Reportazh10 Jan 2019

Studentët zaptojnë fakultetet, hedhin poshtë “paktin bosh” të kryeministrit Rama

Studentë nga fakultete të ndryshme të Tiranës kanë nisur zaptimin e godinave për të theksuar se kërkesat e tyre nuk përmbushen në masën e duhur nga kompromisi i ofruar nga kryeministri Edi Rama.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Studentët e mbledhur në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, 10.01.2019 | Foto : Ivana Dervishi

Fakulteti i Shkencave Sociale të enjten pati hyrje-dalje të shumta studentësh, por ndryshe nga shpërndarja e zakonshme në klasa, ata qenë mbledhur në një sallë pranë hollit kryesor, ku së bashku me pedagogë, diskutonin për misionin e universitetit dhe problematikat aktuale të tij.

Një banderolë ku shkruhet “bojkot” qëndron e varur në fasadën e fakultetit, për të sinjalizuar se mësimi ka ndaluar.

Studentët e Universitetit të Tiranës, pasi u derdhën me mijëra në rrugë gjatë dy javëve në muajin dhjetor, janë tërhequr drejt fakulteteve përkatëse me një mision të ri.

Përmes zaptimit të godinave dhe moslejimit të vazhdimit të mësimit, ata kërkojnë garanci se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se tetë kërkesat e artikuluara do të përmbushen nga qeveria.

“Kemi vendosur të rikthehemi në fakultet, jo për të zhvilluar mësim, por ta zaptuar atë,” tha për BIRN Irdi Ismaili, një student i shkencave sociale.

Duke folur nga një sallë mësimi e boshatisur, Ismaili shpjegoi se studentët po e përdorin këtë grumbullim për të diskutuar mes tyre problematikat e brendshme si pedagogët e korruptuar  dhe gjendjen e mjerueshme të librave të përkthyer.

“[Jemi mbledhur]… edhe për të diskutuar problematikat e ligjit të arsimit të lartë me ata studentë që nuk kanë pasur mundësi deri më sot të njihen më thellë me ligjin dhe pse ai është kaq problematik,” shtoi Ismaili.

Rreth tridhjetë studentë, të ulur në karrige në sallën pranë hollit shkëmbejnë mendime për marrëdhënien tashmë të bërë pis mes studentit dhe dijes.

“Universiteti bëhet thjeshtë një godinë që nuk na ngjall kurrfarë emocioni,” ligjëron, Liri Kuçi, studente dhe aktiviste e lëvizjes Për Universitetin.

Lexoni më shumë: Studentët shqiptarë ngrihen kundër tarifës së universiteteve

Të tjerë studentë i thonë BIRN se janë të kënaqur me mbështetjen e disa pedagogëve, ndonëse ka edhe nga ata konservatorët që i drejtohen në mënyrë denigruese, duke përfituar nga gjendja jo-zyrtare ku është futur universiteti.

Fakulteti i Shkencave Sociale nuk është i vetmi tashmë në duart e studentëve të revoltuar nga kostot e larta të arsimit në vend, korrupsioni në auditore, librat jocilësorë, mungesa e bibliotekave dhe gjendja e mjerueshme e konvikteve – ndër të tjera.

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, studentë brohoritën “Shqipëria e studentëve, jo e maskarenjve”, ndërsa përzunë nga ndërtesa forca të Policisë së Shtetit, duke u kujtuar atyre se ligji për arsimin e lartë e ndalon praninë e policisë, pa një kërkesë zyrtare nga vetë fakulteti.

Përgjatë ditëve të fundit tek Shkencat e Natyrës, studentët protestues kanë ndërprerë përpjekjet për vazhdimin e mësimit nga disa pedagogë dhe një grusht studentësh, që kanë frekuentuar mësimin nga frika e mungesave, që do t’i penalizonin ata për marrjen e lëndëve.

Studentët e Gjeologji-Minierave i mbushën korridorët me karrige dhe tavolina, duke sinjalizuar vendosmërinë e tyre se asnjëri nga ata nuk do të ulet në auditor pa plotësimin e kërkesave të tyre.

“Patrulluam nëpër klasa dhe u siguruam që në asnjërën prej tyre të mos bëhet mësim,” tha një student protestues nga ky fakultet për BIRN.

Me buzëqeshjet e bojkotit dhe zaptimit në fytyra, studentët e gjeologji-minierave i kënduan nëpër korridoret e fakultetit “zyrtarëve me kollare, që vranë arsimin veç për pare”.

Fakulteti i Drejtësisë, ai i Mjekësisë dhe studentë të Universitetit Politeknik qenë gjithashtu pjesë të zaptimeve të godinave.

Lexoni më shumë: Pankartat e studentëve në protestën para Ministrisë së Arsimit

Revolta studentore, e cila nisi nga oborri i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës më 4 dhjetor prej kërkesës për anulimin e një VKM-je që përcaktonte kosto shtesë për provimet e mbartura, pati një përhapje masive në dy ditët që pasuan, duke çuar në një protestë disa-ditore para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS).

MAS u tërhoq shpejt nga VKM-ja që zemëroi studentët, por mijëra të rinjtë që dolën në rrugë denoncuan gjendjen e keqe të arsimit të lartë në vend dhe kërkuan reformim të tij përmbledhur në tetë pika.

Tetë kërkesat e studentëve lidhen me përgjysmim të tarifës së studimit për dy ciklet, bachelor dhe master, rritje të votës studentore në Bordin e Administrimit të Universitetit, transparencë të fondeve të ministrisë dhe universiteteve, kartën e studentit, kontrollin anti-plagjaturë të diplomave, biblioteka të aksesueshme nga të gjithë, veting të pedagogëve të korruptuar dhe rritje në 5% të PBB të buxhetit për arsimin në vend.

Pasi i quajti ngelës dhe bëri rezistencë ndaj kërkesave të studentëve, kryeministri Rama ndryshoi qëndrim me masivizimin e protestës dhe bëri thirrje për dialog. Studentët megjithatë e refuzuan ftesën e tij, duke argumentuar se kërkesat ishin të qarta.

Më 28 dhjetor, Rama pranoi  “shuplakën e studentëve” për qeverinë dhe bëri ndryshime të gjysmës së ministrave në kabinetin qeveritar.

Ai publikoi gjithashtu një “ofertë” për studentët, të quajtur “Pakti për Universitetin” ku plotësonte me kompromise një pjesë të kërkesave të studentëve, por refuzoi të hidhte poshtë “Ligjin për Arsimin e Lartë” miratuar me kontestime të forta në vitin 2015.

Lexoni më shumë: Nën telashe nga protestat, kryeministri shqiptar ndryshon qeverinë

Të pabindur nga oferta e Ramës, studentët vazhdojnë rezistencën e tyre duke këmbëngulur në pikat e tyre.

“Nuk ka asnjë lloj kompromisi me kryeministrin, pasi pakti që ai ka krijuar është sa për të hedhur hi syve, nuk plotëson asnjë prej kërkesave tona,” përfundoi studenti Irdi Ismaili.

Në fakultetin e Shkencave Sociale, zaptimi për ditën e sotme u mbyll me shfaqjen për studentët të filmit “Diktatori i Madh” (1940), ku aktori Çarli Çaplin bën satirë me etjen e politikanëve për pushtet me çdo kosto.