Interviste7 Sep 2018

Stoltenberg: Marrëveshja e emrit është “rruga e vetme” drejt NATO-s

Duke inkurajuar një votim “pro” në referendumin në fund të këtij muaji, kreu i NATO-s paralajmëron maqedonasit të mos mendojnë se mund të anëtarësohen në aleancë pa një marrëveshje me Greqinë.

Autor: Ana Petruseva BIRN Shkup
Printo

Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Foto: Robert Atanasovski

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg nuk ka humbur kohë me deklarata të paqarta gjatë vizitës së tij në Maqedoni. Mesazhi i tij ishte i qartë.

“Ose pranoni marrëveshjen me Greqinë dhe atëherë mund t’i bashkoheni NATO-s, ose refuzoni marrëveshjen dhe nuk do t’i bashkoheni NATO-s,” tha ai në një intervistë përpara se të nisej nga Shkupi për në Athinë.

Vizita e tij vjen në mes të një ofensive të madhe diplomatike në mbështetje të të ashtuquajturës marrëveshje të emrit përpara një referendumi që do të mbahet më 30 shtator në Maqedoni.

Disa liderë të huaj, përfshirë Angela Merkel e Gjermanisë dhe Sebastian Kurz i Austrisë, po vizitojnë Shkupin, duke dërguar mesazhe inkurajuese për një votim “pro”.

Në fund të këtij muaji, maqedonasit do të votojnë ose duke e mbështetur ose duke e refuzuar marrëveshjen e arritur në qershor midis Shkupit dhe Athinës, e cila është projektuar t’i japë fund mosmarrëveshjes së gjatë mbi emrin e Maqedonisë.

“Kjo është hera e parë në 27 vjet që keni një marrëveshje reale në tryezë. Është e vështirë të imagjinohet se kur do të ndodhë përsëri kjo,” tha Stoltenberg.

“Kjo është një mundësi që vjen një herë në jetë për të rënë dakord për çështjen e emrit dhe për t’iu bashkuar komunitetit ndërkombëtar; ju takon juve të thoni po ose jo, askush nuk mund t’ju detyrojë, ky është vendimi juaj i pavarur, por duhet të merrni parasysh pasojat e vendimeve tuaja.”

Gjatë vizitës së tij, Stoltenberg u takua me liderin e partisë opozitare VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, i cili e ka dënuar vazhdimisht marrëveshjen si një shitje, por nuk ka thënë nëse partia e tij do të marrë pjesë në referendum, duke vonuar një vendim deri më 10 shtator.

Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Foto: Robert Atanasovski

Mickoski dhe presidenti Gjorgje Ivanov, një tjetër kundërshtar i vendosur i marrëveshjes, kanë bërë deklarata duke thënë se ata i thanë Stoltenbergut se e mbështesin integrimin në BE dhe NATO – por e gjejnë marrëveshjen e emrit të papranueshme.

VMRO DPMNE, e cila mbajti pushtetin nga viti 2006 deri në vitin 2016, ka këmbëngulur se mund të kishte arritur një marrëveshje më të mirë.

Por Stoltenberg u duk sikur e përbuzi atë pretendim. “Nëse ishte e lehtë të arrihej një marrëveshje më e mirë, pse nuk e keni arritur më parë një gjë të tillë?” pyeti ai.

“Gjatë qeverisë së mëparshme, ata patën shumë vite në dispozicion për t’u përpjekur për të arritur një marrëveshje më të mirë – asnjë marrëveshje më e mirë nuk ishte në tryezë,” tha ai.

“Kam folur me shumë liderë politikë në Greqi gjatë shumë viteve, isha i pranishëm në samitin e NATO-s në Bukuresht, e di sa e vështirë është çështja e emrit,” kujton ai.

“Ne shohim se ka protesta kundër marrëveshjes së emrit, kështu që ky është një kompromis i vërtetë. Ka njerëz në këtë vend dhe në Greqi që janë të pakënaqur me marrëveshjen e emrit, duke treguar se gjithmonë për një kompromis paguhet një çmim.”

Por ai tha se ishte një iluzion që maqedonasit të besonin se anëtarësimi në NATO ishte një opsion pa një marrëveshje.

