Lajm2 Apr 2020

SPAK i kërkon gjykatës të gjykojë 17 të pandehur për falsifikim vizash e dokumentesh zyrtare

Të pandehurit që u ndaluan një vit më parë gjatë operacionit “Rruga e gabuar”, akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që nëpërmjet dokumentesh të falsifikuara kontrabandonin njerëz në ShBA, Kanada dhe Britaninë e Madhe.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

GJykata e Krimeve të Rënda. Foto: LSA

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të enjten më 2 prill, se kishte përfunduar hetimet ndaj disa prej anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal që akuzohen se kishin krijuar një rrjet të trafikimit të qënieve njerëzore për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas SPAK, 17 të pandehurit për të cilët dosja është përcjellë në gjykim më datë 31 mars, kujdeseshin për të falsifikuar dokumentet dhe vizat që shërbenin për kalimin e personave të interesuar në pikat kufitare.

Në njoftim sqarohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetri dhe persona të tjerë, ata kryenin falsifikime të dokumenteve zyrtare, si letërnjoftime, pasaporta dhe viza, duke pajisur persona të ndryshëm me dokumente të falsifikuara kundrejt përfitimit monetar dhe material, me qëllim trafikimin e tyre nëpërmjet linjave ajrore dhe linjave të tjera të udhëtimit për në vendet e premtuara.

Në ditët në vijim, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të shyqrtojë në seancë paraprake kërkesën për gjykim të prokurorisë, ku do të vendosë nëse do të praojë ose jo nisjen e procesit ndaj të pandehurve: Dritan Gramozi, Aleksia Kamaj, Vejsel Gjolleshi, Arjan Shehu, Dashamir Seferi, Kostaq Gjoka, Dashnor Tafani, Astrit Ziguri, Rezart Hoxha, Leonard Markaj, Glej Shehu, Afrim Emini, Ermal Mema, Ilia Margo, Çajup Tefa, Marlen Shoshaj dhe Gjergji Mezuraj.

Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”; “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”; “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 189/2, 190/2, 298/2, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Për këtë çështje, janë dërguar më parë për gjykim të pandehurit Ilir Myrtaj, Alfred Myrtaj, Marjo Myrtaj, Albert Xhelili, Gentjan Stojku, Florjan Hysenaj, Keldi Beshi, Arben Kadiu, Shkelqim Mema, Ismail Alushani, të cilat janë shpallur fajtorë. Sipas SPAK, vazhdon ende hetimi  për pjesëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal.

Të pandehurit u arrestuan gjatë operacionit “Rruga e gabuar” mbrëmjen e 2 shkurtit 2019, kur u ndaluan 32 persona. Ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi atëherë se nga hetimet kishte rezultuar se nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej kryesisht  nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia. Ata kontrabandoheshin drejt Shteteve të Bashkuara, Kanadasë apo Britanisë së Madhe kundrejt vlerave që arrijnë deri në 20 mijë euro.