Opinion10 Feb 2020

Strategjia e re e zgjerimit e BE-së pa interes për Ballkanin

Pavarësisht të gjithë bujës, strategjia e re e anëtarësimit në BE nuk ka gjasa të ndryshojë një proces të gjatë zhgënjimi dhe mosangazhimi midis Brukselit dhe rajonit.

Autor: Srecko Latal BIRN Sarajevë
Printo

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi. Foto: Twitter? Oliver Varhelyi

Komisioneri i ri i për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, thotë se metodologjia e re e shumëpritur e BE-së do ta bëjë procesin e pranimit “më të besueshëm, më dinamik dhe më të parashikueshëm”.

Ky pretendimi ka hasur një reagim të sjellshëm, por të heshtur nga zyrtarë në të gjithë Ballkanin, të cilët mbeten më të përfshirë në përgatitjet për atë që premton të jetë një vit “i nxehtë” politik, në të cilin shumica e vendeve të tyre zhvillojnë zgjedhje lokale ose të përgjithshme, ose të dyja bashkë.

Kjo heshtje dhe mungesë emocionimi për atë që supozohet të jetë një dokument tepër i rëndësishëm dëshmon për imazhin më të ulët se kurrë të BE-së në Ballkan – dhe për faktin se edhe nën strategjinë e re, një perspektivë realiste e anëtarësimit në BE duket ende e humbur plotësisht.

Pavarësisht qëllimit të tij deklarativ për “të përmirësuar procesin e pranimit”, dokumenti – për momentin – ofron shumë pak gjëra që të mund të ndryshojë një mendim të tillë.

Qartazi, strategjia e re u hartua pa konsultime në terren në Ballkan, gjë që do t’i mundësonte asaj të kuptonte më mirë realitetet lokale aty.

Ndërsa disa zyrtarë të BE-së thonë se vlera e vërtetë e dokumentit do të zbulohet vetëm përmes një procesi konsultimi, rishikimi dhe zbatimi eventual, metodologjia “e re” në formën e saj të tanishme nuk ofron ide revolucionare. Në fakt, ajo ndjek të njëjtat ide të përshkruara në dy “shënimeve jo diplomatike” që disa vende anëtare të BE-së paraqitën në fund të vitit të kaluar.

Strategjia “e re” jehonë e disa ideve të vjetra

Presidenti francez Emmanuel Macron. Foto: Facebook/Emmanuel Macron.

Një dokument, i propozuar nga Franca nëntorin e kaluar, për shembull, ishte i bazuar në katër parime thelbësore; asociim gradual, kushte më të rrepta, përfitime më të prekshme – dhe kthyeshmëri të procesit të zgjerimit.

Ky propozim parashikonte që zgjerimi “nuk do të bazohej më në hapjen e njëkohshme të një numri të madh kapitujsh tematikë, por në disa etapa të njëpasnjëshme, të cilat do të formojnë blloqe koherente politikash”.

Propozimi i dytë jo zyrtar, i qarkulluar bashkërisht nga Austri, Republika Çeke, Estonia, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia dhe Sllovenia, në dhjetor, propozoi që të gjithë kapitujt e negociatave – të cilët aktualisht janë 35 – të grupohen sipas fushave të tyre kryesore në përputhje me tetë nën-komitete në një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit, MSA, marrëveshja tregtare që shënon hapin e parë drejt anëtarësimit në BE.

Duke i bërë jehonë këtyre ideve, të cilat synojnë “të injektojnë dinamizmin e mëtejshëm në procesin e bisedimeve”, dokumenti i Komisionit propozon grupimin e të gjithë kapitujve negociues në gjashtë grupime tematike: bazat; tregu i brendshëm; konkurrenca dhe rritja gjithëpërfshirëse; axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme.

Ai deklaroi që negociatat për secilin grup do të hapeshin në tërësi – pasi të përmbushen standarde të paspecifikuara – duke theksuar se negociatat mbi pikat bazë  përfshirë sundimin e ligjit –  do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit.

Dokumenti gjithashtu parashikoi kufizimin e afatit kohor midis hapjes dhe mbylljes së kapitujve individualë, mundësisht për një vit.

Por shumica e ekspertëve dhe zyrtarëve lokalë pajtohen që komplikimi i mëtejshëm i reformës nuk do të ndihmojë vendet aspirante në Ballkan, të cilave të gjithë u mungon gatishmëria politike, si dhe aftësia teknike për të vënë në zbatim më shumë se një ose dy reforma të vështira në të njëjtën kohë.

Brukseli gjithashtu ka humbur besueshmërinë dhe besimin

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç.

Të dy propozimet jo zyrtare theksojnë sundimin e ligjit, i cili gjithashtu ka një rol të rëndësishëm në dokumentin e Komisionit Europian.

