Mijëra studentë vazhduan protestën e tyre disa ditore para ministrisë së Arsimit, ndërsa hodhën poshtë kërkesën e kryeministrit Rama për dialog dhe kërkuan plotësimin e tetë pikave të tyre.
Disa mijëra protestues të rinj u mblodhën në rrugën e Durrësit në Tiranë pranë Ministrisë së Arsimit në protestën më të madhe të shënuar deri tani, pasi marshuan nëpër të gjithë qytetin duke u nisur nga fakultetet përkatëse. Studentët kërkojnë ulje të tarifave të studimit, përmirësim të kushteve dhe rrëzim të ligjit ekzistues për Arsimin e Lartë, i cili u miratua në vitin 2014 mes debateve të ashpra nga votat e maxhorancës parlamentare të përbërë nga PS dhe LSI.
Kryeministri Edi Rama bëri edhe një herë thirrje të martën për bisedime me studentët, hera e katërt në tre ditë që lutet për atë që ai e quan “dialog”.