Lajm14 Jun 2021

SPAK kërkon konfiskimin e pasurisë marramendëse të Ylli Ndroqit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ka kërkuar sekuestrimin e shoqërive tregtare, si dhe pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të Ylli Ndroqit, pronarit të televizionit Ora News.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Rrolls Royce i Ylli Ndroqit

Në qoftëse makina Benz Mercedez modeli S600, konsiderohet ekuivalenti i një bilete avioni të klasit të parë në botën e automjeteve, një Roll Royce Phantom është gati një avion lluksoz privat.

Këto janë vetëm dy nga makinat e shtrenjta që kushtojnë qindramijëra euro të Ylli Ndroqit, i njohur gjithashtu si Xhemal Pamaçiu, për të cilat Prokuroria e Posaçme ka kërkuar konfiskimin, për shkak se beson se janë produkt i pastrimit të veprës penale të trafikut të drogës.

“Lidhur me pasuritë e sekuestruara ekzistojnë të gjitha kushtet e parashikuara në nenin 24 të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për të vendosur konfiskimin e tyre,” tha Prokuroria e Posaçme në njoftim për shtyp.

Përfaqësuesi ligjor i Ylli Ndroqit, Besnik Muçi tha se nuk mund të komentonte për momentin mbi njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, por shtoi se do të dilinin së shpejti në një komunikim me median pas marrjes së kërkesës nga SPAK. Më herët Ndroqi i ka kundërshtuar akuzat si të frymëzuara nga politika, si pasojë e raportimit kritik të televizionëve në pronësi të tij ndaj zyrtatëve të lartë të Partisë Socialiste në pushtet.

Përveç dy mjeteve lluksoze të targuara me numrat ‘007’ – një homazh ndaj agjentit sekret britanik James Bond në romanet e shkrimtarit Ian Fleming, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar sekuestrimin e 10 shoqërive tregatare në pronësi të Ndroqit dhe familjarëve të tij – përfshirë televizionet Ora, Ora News dhe Channel One.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, midis të ardhurave të shtetasit Ylli Ndroqi dhe familjarëve të tij nga viti 1998 deri në vitin 2020, ka një diferencë prej 3 milionë euro.

Sipas SPAK, Ndroqi është arrestuar në shtator 1998 në Turqi në kuadër të operacionit “ESAS” për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 30.5 kg heroinë si dhe janë arrestuar përveç tij edhe Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar dhe Abdulselam Yunus.

Ndërsa në vitin 2004, autoritetet italiane e kanë referuar Ndroqin tek autoritetet gjyqësore si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.