një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Ligjeve në Tiranë më 30 janar 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Një vit më parë, në janar 2018, deputeti Taulant Balla propozoi disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, të cilat u kritikuan si të tilla që forcojnë imunitetin e deputetëve dhe ministrave në rast kërkesash për arrest apo arrestim në flagrancë. Të lëna në harresë që nga ajo kohë, propozimi Balla [Link], u rikthye në procedurën parlamentare të Mërkurën më 6 shkurt kur Komisioni Parlamentar i Ligjeve ku u miratua me votat e shumicës socialiste.

Maxhoranca dhe opozita debatuan mbi propozimet, ku pika më e debatueshme është përmendja e fjalës “provë” në procedurën e heqjes së imunitetit të një deputeti.

Propozimi aktual synon në veçanti ndryshime në nenet 118 dhe 119 të rregullores së funksionimit të Kuvendit, ku përcaktohet procedura e dorëzimit të një kërkese nga prokuroria për arrestim deputeti apo ministri si dhe miratimi i kësaj kërkese nga ana e kuvendit.

Propozimi thotë: “Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën”.

Ky formulim është pak i ndryshëm nga rregullorja ekzistuese ku flitet për “dokumente shoqëruese” por jo për “prova” në mbështetje të kërkesës.

Çështja ishte veçanërisht sensitive në janar 2018, kur u bë fillimisht propozimi, për shkak se në atë kohë, maxhoranca socialiste sapo kishte dalë nga vendimi për të mos lejuar Prokurorinë të arrestonte ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, pasi e shpalli akuzën e ngritur prej tij “të motivuar politikisht” dhe të pabazuar në prova.

Opozita argumentoi në atë kohë se pozicioni i Kuvendit nuk është i tillë që lejon shqyrtimin e ligjshmërisë apo provave të kërkesës së prokurorisë, pasi këto duhet të shqyrtohen nga gjykata.

Kjo është tentativa e dytë e shumicës socialiste që synon forcimin e imunitetit të deputetëve ndaj kërkesave për arrestim.

Në shtator të vitit të kaluar, Byroja e Kuvendit me votat e shumicës socialiste miratoi një dokument interpretues të “Kodit të Sjelljes” të deputetëve. Ndonëse në kodin e sjelljes shkruhet se deputeti nuk duhet të abuzojë me imunitetin e tij për të penguar arrestimin apo kontrollin e banesës, në dokumentin e interpretimit të këtij kodi shkruhet ekzaktësisht e kundërta, duke argumentuar se imuniteti parlamentar është një “filtër kontrolli” kundër përpjekjeve hipotetike nga prokurorët për të goditur “funksionimin e kuvendit” apo “pavarësinë” e këtij institucioni.

Link: Njoftimi i Kuvendit

Lexo më shumë:

“Filtër kundër destabilizimit”, parlamenti forcon imunitetin e deputetëve

Imuniteti i Saimir Tahirit thellon hendekun midis politikës dhe sundimit të ligjit

Deputetët socialistë propozojnë forcimin e imunitetit parlamentar