Tetë ditë pasi ishte marrë vendimi nga Gjykata e Posaçme dhe tre ditë pas zgjedhjeve, SPAK njoftoi vendosjen në sekuestro të një pjese të pasurisë të tre ish-gjyqtarëve, Fatos Lulo, Bashkim Dedja dhe Shkëlzen Selimi.
SPAK njoftoi të mërkurën se ishin vendosur në sekuestro pasuritë e dy ish-gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe një ish-gjyqtari të Gjykatës së Lartë, me akuzat e mosdeklarimit, fshehjes dhe deklarimit të rremë.
Njoftimi për mediat u publikua tetë ditë pas vendimit për këtë sekuestro nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i marrë në 20 prill, në të cilin është miratuar kërkesa e prokurorisë mbi këto sekuestro.
Sipas njoftimit është sekuestruar një dyqan 172 metra në pronësi të ish-gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulos në Tiranë, një shtëpi 60 metra katrorë në Kryemëdhej Golem, në pronësi të ish-gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, një karburant në Lungomare në emër të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi dhe dy pasuri në emër të babit të këtij të fundit.
SPAK pretendon se pasuritë po bllokoheshin bazuar mbi ligjin për “Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”. Prokuroria njofton se kishte filluar hetimet mbi këtë çështje në maj të vitit 2020. “Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur”, thuhet në njoftim.
I pyetur nga BIRN, Fatos Lulo, gjyqtari i parë i shkarkuar nga procesi i vetingut për probleme të pasurisë, tha se nuk kishte dijeni për çështjen dhe ishte informuar për këtë nga media. “Të gjitha dijenitë i kam marrë përmes shtypit. Nuk di çfarë veprimesh ka bërë prokuroria”, tha Lulo. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetues Bashkim Dedja, i cili u shkarkua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, nuk qe i arritshëm për koment.
Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili u shkarkua gjatë procesit të vetingut për lidhje me krimin e organizuar, e cilësoi absurd vendimin. Duke iu referuar vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili konfirmoi në detyrë bashkëshorten e tij Rilinda Selimi, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Administrativ, në 14 dhjetor 2020, Selimi tha se pasuria e tij ishte e vetuar dhe nuk ishte gjetur asnjë problem.
“Kjo pasuri është hetuar dhe vetingu KPK — në rastin e bashkëshortes, me unanimitet vendosi konfirmimin në detyrë”, tha Selimi, ndërsa pretendoi se në KPK ishin raportuar të gjitha të dhënat. Ai tha se vendimi i sekuestros i dukej i çuditshëm, por nuk i dinte ende motivet.
Vendimi i KPK-së për Rilinda Selimin është ankimuar nga Komisioneri Publik pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që e cilësoi hetimin e Komisionit mbi pasurinë sipërfaqësor dhe të paplotë.
Ndërkohë ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim reagoi menjëherë pas njoftimit duke e konsideruar atë hap përpara të refromës në drejtësi. “Reforma në Drejtësi nuk do jetë e shpejtë, e lehtë apo perfektë, por po lëviz përpara, hap pas hapi”, shkroi Kim.
Edhe kreu i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca e cilësoi sekuestron si provë që reforma në drejtësi po funksionon.
Pasuritë e sekuestruara sipas njoftimit përfshijnë një dyqan 172 m2, në rrugën e Durrësit në Tiranë në pronësi të Fatos Lulos. Lulo u shkarkua nga KPK dhe më pas vendimi mori formë të prerë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për probleme në kriterin e pasurisë. Trupat e vetingut gjetën se Lulo kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë, përfshi deklarimin për mjedisin 172 metra.
Ndërkohë Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese e kaloi shkallën e parë të rivlerësimit. Vendimi për Dedjan u ankimua nga Komisioneri Publik dhe ai u rrëzua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, i cili në rastin e tij vendosi precedentë mbi mënyrën se si do të gjykoheshin remitancat dhe po ashtu lidhi Dedjan përmes një kontrate me OSHE me apartamentin në Golem që pretendohej se ishte i vëllait.
Përkundër tyre Shkëlzen Selimi u shkarkua vetëm mbi kriterin e figurës. Ai u gjet sipas KPK dhe më pas KPA me lidhje me Krimin e Organizuar. Pasuritë e Selimit kaluan në procesin e rivlerësimit kur këtij iu nënshtrua bashkëshortja, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit. KPK nuk gjeti probleme shkarkuese në rastin e saj. Vendimi megjithatë është ankimuar për të tre kriteret nga Komisioneri Publik, me rekomandim të ONM-së.
Karburanti në Lungomare në Vlorë, një prej pasurive të sekuestruara, zotërohet vetëm 50 për qind nga Selimi, ndërsa pjesa tjetër është në zotërim të kompanisë Kastrati. Leja e ndërtimit të një tende mbi këtë karburant vetëm pak kohë pasi në të njëjtën zonë ishin prishur dhjetëra ndërtime për t’i hapur rrugë investimit publik, ngjalli debat. Kryeministri Edi Rama, i cili kishte firmosur lejen, e cilësoi atë peshqesh të KÇK-së.