Refuzimi i pacientëve për t’u transferuar në Tiranë – ku ato dhe familjarët e tyrë besojnë se do të marrin kurim të keq, e ka detyruar spitalin rajonal të Lezhës të krijojë një pavion të specializuar për të sëmurët me COVID-19.
Bashkëshorti i E.C. fillimisht i shfaqi simptomat e COVID-19 në muajin janar dhe pasi bëri tamponin rezultoi i infektuar nga koronavirusi i SARS-CoV-2. Fillimisht, gjendja e tij nuk ishte e rënduar dhe gruaja 40-vjeçare nga Lezha kujton se mjekët i rekomanduan që të kurohej në shtëpi.
Por edhe pse ditët kalonin, burri nuk po shfaqte përmirësime, pasi temperatura nuk i ulej dhe atij i vazhduan dhe problemet me frymëmarrjen. Në këto kushte bashkëshortja e tij njoftoi spitalin. Mjekët i rekomanduan që ta dërgonin në një nga spitalet COVID në Tiranë, po ajo refuzoi dhe këmbënguli që ta shtronin në pavionin e patologjisë në spitalin e Lezhës.
“Aty e vendosën në intubim dhe qëndroi për dy javë në gjendje mjaft të rëndë, ndërkohë që vetëm mua më lejohej që ti shërbeja,” kujton E.C.
“Pas disa ditësh qëndrim në spital u infektova dhe unë me COVID-19, por fatmirësisht me simptoma të lehta dhe nuk kisha probleme serioze shëndetësore,” shtoi ajo.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, aktualisht përveç spitaleve COVID në Tiranë, të shtruar me COVID-19 ka dhe në spitalet rajonale të Durrësit, Shkodrës dhe Korçës.
Por rasti i çiftit nga Lezhe sugjeron se harta e spitaleve që po i shërbejnë pacientëve me COVID-19 është më e madhe, ndërsa dyert e tyre janë hapur më herët se autoritetet kanë lënë të kuptojmë.
Ministria e Shëndetësisë nuk komentoi deri në publikimin e këtij shkrimi nëse kishte një pavion të hapur për COVID-19 në spitalin rajonal të Lezhës, sa pacientë janë shtruar dhe nëse ishte në dijeni të rasteve kur pacientë të ndryshëm refuzojnë të transferohen për kurim në Tiranë.
Që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19 në mars 2020 në Shqipëri, më shumë se 107 mijë persona janë infektuar me koronavirus, nga të cilët 1796 kanë humbur jetën për shkak të sëmundjes infektive ose komplikacioneve që rrjedhin prej saj.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë aktualisht ka 35,598 raste aktive në të gjithë vendin dhe 662 të shtruar në spitale – në Tiranë dhe në tre spitalet rajonale. Kjo shifër megjithatë nuk përfshin çiftin nga Lezha që prej javësh është shtruar në spitalin rajonal të këtij qyteti.
E.C. i tregoi BIRN se ajo kishte refuzuar ta transportonte bashkëshortin e saj drejt spitaleve COVID të kryeqytetit për shak se kishte dëgjuar se në Tiranë pacientët nuk trajtoheshin mirë.
“Duke dëgjuar se çfarë po ndodh me pacientët në spitalet COVID isha e bindur se nëse burrin do ta dërgoja atje do ishte i vdekur,” tha ajo, ndërsa falenderoi mjekët e Lezhës për përmirësimin e gjendjes shëndetësorë të bashkëshortit.
“Nuk kisha asnjë lloj sigurie ndaj këmbëngula që të trajtohet në Lezhë, pavarësisht se spitalit këtu nuk i është dhënë ende një urdhër që të trajtohen pacientët me COVID-19,” shtoi ajo.
Rasti i çiftit të prekur nga COVID-19 që ka preferuar spitalin rajonal të Lezhës, duke refuzuar që të transferohet në Tiranë nuk është i vetmi. Të njëjten rrugë po ndjekin shumë përsona të prekur nga COVID-19 në rajonin e Lezhës që e kanë të domosdoshëm trajtimin në spital.
Familjari i një tjetër pacienti i tha BIRN se nuk ka pranuar ta dërgojë babain për trajtim në Tiranë dhe e ka shtruar në spitalin e Lezhës.
“Kam babën të shtruar këtu prej disa ditësh, pasi u prek nga virusi dhe gjendja e tij u rëndua,” tha ai, ndërsa shtoi se “më thanë ta dërgojë në Tiranë, por nuk pranova sepse atje nuk ka asnjë lloj sigurie.”
“Më mirë të vdesë këtu në Lezhë se atje,” tha burri që refuzoi të indetifikkohej me emër. “Të paktën këtu merremi vesh me mjekët, kurse atje s’të pyet kush fare,” theksoi ai.
Sipas statistikave të bëra publike nga Instituti i Shëndetit Publik, aktualisht në qarkun e Lezhës ka 826 raste aktive me COVID-19.
Mjeku infeksionist i spitalit rajonal të Lezhës, Martin Marku shprehet se pavarësisht rekomandimit të stafit mjekësor, qytetarët refuzojnë trajtimin në spitalet COVID në Tiranë.
“Kemi mjaft të sëmurë me simptoma të rënda të cilët kanë nevojë për trajtim në spital, por pavarësisht rekomandimit tonë refuzojnë që të shkojnë në spitalet COVID në Tiranë,” shpjegoi Marku.
Pavarësisht se nuk ka një urdhër nga Ministria e Shëndetësisë për t’i hapur dyert për pacientët me COVID-19, Marku theksoi se për shkak të refuzimit të pacientëve për t’u transferuar në kryeqytet. janë detyruar që ti trajtojnë në Spitalin Rajonal të Lezhës. Marku tregon se me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19, spitali rajonal i Lezhës është vënë në gadishmeri për t’i paraprirë situatave që mund të krijohen.
“Kemi caktuar një vend të posaçëm ku janë vënë në dispozicion 16 shtretër bashkë me respiratorë për trajtimin e pacientëve me COVID-19,” shpjegoi Marku.
Mjeku infeksionist në Spitalin Rajonal të Lezhës tregon se logjistika dhe burimet njerzore nuk mungojnë dhe deri tani janë përballuar me sukses rastet.
“Kemi mjek infeksionit, mjek pneomolog dhe që prej periudhës që ka fillu pansemdia janë marrë me sëmurë të tillë,” tha ai.
“Numri i shtretërve është i kufizuar, por deri tani kemi arritur t’ia dalim për ti trajtuar rastet që kanë refuzuar të transferohen drejt Tiranës,” përfundoi Marku.