“Meqë jam mik i vendit tuaj, gjëja më e mirë që mund të bëj është të jem i sinqertë në këtë drejtim, sepse krijimi i një iluzioni thjesht do të ishte keq për ju. Atëherë mund të rrezikoni të bëni gabime bazuar në iluzione se çfarë lloj alternativash ekzistojnë.”

Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Foto: Robert Atanasovski

“E pranoj që disa njerëz mendojnë se alternativa e parë më e mirë është të mos arrihet asnjë marrëveshje dhe të ketë anëtarësi në NATO, por kjo alternativë nuk ekziston. Ka vetëm një rrugë: marrëveshje dhe anëtarësim.”

Ndërkohë që referendumi nuk ishte i përfshirë në marrëveshjen me Greqinë, (marrëveshja thoshte vetëm se vendi mund të mbante një referendum në lidhje me këtë nëse dëshironte) liderët maqedonas u zotuan të organizonin një votim popullor.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se shumica do të votonte “po” për marrëveshjen e tanishme, e cila përfshin ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, marrëveshja gjithashtu parashikon përfshirjen e kësaj në kushtetutë nga ana e Maqedonisë dhe ndryshimet në kushtetutë kërkojnë një shumicë prej dy të tretash në parlament që qeveria e koalicionit e Zoran Zaev nuk e ka.

Qeveria shpreson se një rezultat i mirë në referendum do të sigurojë bindjen e anëtarëve të opozitës në parlament për të mbështetur ndryshimet kushtetuese.

Stoltenberg nuk u duk i shqetësuar për influencën e ndikimeve të jashtme dhe ndërhyrjet e mundshme nga ana e Rusisë në këtë proces.

“Ne kemi parë përpjekje ruse për të ndikuar në proceset demokratike në këtë rajon. Kemi parë përpjekjet në Mal të Zi, kemi parë atë që ndodhi në Greqi, ku qeveria dëboi disa diplomatë rusë për shkak se aktivitetet e tyre nuk ishin në përputhje me statusin e tyre dhe kemi parë gjithashtu disa deklarata të forta publike nga diplomatë dhe politikanë rusë.”

Ai ishte i bindur se “qeveria e Shkupit dhe populli i këtij vendi do të jenë në gjendje të organizojnë një referendum në një mënyrë të mirë dhe të sigurojnë që njerëzit të jenë në gjendje të marrin vendimet e tyre pa ndërhyrje nga jashtë”.

I pyetur për pasojat e mundshme për Maqedoninë, nëse idetë polemike rreth ndryshimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës materializohen, Stoltenberg tha se Maqedonia nuk duhet të shqetësohet për këtë, nëse është brenda NATO-s.

“Thelbi i anëtarësimit në NATO është të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe ne kemi parë për më shumë se shtatë dekada se NATO është në gjendje ta ofrojë këtë çdo ditë, kundër kërcënimeve nga shumë drejtime: gjatë Luftës së Ftohtë dhe terrorizmit nga ISIL, deri te kërcënimet bërthamore, shumë lloje të ndryshme kërcënimesh.”

“Unë vetë vij nga një vend i vogël, Norvegjia, në kufi me Rusinë, dhe gjatë Luftës së Ftohtë u ndjemë të sigurt sepse e dinim që NATO-ja ishte atje pas nesh dhe se nëse Bashkimi Sovjetik do të prekte një centimetër të territorit norvegjez, e gjithë NATO-ja do të ishte atje për të na mbrojtur,” tha ai.

“Prandaj, arsyeja pse kemi një NATO të fortë nuk është që të provokojë, por që të parandalojë një konflikt dhe të mbrojë integritetin territorial edhe për kombe të vogla si ky.”

Stoltenberg përsëri inkurajoi votuesit që të marrin pjesë në referendumin e 30 shtatorit, duke risjellë në kujtesë përparësitë që do të sillte anëtarësimi në NATO, duke vënë në dukje se investimet e huaja në Malin e Zi nga aleatë të ndryshëm ishin dyfishuar që kur vendi u bashkua me NATO-n në 2017.

Duke iu drejtuar shtypit pranë kryeministrit Zaev, ai e mbylli deklaratën e tij në gjuhën maqedonase duke thënë: “Ne po ju presim.”