“Procesi i pranimit duhet të ndërtohet mbi besimin, mirëbesimin e ndërsjellë dhe angazhime të qarta nga Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor”, theksohej dokumenti.

“Mirëbesimi duhet të përforcohet përmes një përqendrimi edhe më të fortë në reformat themelore, duke filluar me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratën publike, si dhe ekonominë e vendeve kandidate”, shtoi ai.

Ndërsa besueshmëria e vendeve anëtare të BE-së në Ballkan është vënë në dyshim me të drejtë për vite me radhë, dokumenti nuk arriti të theksojë se vetë BE-ja po dështon gjithnjë e më shumë në këto fusha.

Për vite me radhë, Ballkani dhe madje disa zyrtarë të BE-së kanë tërhequr vëmendjen ndaj dështimit të BE-së për të përmbushur fjalët e veta.

Komisioni, për shembull, propozoi t’i ofronte Kosovës një regjim pa viza në vitin 2016 – ende shumë vende anëtare të BE-së kanë vazhduar bllokimin e këtij vendimi deri më sot.

Komisioni vitet e fundit gjithashtu tregoi në mënyrë të përsëritur se do të caktojë një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

E megjithatë, edhe pasi Maqedonia e Veriut ndryshoi kushtetutën dhe emrin e saj si pjesë e një marrëveshje historike me Greqinë, të gjitha këto për të kënaqur Komisionin, oferta për fillimin e një date për hapjen e bisedimeve u bllokua gjithsesi nga Franca dhe Holanda.

Të gjitha këto vijnë pas vitesh të tëra ndryshime strategjish, qasjesh dhe kërkesash – të cilat lokalist janë quajtur “zhvendosje objektivash” – dhe kjo ka dëmtuar më tej besueshmërinë e BE-së në rajon.

Një perspektivë e besueshme anëtarësimi është zhdukur pak a shumë, kjo e pasqyruar në ngadalësimin gradual ose madje edhe përmbysjen e shumë reformave të mëparshme.

Ulja e rëndësisë së BE-së në rajon u pasqyrua qartë të enjten, kur sipas mediave lokale, Komisioneri Várhelyi u sulmua verbalisht nga ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç gjatë takimit të tij me qeverinë serbe.

Várhelyi u largua nga takimi pasi Daçiç akuzoi brutalisht BE-në se kërkonte shumë nga Serbia ndërkohë që ofronte shumë pak.

Audienca që synonte strategjia nuk ishte në Ballkan

Rama dhe Zaev. Foto: Wikipedia.

Ndërsa disa zyrtarë dhe ekspertë të Ballkanit shpresojnë që metodologjia e re e zgjerimit e BE-së do të ringjallë perspektivat e anëtarësimit në Ballkan, dokumenti i prezantuar të mërkurën kishte qartazi një tjetër qëllim.

Publiku i saj kryesor ishte skena politike e brendshme e BE-së më shumë sesa Ballkani.

Disa zyrtarë dhe diplomatë të lartë të BE-së thanë për BIRN se një nga qëllimet kryesore të dokumentit ishte t’i bënte qejfin presidentit francez Emmanuel Macron, në mënyrë që ai ta linte Europën më në fund t’i ofronte Maqedonisë së Veriut një datë për fillimin e bisedimeve.

Megjithatë, edhe tani, nuk është e sigurt nëse Macron do të heqë veton e tij në bisedimet me Shkupin në Samitin e ardhshëm të BE-së në Bruksel që do të mbahet më 26-27 mars, menjëherë pasi kundërshtoi ashpër zgjedhjet lokale franceze.

Një dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut në mars mund të jetë shansi i fundit për liderin e kësaj të fundit, Zoran Zaev, dhe Bashkimin e tij Social Demokrat, LSDM, teksa ata përballen me një sfidë nacionaliste në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 12 prill.

Një refuzim tjetër nga ana e BE-së mund të vulosë dënimin e Zaevit, për të cilën shumë ekspertë druhen se do ta zhyste vendin në një krizë politike. Kjo gjithashtu do të kishte efekt edhe në të gjithë Ballkanin, duke i dërguar një mesazh liderëve lokalë se lëvizjet e guximshme dhe reformat e vështira nuk shpërblehen.

Disa zyrtarë të BE-së thonë se Macron mund të pajtohet të ofrojë deri në maj një datë për Maqedoninë e Veriut – pasi vendi të ketë mbajtur zgjedhjet lokale. Kjo shpresë mund të shpjegojë deklaratat e fundit të Zaevit, në të cilat ai tregoi se ai mund t’i shtyjë zgjedhjet e parakohshme që priten të mbahen në prill.

Shqipëria është në një pozicion edhe më të keq. Zyrtarët e BE-së thonë se Tirana nuk ka gjasa të marrë një datë fillimi për bisedimet tani afër, pasi Franca dhe Holanda – të dyja të mërzitura nga fluksi i azilkërkuesve shqiptarë në vitet e fundit – e kanë kushtëzuar miratimin e tyre, duke kërkuar që Shqipëria të nënshkruajë një marrëveshje për riatdhesimin e këtyre njerëz.

