Lajm13 May 2019

Studim: Tarifa e importeve nuk solli dobi për Kosovën

Kosova nuk e ka rritur aspak prodhimin e saj vendas si rezultat i taksës së importit të vendosur për mallrat serbe dhe boshnjake, thotë një raport i ri nga Instituti GAP.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Foto ilustruese Pixabay.

Industria e përpunimit të ushqimit në Kosovë nuk e ka rritur prodhimin apo punësimin si rezultat i tarifës 100 për qind të aplikuar për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina e vendosur nëntorin e kaluar, tregon një studim i Instituti GAP i publikuar të dielën.

“Kosova nuk ka parë ndonjë përfitim nga vendosja e kësaj tarife,” tha Berat Thaci nga Instituti GAP në një konferencë për shtyp, njoftoi RTV 21.

“Futja e tarifës nuk ishte e përgatitur mirë; nuk pati asnjë analizë paraprake të efektit të tarifës,” shtoi ai.

Në vend të kësaj, Sllovenia, Izraeli dhe Turqia kanë qenë përfituesit kryesorë të tarifës. Sllovenia që tani ka rritur eksportet e saj në Kosovë me 125 për qind, Izraeli ka rritur eksportet e tij në Kosovë me 659 për qind dhe Turqia me 34 për qind.

Importet e Serbisë u ulën në mënyrë drastike me 88 për qind, një humbje prej 160 milionë eurosh, ndërsa importet boshnjake ranë pothuajse në mënyrë të barabartë, me 83 për qind, me një humbje për vendin prej 24 milionë eurosh.

Raporti thotë se tarifa e rriti çmimin e shportës së konsumatorit. Arsyet kryesore për rritjen e çmimeve janë ulja e konkurrencës, rritja e kostos së lëndëve të para dhe kostoja më e lartë e transportit për produktet e importuara.

Tarifa u vendos në nëntor të vitit të kaluar nga qeveria e Ramush Haradinaj në shenjë hakmarrje për lobimin e Serbisë kundër pranimit të Kosovës në Interpol dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Ajo është aplikuar gjithashtu për produktet nga Bosnja, e cila, njësoj si Serbia, nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Haradinaj është përballur me presion ndërkombëtar për të revokuar tarifën, por deri më tani i ka shpërfillur ankesat nga SHBA-ja dhe Bashkimi Europian që masa shkel kushtet e zonës rajonale të tregtisë së lirë CEFTA dhe do të dëmtonte negociatat e udhëhequra nga BE-ja me Serbinë.

Autoritetet serbe kanë bllokuar dialogun e vazhdueshëm midis Beogradit dhe Prishtinës derisa tarifa të hiqet.

Një samit i Berlinit i krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, synonte të rihapte negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, por nuk qe i suksesshëm.

Samiti i ardhshëm i procesit të Berlinit, që do të mbahet në Poznan, Poloni, më 4 dhe 5 korrik, si dhe një samit në Paris, ku presidenti francez e ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë diskutimet nga procesi i Berlinit, mund të sjellin zhvillime të reja në lidhje me tarifën.