Lajm15 Apr 2019

Stërviste fëmijë si “ushtarë të Allahut”, arrestohet ish-komandoja nga Kruja

Një 29-vjeçar nga Kruja u arrestua nga antiterrori për vepra penale të lidhura me terrorizmin, pasi shpërndau në rrjetet sociale video të fëmijëve të vegjël ndërsa stërviteshin prej tij.    

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Screenshot i videos se postuar nga Hamzah Uka ne youtube.

Erzen Uka, një ish-komando 29-vjeçar nga fshati Gjorm i Krujës u arrestua të hënën nga Antiterrori, pasi akuzohet se stërviste fëmijë të mitur dhe shpërndante në rrjete sociale video që propagandojnë vepra penale me qëllime terroriste. Sipas një njoftimi të policisë, 29-vjeçari u arrestua nga specialistët e antiterrorit pas një hetimi dy vjeçar.

Erzen Uka, i cili besohet se ka shërbyer si ushtarak në Afganistan ishte i pranishëm në rrjetet sociale nën emrin Hamzah Uka. Vetëm një javë më parë, ai postoi në faqen e tij në Youtube një video të dy djemve të vegjël që nxiteshin të forconin muskujt mbi dysheme, të shoqëruar me mbishkrimin ”Muslimani është ushtar i Allahut dhe si i tillë duhet të përgatitet”.

Në një video të dytë të shpërndarë prej tij në Youtube, Uka shfaqet duke i rrëmbyer pistoletën nga dora një adoleshenti të maskuar, sërish nën përshkrimin “Stërvitje”.

Sipas Policisë së Shtetit, Uka akuzohet se ka publikuar dhe shpërndarë video dhe pamje filmike që nxisin dhe propagandojnë vepra me qëllime terroriste. Policia thotë gjithashtu se gjatë kontrollit të banesës së tij janë gjetur një sasi fishekësh dhe se ia ka referuar materialet Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

29-vjeçari me një histori disavjeçare radikalizimi është baba i dy fëmijëve, i divorcuar dhe në konflikt me ish-bashkëshorten për kujdestarinë e tyre. Ai është proceduar më parë për veprat penale të dhunës në familje dhe pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës.

Arrestimi i Ukës ndodh gati 5 vjet pas operacionit antiterror që çoi në burg një rrjet rekrutuesish, përgjegjës për rreth 140 shqiptarë që iu bashkuan ISIS përgjatë viteve 2012-2014.

Uka akuzohet për veprën penale të “stërvitjes për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, “nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” si dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.