Dërgohen për gjykim 7 nga të hetuarit si autorë të rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së trupit të 49-vjeçarit Jan Prenga. Prokuroria e Posaçme la të kuptohej vijimin e hetimeve ndaj Altin Hajrit, bashkëpronar në resortin “Golden” ku u pa për herë të fundit trupi i pajetë i të ndjerit, ndërsa për pesë persona në hetim, përfshi të afërm të Hajrit çështja u pushua.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën përfundimin e hetimeve për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në fund të muajit dhjetor të vitit 2019, duke konkluduar me pushimin e akuzave për pesë nga të hetuarit dhe dërgimin e çështjes në gjyq për 7 të tjerë përfshi Dritan Rexhepin i cili gjendet i burgosur në Ekuador.
Të akuzuarit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini janë dërguar për gjykim si të pandehur për veprat penale “rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja; “mbajtje pa leje e armëve luftarake”; “fshehja dhe asgjësimi i kufomës”; “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas njoftimit të prokurorisë akuzat u pushuan ndaj të afërmve të Altin Hajrit, pronarit të resortit luksoz “Golden” në afërsi të Shijakut, në garazhin e të cilit u filmua për herë të fundit trupi i Jan Prengës.
Për çështjen ndaj vetë Altin Hajrit, po ashtu i akuzuar për pengmarrjen e Prengës, nuk ka informacion në njoftimin për shtyp, por në përgjigje të një pyetje nga BIRN zëdhënësja e SPAK tha se ndaj disa personave vijonin hetimet. “Për personat e tjerë që mund të rezultojnë si të përfshirë në ngjarjen e ndodhur, po vazhdojnë hetimet”, tha zëdhënësja kur u pyet konkretisht për hetimet ndaj Altin Hajrit.
Në njoftim SPAK thotë se Jan Prenga u rrëmbye për shkak të mosmarrëveshjeve të një bande kriminale të trafikut të drogave të forta nga Amerika Latine me të vëllain e tij në Britaninë e Madhe.
SPAK sqaron se nga hetimi ka rezultuar se të pandehurit Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës Jani Prenga me banim në Kamëz. “Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli“, citohet në njoftim.
Sipas prokurorisë, ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Policia tha pas zbulimit të ngjarjes se kishte prova të pakundërshtueshme se Jan Prenga ndërroi jetë nga dhuna ditën e rrëmbimit më 17 janar 2019, ndërsa kufoma e tij u zhduk. Ndërkohë, në medie u publikuan pamje nga kamerat e sigurisë në bodrumin e resortit “Golden”, ku shfaqeshin autorët e rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës teksa largonin trupin e pajetë të 49-vjeçarit Prenga.
Fillimisht u arrestuan si autorë të rrëmbimit dhe vrasjes së Prengës katër persona, Leonard Hajri, Elton Hajri, Bajram Hajri dhe Olsi Turja. Gjithashtu, u arrestua për “fshehje ose asgjësim të kufomës” 30-vjeçari Festim Bexhdilli nga Kavaja, ndërsa u shpall në kërkim Altin Hajri.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, OFL u sekuestrua me bujë kompleksi me mermer të bardhë e stil antik me kolonada, lulishte dhe shatërvanë me pronësi të ndarë mes Altin Hajrit dhe kompanisë “Kastrati”, që ka ofruar prej vitesh mjedise luksi për organizimin e dasmave.
Por, SPAK u tërhoq nga kërkesa e sekuestrimit të këtij kompleksi në fund të procesit dhe gjykata respektive konkludoi se ishte ndërtuar me burime të ligjshme, pasi i ishte nënshtruar më parë hetimit pasuror në kuadër të ligjit “Antimafia”. Në njoftimin e SPAK thuhet se në kërkesën e dërguar në gjykatë është kërkuar pushimi i akuzës për personat nën hetim Bajram Hajri, Leonard Hjari, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj.