Pas akuzave për korrupsion dhe pastrim të parave, SPAK ngre dyshime se mjeku kardio-kirurg, Edvin Prifti ka përdorur një skemë me fatura tatimore false, ndërkohë që mbrojtësit pretendojnë se depozitat bankare janë të justifikuara.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten sekuestrimin e llogarive bankare të mjekut kardio-kirurg, Edvin Prifti, i cili akuzohet për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve penale.
Sipas SPAK, hetimi ka ngritur dyshime se Prifti ka kryer gjithashtu evazion fiskal përmes faturave të falsifikuara.
Mjeku i njohur u vendos nën akuzën e SPAK më 11 shkurt, si pjesë e një hetimi të nisur ndaj 12 personave të tjerë që dyshohej se synonin të lironin disa të burgosur në burgun e Fushë-Krujës kundrejt përfitimeve monetare.
Prifti vetë u akuzua se mund të kishte marrë rryshfet për operimin e nënës së njërës prej sekretareve të gjykatës së Krujës, që ishin asokohe nën përgjim.
Mjeku Edvin Prifti dyshohet për kryerjen e dy veprave penale dhe ndaj tij është vendosur masa e “Pezullimit të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”.
Megjithatë, SPAK njoftoi të premten se nga hetimi kishte grumbulluar prova të reja që krijojnë dyshime se Prifti ka ngritur një ‘skemë kriminale” që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false, me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.
Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të Prifitit apo të personave fizikë të regjistruar në emër të tij, është konstatuar se ky shtetas kryente depozitime cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.
SPAK ngre dyshime se shumat e parave të depozituara në bankë cash janë produkte të veprës penale dhe i ka kërkuar gjykatës vendosjen e sekuestros preventive, e cila ka vendosur më pas sekuestrimin e shumave 51.4 milionë lekë dhe 177,497 euro.
Masa e ndërmarrë nga SPAK pritet të sfidohet në gjykatë nga avokatët mbrojtës të Priftit, të cilët pretenduan për BIRN se depozitat bankare janë krijuar me para të justifikuara.
“Dyshimet e SPAK mbështeten vetëm në lëvizje mekanike të kryera nga policia. Ne nuk jemi pyetur. Do paraqesim të provat tona dhe do kërkojmë heqjen e sekuestros,” tha avokati Henrik Ligori.