Shqetësime për shtimin e kakofonisë

Disa zyrtarë të BE-së thonë se fokusi i strategjisë së re të zgjerimit ishte vetë BE-ja nuk është aspak e habitshme, duke pasur parasysh momentin aktual në skenën politike të BE-së.

Blloku po përpiqet ende të bëjë paqe me largimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe është duke u përgatitur për disa sfida me të cilat do të përballet në vitin 2020, duke përfshirë negociatat për kuadrin financiar shumëvjeçar të BE-së, si dhe disa zgjedhje kombëtare.

Zyrtarët perëndimorë thonë se strategjisë së re të BE-së për Ballkanin duhet t’i jepet një shans dhe se vlera e saj e vërtetë do të zbulohet pas konsultimeve dhe rishikimeve që mendohen të bëhen në muajt e ardhshëm.

Strategjia do të diskutohet në Samitin e BE-së në Bruksel në mars dhe në Samitin e Ballkanit në Zagreb në maj, ndërsa merita e vërtetë e saj do të dëshmohet nëpërmjet vënies në zbatim të saj, kur Komisioni dhe institucionet e tjera të BE-së do të jenë në gjendje të rregullojnë qasjen e tyre në Ballkan, thonë zyrtarët.

Megjithatë, zyrtarë të tjerë të BE-së dhe shumë ekspertë të Ballkanit paralajmërojnë se strategjia e re e BE-së jo vetëm që shpërfill realitetin në terren – siç është mungesa e vullnetit politik dhe aftësia teknike për reforma – por se disa nga elementët e saj hapin dyert për komplikime të mëtejshme.

Një ide mundësisht problematike në dokument është se “vendet anëtare duhet të përfshihen në mënyrë më sistematike në monitorimin dhe rishikimin e procesit (të pranimit)”. Sipas disa diplomatëve perëndimorë, BE-ja po mendon të krijojë ekipe të përziera në të cilat përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së do të bashkohen me institucionet ekzistuese të BE-së të përfshira në procesin e pranimit.

Disa zyrtarë në Ballkan janë tepër të alarmuar. “Shumë duar, prishin punë”, tha një zyrtar i qeverisë boshnjake, duke komentuar këtë ide, duke theksuar se vendet anëtare të BE-së tashmë janë të përfshira në proces përmes përfaqësimeve të tyre në institucione të ndryshme të BE-së.

BE-ja duhet të kuptojë se zgjerimi i shërben i interesave të veta

Flamuri i BE-së. Foto ilustruese Pixabay.

Duke pasur parasysh kompleksitetin e burokracisë së BE-së, si dhe përvojën e hidhur të Ballkanit me mesazhe shpesh kontradiktore që vijnë nga brenda familjes së BE-së, zgjerimi në Ballkan kërkon një qasje më të thjeshtuar dhe harmonike, jo komplikime të mëtejshme dhe më shumë kakofoni, shtoi i njëjti zyrtar.

Mundësia për konfuzion dhe ndërlikim është edhe më e madhe duke pasur parasysh që metodologjia e re e zgjerimit aplikohet zyrtarisht vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mali i Zi dhe Serbia, të cilat i kanë filluar tashmë bisedimet, mund të zgjedhin nëse do të zbatojnë metodën e re apo do të mbajnë metodologjinë e vjetër. Strategjia e re nuk përmend as Bosnjën dhe as Kosovën.

Shumica e zyrtarëve të BE-së dhe Ballkanit pajtohen që suksesi ose dështimi i qasjes së re, në fund të fundit, do të varet nga tre elementë të tjerë të përshkruar në metodologjinë e re; “një drejtim politik më i fortë dhe angazhim në nivelet më të larta”; “qartësi më e madhe në lidhje me atë që BE-ja pret nga vendet aspirantë në faza të ndryshme të procesit”; dhe “stimuj të qartë dhe të prekshëm me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët”.

Por për ta arritur këtë, BE-ja do të duhet të kuptojë më mirë realitetin e situatës në Ballkan dhe të pranojë që zgjerimi nuk është thelbësor vetëm për Ballkanin, por edhe për BE-në.

Për vite me radhë, procesi i pranimit ka mbetur zyrtarisht i rëndësishëm vetëm për BE-në. Ai ka reshtur së qeni një prioritet.

Kjo nuk do të ndryshojë për sa kohë disa vende anëtare të BE-së që kundërshtojnë zgjerimin – si Franca – nuk arrijnë të kuptojnë se bllokimi i procesit të pranimit paraqet një kërcënim më të madh për sigurinë dhe stabilitetin e tyre afatgjatë sesa anëtarësimi i shpejtë i të gjithë rajonit.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.