Lajm5 Nov 2021

SPAK sekuestron pasuritë e Redjan Rrajës

Tre njësi tregtare, dy garazhe dhe tre mjete luksoze në pronësi të Redjan Rrajës, i akuzuar si pjesë e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, dhe familjarëve të tij janë skuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme në kuadër të ligjit “Antimafia”.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Foto: Xhemali Moku

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten sekuestrimin e pasurive të Redjan Rrajës, i cili është në hetim si një prej autorëve të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, shoferit të tij Andi Maloku i cili humbi jetën dhe Landi Muharremit, i njohur edhe me emrin Aleksandër Laho – ngjarje e ndodhur më 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit në Durrës.

Në njoftim sqarohet se në muajin janar të këtij viti, në kuadër të ligjit “Antimafia” SPAK ka regjistruar procedimin pasuror në ngarkim të pasurive të Rrajës dhe familjarëve të tij dhe në vijim i ka kërkuar gjykatës respektive sekuestrimin e pasurive të identifikuara.

Më 23 tetor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të pranojë kërkesën për sekuestrimin e  pasurive të paluajtshme, konkretisht të dy njësive tregtare, një apartamenti që shërben si njësi tregtare dhe dy garazheve, që të gjitha të ndodhura në Tiranë. Gjithashtu janë sekuestruar edhe tre makina luksoze, një “Bentley” tipi Continetal, dy automjete tip “Audi –A8”, një orw dore tip “Roleks” dhe shuma prej 2750 euro.

SPAK sqaron se vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ndërkohë që vazhdon hetimi për evidentimin e pasurive të tjera që mund të zotërojë Rraja.

Redjan Rraja u arrestua më 5 nëntor, pasi grupi hetimor konstatoi një gjurmë papilare (gishtash) në një palë syze të gjetura në makinën e braktisur nga autorët e krimit, pas atentatit me kallashnikov ndaj makinës ku udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe personi me precedent penalë, Landi Muharremi.

Rraja është i afërm i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja dhe ka qenë edhe më herët i proceduar penalisht. Ai është denoncuar në një rast publikisht nga ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu se e kishte kërcënuar për të mbyllur hetimet ndaj djalit të deputetit, i akuzuar për dhunimin e të dashurës.

Arjan Ndoja i cili mbeti i plagosur, ishte vënë më herët në qendër të vëmendjes pasi u akuzua në fillim të tetorit 2019 nga kryeministri Edi Rama dhe ish-zv.kryeministri Erion Braçe se po i shërbente krimit të organizuar me urdhër-arrestin e lëshuar ndaj drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula. Ndoja është hetuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, por akuzat ndaj tij u pushuan nga prokuroria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *